Nga Katja Hoyer, The Spectator
Si shumë gjermanë, edhe unë e kujtoj me mall verën e vitit 2006. Ne organizuam atë vit Kupën e Botës në futboll, dhe për disa javë të lavdishme vendi u transformua për mirë. Dielli nuk pushoi së shkëlqyeri. Nëse çdo kafene, bar dhe park dukej se kishte futboll në TV.
Vendi gëzonte një humor jashtëzakonisht të mirë. “Përralla e verës” e afro dy dekadave më parë, zë një vend kaq të dashur në kujtesën kolektive, saqë do të ishte e vështirë të rivalizohej edhe me kohët e tjera më të mira. Por ”Euro 2024”, nuk po vjen në kohën më të mirë për mikpritësit e këtij turneu. Sepse në Gjermani nderet aktualisht një atmosferë të ngarkuar me tensione politike, frikë dhe pesimizëm. Fillimi i shkëlqyer, me një fitore të thellë të skuadrës gjermane ndaj Skocisë të premten, ofroi disa shenja se sa transformues mund të jetë futbolli për gjendjen psikologjike të një kombi. Por fitore të tilla spektakolare duhej të vazhdojnë, për ta nxjerrë vendin nga gjendja e keqe ku ndodhet.
Elementi që e bëri Botërorin e 2006-ës një moment kaq të rëndësishëm, është mënyra se si gjermanët u mburrën me flamurin e tyre trengjyrësh, pa frenimet e zakonshme që vijnë nga rritjanë një vend që e ka në ndërgjegjen kolektive Nazizmin, luftën më vdekjeprurëse të njerëzimit dhe Holokaustin.
Flamuri gjerman ishte kudo: i vizatuar në fytyrat e njerëzve, i varur në shtëpitë e tyre apo teksa valëvitej nga xhamat e makinave. Ky “patriotizëm partiak” siç e quajti media në atë kohë, ishte ende i diskutueshëm dhe i debatuar. Megjithatë presidenti i atëhershëm Horst Këler e miratoi atë sjellje duke thënë:” Jam i lumtur që nuk jam më i vetmi me një flamur gjerman në makinën time!”.
Por viti 2006, ishte një periudhë kur debati mbi nivelin e nacionalizmit, dukej më tepër si një argument intelektual dhe jo si një argument shumë delikat. Diskutimi u mbajt nën kontroll nga një stabiliteti politik relativ. Angela Merkel ishte në vitin e parë si kancelare. Kristiandemokratët e saj formuan një Koalicion të Madh me Social Demokratët, me rreth 70 për qind të votave të mbledhur bashkë. Alternativa për Deutschland (AfD) do të formohej pas 7 vitesh. Në rast se Merkel, një ish gjermano-lindore dhe udhëheqëse e partisë më të djathtë në parlamentin gjerman, kënaqej me pak “patriotizëm partiak”, atëherë pse të mos e bënin të gjithë të tjerët?
Pas 18 vitesh, debati mbi atë që nënkupton patriotizmi në Gjermaninë moderne, ka fituar më shumë ngarkesë politike. Për shembull zëvendës/kancelari Robert Habek i Partisë së Gjelbër, është sulmuar në mënyrë të përsëritur pse nuk ka treguar besnikëri të mjaftueshme ndaj shtetit.
Në një libër të botuar para se të merrte një post në qeverinë federale, ai shkroi:”Unë e kam parë gjithmonë patriotizmin, pra dashurinë për atdheun, si diçka të pështirë. Gjermania nuk do të thoshte asgjë për mua, dhe ende sot nuk ka ndonjë domethënie”.
Kjo shprehje bëri bujë sërish, kur Habek refuzoi të këndonte himnin kombëtar në një aktivitet publik në parlamentin gjerman vitin e kaluar. Politikanët e AfD-së dhe të tjerë e quajtën një “urrejtës të Gjermanisë”. Ky është një nga shembuj e shumtë që sugjerojnë se Gjermania mund të jetë më pak e qetë me veten sot sesa në vitin 2006.
Gjatë “Euro 2024”, flamuri kombëtar është vendosur sërish në qendër të debatit. Kur u bë publike se policia gjermane nuk do të lejohet të shfaqë flamuj gjermanë gjatë turneut, pasi kjo do të ishte një shkelje e neutralitetit të tyre, kundërshtarët e kësaj mase nxituan të theksonin se ngjyrat e ylberit (simboli i komunitetit LGBT) ishin ende të lejuara.
Në një kthesë të madhe të ngjarjeve, Ministrja e Brendshme Nancy Faeser, anuloi ndalimin e përdorimit të flamurit për policinë federale një ditë para fillimit të turneut, duke argumentuar se “oficerët tanë qëndrojnë prapa ekipit gjerman”.
