Nga Bardha Nergjoni
Pakkush do ta mendonte se mes psikologjisë dhe rritjes së kërmillit ka një urë lidhjeje. Ervin Hajdaraga e ka krijuar këtë urë dhe tashmë përgatitet për një fazë të konsoliduar të kultivimit të këtij lloj butaku. Mes profesionit të psikologut në QSUT dhe pasionit për këtë sipërmarrje, Ervini ka shuar kureshtjen e tij duke rritur kërmij. Në këto ditë të ftohta ai gjendet në fermën e tij në Sukth të Tiranës, që temperaturat mos e shkatërrojnë atë që ka ndërtuar për 3 vjet me pasion dhe përkushtim. Këtë vit, siç edhe tregon, do të marrë frytet e investimit. Ferma “Elix Snail” e merr emrin nga një lloj kërmilli i kultivuar që përdoret mjaft në kuzhinë. Edhe vetë Ervini është kthyer në një kuzhinier duke gatuar receta mjaft interesante me kërmij për veten dhe miqtë. Kjo fermë është një investim i sigurt, pasi krijesat e vogla zvarritëse nuk kërkojnë ndonjë përkujdesje të veçantë, veç krijimit të një ambienti për t’u rritur dhe ushqyer. Kërmilli është tërësisht bio, i parrezikuar nga sëmundjet, rritet pa koncentrate dhe pesticide. Por si çdo gjë tjetër, edhe ky butak i ka disa sekrete. Mbi fermën e tij të kërmijve, sekretet në rritje e gatim si dhe për këtë këtë sipërmarrje të rrallë, Ervini flet për tesheshi.com…
Ervin, ju punoni në QSUT por ndërkohë keni edhe një aktivitet krejt të ndryshëm nga profesioni. Si ju erdhi ideja për të krijuar një fermë për rritjen e kërmijve dhe përse pikërisht kërmij? Ka ndonjë arsye me kuptim emri Elix Snail?
Ndonjëherë edhe pa arsye disa ide na ngacmojnë më shumë se të tjerat. Mbase janë në kompleks arsyet që të çojnë në këtë zgjedhje. Nuk e di por sapo dëgjuam për kultivimin e kërmijve patëm interes. Ishim nisur një ditë për peshk unë dhe ortaku im dhe në kthim po na zinin sytë shumë toka të pambjella. Bujqësia na u duk sfidë dhe na ngacmoi shumë. Ideja e kërmijve u bë realitet sepse atmosfera e të kultivuarit kërmij të lejon të bashkëpunosh shumë me fermat e tjera. Konkurrencë nuk ka midis kultivuesve sepse tregu jashtë është shumë i madh. Unë kam dashur të merrem gjithmonë me diçka të veçantë dhe e kam gjetur. Kërmilli është Helix Aspersa Muller. Është një kërmill shumë i veçantë dhe për këtë arsye emri i kërmillit i është vendosur dhe fermës.
Si i mësuat teknikat e rritjes së kërmijve?
Eksperiencën e morëm nga bashkëpunimi me një fermë tjetër e cila kishte pak kohë që ishte krijuar, por dua të theksoj se partneriteti kryesor është me Italinë. Për teknikën kishim kohë. Në ditët e para ishim si të habitur dhe fakti që po punonim tokën për herë të parë dhe që nuk e kishim menduar se do merreshim ndonjëherë. Jo vetëm që dukej interesante por kurioziteti hap pas hapi po na intrigonte. Fillimisht bëhet fjalë për punimin e tokës dhe konstruksioneve për të rrethuar vendin. Kishim kohë mjaftueshëm për t’u informuar dhe për të lexuar manualet.
A keni hasur vështirësi dhe do t’ja sugjeronit të tjerëve rritjen e kërmijve dhe kush ju ka mbështetur më shumë në këtë sipërmarrje? Njihni të tjerë që kultivojnë kërmij në Shqipëri?
Vështirësi ka, por nuk është asgjë përpara kënaqësisë që të jep. Bujqësia në këtë rast dhe blegtoria nuk janë gjithmonë në dorën tonë. Shkaqet natyrore bëjnë punën e tyre. Sikur çdo gjë të ishte perfekt dhe të gjitha kushtet e rritjes së kërmillit të ishin perfektë, përsëri do dilte diçka. Gjithsesi ne jemi çdo ditë të angazhuar që çdo gjë të shkojë sa mirë. Patjetër që ia sugjeroj të tjerëve dhe sidomos të rinjve, sepse është punë që kërkon energji. Si në çdo rast tjetër kur diçka ka ndezur një pasion, je i detyruar ta ndash me të tjerët. Njoh edhe persona që merren me këtë gjë dhe e theksova më lart që është një biznes që ndez dhe një ndjenjë bashkëpunimi.
