Dy gjysmëfinalet e para të Europa League-s patën si përfundim një barazim dhe një fitore, duke përvijuar kështu vetëm një skuadër si finaliste të mundshme.
Arsenali dhe Atletiko e Madridit u ndanë në barazim 1-1 në “Emirates Stadium”, edhe pse londinezët meritonin diçka më tepër për atë që dhanë në fushë.
Kontrolli i madh i lojës dhe këmbëngulja solli vetëm një gol për vendasit, atë të Lacazette-s në minutën e 61-të.
Griezman shfrytëzoi të vetmen mundësinë për Atletikon në pjesën e dytë, për të realizuar golin e barazimit tetë minuta para mbarimit të lojës.
Se cili ekip do të shkojë në finale, do të vendoset një javë më pas në Madrid.
Në takimin tjetër, Olimpiku i Marsejës fitoi 2-0 ndaj Salcburgut; një rezultat i pastër që e afron së tepërmi finalen për skuadrën franceze.
Thauvin dhe N’jie qenë shënuesit e golave përkatësisht në minutën e 15-të dhe të 63-të të lojës.
Pavarësisht rezultatit, një pjesë e mirë e statistikave të lojës qenë në favor të Salcburgut, së cilit i mungoi konkretizimi. /tesheshi.com/