Shqipëria duket që po shkon në një process me rreth 20 përqind më pak votues se katër vjet më parë.
Sipas të dhënave që janë shpërndarë nga KQZ, deri në orën 15.38 kanë votuar 27.77 përqind e zgjedhësve në të gjithë Shqipërinë.
Qarku me numrin më të madh të pjesëmarrjes deri tani është Kukësi me 32%, ndërsa Vlora është qarku me pjesëmarrjen më të ulët.
Tirana është në nivele më të ulëta se vitit 2013 ku votoi deri në këtë orë 35%, ndërkohë që deri tani në kryeqytet kanë hedhur votën 30% e të regjistruarve.
Kjo situatë ka alarmuar dhe kryeministrin Edi Rama, i cili, në dy mesazhe në rrjetet sociale ka bërë thirrje për pjesëmarrje.
“Kujtdo nga ju që s’është sot në Shqipëri i lutem ngri telefonin! Nxiti të votojnë familjarët, fqinjët, miqtë të njohurit e tu këtu në atdhe.
Mungesa është gjithnjë gabim! Vota sot vlen më shumë për ty, ne, Shqipërinë! Qentë le të lehin, karvani, forca përpara! Të gjithë për Shqipërinë”, shkruan shefi i mazhorancës në postimin tjetër.
Ndërkaq, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka dalë me një deklaratë ku ka përçuar tre mesazhe: një për komisionerët, një për klasën politike dhe një tjetër për qytetarët.
Vetë kreu i KQZ-së, Klement Zguri doli rreth orës 15:00 dhe mesazhi i parë i tij në deklaratën për mediat ishte për komisionerët:
“U bëj thirrje komisionerëve dhe thirrja ime është e drejtpërdrejtë për ta dhe u kujtoj që ligji elektoral dhe Kodi Zgjedhor parashikon ndëshkime të rënda për çdo person që cenon procesin zgjedhor”, tha ai.
Mesazhi i dytë ishte për qytetarët dhe institucionet ligjzbatuese:
“Jam këtu për t’u bërë thirrje qytetarëve që të shmangin incidentet që kanë lidhje me mbarëvajtjen e procesit zgjedhor. U bëj thirrje institucioneve që të ndjekin dhe marrin masa për të garantuar proces të lirë, të ndershëm dhe transparent”, deklaroi ai.
Mesazhi i fundit i kreut të KQZ-së ishte ai drejtuar klasës politike, ndoshta nisur nga deklarata e ish-kreut të LSI-së Ilir Meta nga Lezha:
“Liderët politikë të respektojnë ligjin, përkatësisht nenin 77-të të Kodit Zgjedhor, ku thuhet se heshtja zgjedhore respektohet deri në orën 19:00”, deklaroi ai.
Zguri tha se KQZ garanton të gjithë zgjedhësit dhe qytetarët se procesi ndiqet hap pas hapi nga ky institucion në rang vendi.
Por ditën e sotme duket se peshën më të madhe e ka pasur edhe Fiter Bajrami, që është një kremtim mbarëpopullor dhe mjaft familjar në Shqipëri.
Një pjesë e qytetarëve e ka llogaritur që votimet t’i bëjnë pas të gjitha kremtimeve apo zijafeteve familjare për Fiter Bajram. Gjithsesi duhen pritur orët e mbrëmjes për të parë trendin e votuesve, nëse do jenë në ngritje apo rënie. Përvojat e zgjedhjeve të fundit kanë treguar se mbrëmja ka patur flukse votuesish, referuar tejkalimit të orarit zyrtar të mbylljes së qendrave të votimit me gati 2 orë.
Duhet kujtuar me këtë rast si i vetmi faktor politik që ka bërë thirrje për bojkot, është Koço Kokëdhima. I defaktorizuar politikisht, ai ka tentuar një ekzistencë politike duke dalë kundër rrymës. Por nuk besohet që pjesëmarrja e ulët të jetë për efekt të apelit të Kokëdhimës. Ka plot arsye, shumë të kuptueshme, se pse njerëzit nuk kanë marrë mundin për të votuar. /tesheshi.com/