Kreu i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati, është arrestuar të premten në zyrat e kësaj organizate në Prishtinë nga pjesëtarë të Misionit Evropian për Sundimin e Rendit dhe Ligjit (EULEX).
Gucati është parë duke dalë nga zyrat e OVL të UÇK-së dhe duke hyrë në veturën e EULEX-it.
Lajmin e ka konfirmuar edhe avokati i kësaj organizate, Tomë Gashi, përmes një postimi në Facebook.
Ai ka shkruar se Gucati do të transferohet në Hagë, ndërkohë që bastisjet nga EULEX-i në zyret e OVL të UÇK-së po vazhdojnë.
Ende nuk dihen arsyet prapa arrestimit të Gucatit.
Në vendin e ngjarjes janë parë edhe pjesëtarë të Policisë së Kosovës.
Kjo vjen një ditë pas arrestimit nga Zyra e Prokurorit të Specializuar më 24 shtator 2020, të Salih Mustafës, njërit prej themeluesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në zonën e Llapit.
Shoqata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, tri herë në javët e fundit, ka njoftuar se një person anonim ka dorëzuar tek ajo “mijëra dosje që përmbajnë emrat dhe adresat e dëshmitarëve”. Këto dokumente, sipas saj, janë nga Haga. Pas çdo dorëzimi, udhëheqësit e Shoqatës kanë mbajtur konferencë për media, ku gazetarëve u është lejuar t’i marrin ato dokumente. Pas çdo konference, dokumentet janë konfiskuar nga hetuesit në Hagë.
Përmbajtja e tyre është e panjohur dhe ende nuk është konfirmuar nëse ato janë autentike.
Të martën, Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë ka thënë se disa aktivitete në të cilat është përfshirë Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës “kanë për qëllim të minojnë administrimin e drejtësisë në mënyrë të duhur“. Kjo zyrë po ashtu ka thënë se “është e angazhuar për të hetuar dhe ndjekur penalisht, me forcë, individë që kryejnë krime të tilla, që përfshijnë publikimin e identitetit të individëve që mund të thirren para gjykatës apo të ndonjë informacioni që mund të çojë në identifikimin e tyre”.
Gjykata e Kosovës e përbërë nga Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Specializuar e Prokurorisë në Hagë, është formuar me insistimin e bashkësisë ndërkombëtare dhe financohet kryesisht nga Bashkimi Evropian.
Gjykata është themeluar me vendimin e Kuvendit të Kosovës pas raportit të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, në të cilin senatori zviceran Dick Marty flet për krimet e pretenduara “të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ndaj pakicave etnike dhe rivalëve politikë“, që nga janari i vitit 1998 e deri në dhjetor të vitit 2000. /REL/