Në dritën e rezultateve të zgjedhjeve evropiane në Gjermani të dielën e kaluar, në të cilat AfD mori shumë vota, ka të ngjarë që kjo të ishte edhe një përpjekje për të zbutur disi ndarjet e thella në shoqërinë gjermane. AfD e kishte quajtur më herët “absurd” ndalimin e përdorimit të flamurit kombëtar nga policia.
Cilatdo qofshin arsyet, një gjë është e qartë: Ndërsa flamuri që valëvitej në vitin 2006 u konsiderua nga shumë njerëz si një shenjë e unitetit gjerman gjithnjë në forcim, në vitin 2024 ai është shndërruar në një simbol që ndan. Ngjyrat e flamurit kombëtar do të vishen – ose do të shmangen – me më shumë vetëdije.
Një gjë tjetër që ka ndryshuar dukshëm që nga viti 2006, është frika e Gjermanisë nga dhuna serioze në ngjarjet masive. Në vitin 2006, shumë gjermanë ndjenin ende se terrorizmi kishte ndodhur diku tjetër, në SHBA, Britani, Francë apo Spanjë, por jo në Gjermani.
Ngjarjet e mëvonshme si sulmi terrorist të tregun e Krishtlindjeve në Berlin 2016, sulmet seksuale të Vitit të Ri 2015-2016 në Këln, apo dhuna në rritje kundër politikanëve dhe figurave publike në muajt e fundit, e kanë shuar frikën se hapësirat publike mund të mos jenë më të sigurta.
Në një sondazh të kohëve të fundit, vetëm 14 për qind e njerëzve thanë se kishin pak shqetësime për sigurinë në stadiumet e futbollit gjatë “Euro 2024”. Rreth 42 për qind thanë se kishin shqetësime “të mëdha” ose “shumë të mëdha”. Gati gjysma ishin të shqetësuar për sulme të mundshme terroriste gjatë evropianit.
Edhe autoritetet janë shumë nervoze. Në fillim të kësaj jave, pati raporte se policia gjermane pret deri në 500 huliganë serbë që synojnë të shkaktojnë dhunë në ndeshjen e sotme të ekipit të tyre kundër Anglisë. Ndeshja tani klasifikohet si “me rrezik të lartë”.
Policia po përpiqet të bëjë atë që ka mundësi, duke u stërvitur për menaxhimin e përleshjeve masive, si dhe duke bashkëpunuar me afro 600 oficerë policie nga të gjitha vendet pjesëmarrëse në turne. Por tensioni është i dukshëm. Shumë analistë gjermanë besojnë ende se një paraqitje e mirë nga ekipi kombëtar, mund t’i japë fund zymtësisë së përgjithshme.
Ndërsa gjermanët nuk fituan dot në vitin 2006, ata arritën të kalonin në gjysmëfinale ku humbën përballë Italisë. Asokohe kishte një vrull të mjaftueshëm për të krijuar një besim të vërtetë tek fitorja dhe atmosfera ishte entuziaste. Edhe mërzia e dukshme pas skualifikimit në gjysmëfinale, nuk e zvogëloi për disa kohë besimin e përgjithshëm mbi aftësitë futbollistike të Gjermanisë.
Tek e fundit, kombëtarja e fitoi sërish Kupën e Botës në vitin 2014. Por eleminimi i hershëm nga Kupa e Botës 2018 gjatë fazës së grupeve, i dha një goditje serioze dhe të përhershme besimit gjerman. Kjo ishte hera e parë që ndodhte për kombëtaren. Pastaj ndodhi sërish në Kupën e Botës 2022, dhe në Euro 2020, kur Gjermania u eliminua në 1/16-at.
Ndaj nuk e habitshme pse gjermanët janë kaq pak entuziastë për turneun këtë vit. Sondazhet sugjerojnë se vetëm 1/3 e popullsisë mezi e priste turneun. Dhe vetëm një në pesë gjermanë, beson se Gjermania do ta fitojë kampionatin. Në dritën e atmosferës së tensionuar në Gjermani dhe ndjenjës së përgjithshme të zymtësisë, do të doja të besoja se futbolli mund të japë njëfarë qetësie dhe emocioni siç bëri në vitet e mëparshme.
Por nuk jam i vetmja që jam skeptike. Në një sondazh, vetëm 28 për qind e njerëzve besojnë se ky vit do të prodhojë një “përrallë” tjetër të jashtëzakonshme për Gjermaninë. Frika se kjo verë mund të jetë e paharrueshme për të gjitha arsyet e gabuara, varet si një re e zezë mbi kampionatin që sapo ka nisur.
Shënim :Katja Hoyer, është historiane anglo-gjermane. Libri i saj i fundit titullohet “Përtej Murit: Gjermania Lindore, 1949-1990”.