Nuk ka shumë minuta që kanë mbaruar provat zyrtare të Formula 1-shit për garën e tretë sezonale, atë të Kinës, në Shangai, dhe Nico Rosberg, piloti i Mercedes-it, ka siguruar vendin e parë.
Rosberg do ta nisë nesër garën i pari, ndërsa shoku i tij i skuadrës do ta shohë atë nga fundi i makinave. Fundjava nisi keq për Lewis Hamilton-in, kampionin në fuqi të F1-shit, i cili u dënua me pesë vende në nisje të dielën për ndërrim të një pjese të makinës. Por e keqja nuk kishte marrë fund, ndërsa britaniku nuk ia doli sot të kryejë një xhiro të vetme në provat zyrtare. Makina e preu në besë, e piloti kampion do duhet ta nisë nesër garën i fundit.
Surpriza në këto prova ka qenë australiani Ricciardo, që me Red Bull-in e tij ka zënë vendin e dytë, duke lënë pas pretendentët e Ferrari-t.
Raikkonen e Vettel i kanë mbyllur provat përkatësisht në vend të tretë dhe të katërt.
Dhjetë vendet e para në provat zyrtare i plotësuan Bottas, Kvyat, Perez, Sainz, Verstappen dhe Hulkenberg.
Dy garat e para të sezonit, në Australi dhe Bahrejn, i ka fituar piloti gjerman i Mercedes-it, Nico Rosberg, që e kryeson renditjen e përgjithshme me 50 pikë të plota. Hamilton ka 33 pikë në vend të dytë, e 24 ka australiani Ricciardo.
Gara e nesërme në Shangai nis në 08:00. /tesheshi.com/