Kërminjtë që rrisni në fermën tuaj quhen të kultivuar apo të egër?
Kërminjtë tanë janë të kultivuar. Ata të egrit njihen si Helix Lucorum dhe përveçse kullosin ku të gjejnë ushqim, mishi i tyre nuk ka asnjë vlerë ushqimore. Rastis që në një familje të madhe kërmijsh Helix Aspersa ka vlera të mëdha ushqimore dhe përdoret në restorantet më të mira europiane pikërisht për këtë fakt. Madje janë edhe dietikë pasi në shumë raste përdoren nga dietologë.
Ka ndonjë sekret rritja e tyre?
Kërmijtë janë krijesa hermafrodite, sepse nuk kanë ndarje të organeve seksuale. Gjithçka fillon me ndërtimin e maternitetit i cili duhet të jetë gati në muajin qershor-korrik, kur hidhet rasati i kërmillit. Ndaj, rasati, ose kërmilli fillestar Elix Snail, është siguruar falë një kontrate me partnerët italianë, të cilët kanë ofruar edhe bimët, rrjetat, por edhe tregun e shitjes. Duhen të paktën 18 muaj që një kërmill të kultivohet në madhësinë e duhur. Kërmilli krijon një buzë në guackën e tij, e cila është e rrethuar nga një vijë e bardhë. Kjo tregon se ai është gati për konsum. Një kërmill rritet deri në 12 gram, bashkë me guackën. Bimët me të cilat ushqehen kërmijtë janë lakër dhe panxhar, karotë dhe çikore, të cilat duhet të rriten deri në lartësinë 25 cm gjatë pranverës. Kur kërminjtë dalin nga toka në mars, ata janë shumë të uritur. Kultivimi është i matshëm, sepse hidhen rreth 22 kokrra kërmij për metër katror. Kështu, në një sipërfaqe prej 1 ha e 7 dynym mund të marrësh rreth 14 tonë kërmij. Kërmilli riprodhohet 1 herë në vit dhe vezët e tij janë me ngjyrë të bardhë dhe ngjasojnë si kokrra natriumi. Çdo vit parcelat e maternitetit duhet të zëvendësohen, sepse procesi i “maternitetit” është shumë intensiv, duke dëmtuar cilësinë e tokës. Ndaj, parcelat ndryshojnë vit pas viti. Sapo nis të ftohet moti, në nëntor, kërmijtë futen nën tokë, ndërkohë që parcelat duhet të mbillen me panxhar, lakër, e çikore.
Sekreti i rritjes së kërmillit është brenda vetes tende. E them këtë sepse të gjitha udhëzimet janë aty dhe çdo gjë merr formë. Por në veten tënde duhet të gjesh dëshirë, vullnet dhe më e rëndësishmja, durim.
Keni si qëllim të keni markën tuaj të kërmijve?
Jam i sigurt që pasi të kem vënë prodhimin në rrugën e duhur, do jem prezent me markën dhe produktet nga ferma jonë.
Çfarë vlerash ka konsumi i një kërmilli? Sa të shëndetshëm janë?
Vlerat i gjen lehtë në internet pasi janë shumë. Mjafton të shkruash llojin e kërmillit.
I gatuani dhe konsumoni vetë në familje?
I gatuaj shpesh dhe provoj receta të ndryshme. Nuk kam shumë kohë në fakt por mundohem në disa raste të gatuar pjata shumë të mira;. Shijen e kërmijve e kam qejf pikante pasi shkon shumë. Mua vetë më pëlqen.
Keni gjetur treg deri tani për aq sa keni arritur të rrisni në fermën tuaj?
Ky do jetë viti i parë që do tregtojmë në Itali pasi kemi kryer të gjitha marrëveshjet. Më parë ka qenë pak i ç’orientuar si treg por ja kemi dalë. Mua personalisht më pëlqen shumë tregu shqiptar prandaj do mundohem ta zhvilloj këtu biznesin dhe ja kam dalë disi. Shqiptarët dinë dhe duan të konsumojnë kërmij. Ka qenë traditë e jona e hershme por e harruar tashmë.
Kur i parashikoni të ardhura të leverdisshme nga ky produkt?
Them se pas këtij sezoni do të jemi shumë mirë.
A jeni në kontakt me restorante në Tiranë? A gatuhen këtu tek ne?
Kemi arritur të fusim konsumin e kërmillit në disa nga restorantet më të mira dhe gatimet që ata bëjnë me to janë speciale pasi ne kemi shefa kuzhine shumë të mirë. Jemi duke punuar akoma dhe pas pak kohësh do të kemi dhe shumicën e restoranteve që gatuajnë kërmillin Helix Aspersa Müller. /tesheshi.com/