Edward Joseph, profesor në Universitetin Johns Hopkins në Uashington, thotë se në takimin e 12 korrikut midis Kosovës dhe Serbisë mund të priten hapa, të tillë si përmirësimi i tregtisë apo rritja e investimeve. Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ai thotë se nuk sheh shteg drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe të detyrueshme. Joseph thotë se aktakuza e paraqitur kundër presidentit Hashim Thaçi është serioze dhe e ndërlikon tutje përfaqësimin e Kosovës në dialog. Sipas tij, arkitektura që ka ngritur Shtëpia e Bardhë rreth presidentit Thaçi është shembur.
Zoti Joseph, Kosova dhe Serbia duket se kanë një javë të ngarkuar përpara. Më 10 korrik, udhëheqësit e dy vendeve do të takohen virtualisht me ndërmjetësimin e presidentit të Francës, Emmanuel Macron, dhe të kancelares gjermane, Angela Merkel. Ndërkaq, dialogu i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian do të rinisë më 12 korrik. A mund të presim hapa më të qartë drejt një zgjidhjeje në marrëdhëniet midis dy vendeve?
Është një pyetje e mirë. Por, duhet të ndahet ajo që thoni. Ju thoni hapa dhe pastaj zgjidhje. Le t’i ndajmë. Hapa natyrisht se mund të presim. Mund të presim shumë të tillë, madje edhe pozitivë. Por, a mund të presim hapa që realisht do të çojnë në një zgjidhje, një zgjidhje të vërtetë? Mendoj se kjo është e pamundur. Tash për tash nuk shoh shteg për ndonjë zgjidhje përfundimtare.
Cila pritet të jetë çështja më urgjente në tryezën e bisedimeve, marrë parasysh se palët nuk janë takuar qysh në fund të vitit 2018?
Mendoj se do të shohin mënyrat për rindërtimin e besimit dhe për disa përmirësime konkrete. Zëdhënësi [i Bashkimi Evropian] e tha që ‘ne duam që (dialogu) të çojë në një marrëveshje gjithëpërfshirëse detyruese’, që do të zgjidhë problemin rreth Kosovës. Ky është qëllimi, kjo është e nevojshme, por a ka shteg drejt kësaj? Nuk jam i sigurt. Shpresoj dhe pres të ketë disa hapa pozitivë, që janë të mirë, edhe nëse nuk i çojnë palët konkretisht në një zgjidhje.
Cilët janë këta hapa, a mund t’i elaboroni më shumë?
Janë disa hapa. Mund të lëvizin në drejtim të rritjes së tregtisë. Kjo është sigurisht një mundësi. Ky është një vizion që ka pasur edhe Richard] Grenell (i dërguari i Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovë-Serbi). Është mirë të përmirësohen tregtia dhe investimet. Pastaj, janë hapat që kanë ngecur në dialogun ekzistues. Le të kthehemi prapa këtu. Ky dialog nuk është i ri, ka nisur në vitin 2013 dhe ka dalë nga një bashkëpunim shumë i ngushtë diplomatik midis SHBA-së dhe BE-së. Kjo edhe ka çuar në Marrëveshjen e Brukselit më 2013. Por, problemi është se procesi, hap pas hapi, ka ngecur. Dhe, ka shumë hapa konkretë praktikë që mund të bëjnë ndryshime në jetën e njerëzve, që mund të adresohen, që do të ishin pozitivë dhe do të përmirësonin atmosferën dhe potencialisht marrëdhëniet. Por, a e arrijnë ata atë që BE-ja ka thënë se është qëllim: marrëveshjen gjithëpërfshirëse dhe detyruese? A arrihet kjo? Unë nuk e shoh shtegun drejt saj, ndoshta të tjerët po, por unë nuk shoh shteg.
Kosova është e vendosur që të mos flasë për integritetin territorial dhe thotë se po hyn në këtë proces për njohje. Nga ana tjetër, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, thotë se Serbia nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës. Ku e shihni kompromisin midis dy palëve?
Nuk e shoh. Dhe ky është problemi. Nuk shoh kompromis. Duhet theksuar se nuk është vetëm pala e Kosovës që ka thënë se nuk ka kompromis për integritetin territorial. Edhe i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian, Mirosllav Lajçak, e ka thënë këtë. Edhe shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, i cili do të jetë nikoqir i takimit, e ka përsëritur këtë. Pra, jo vetëm pala kosovare thotë se nuk ka kompromis për integritetin territorial. Këtë e thonë edhe ndërmjetësuesit. Çështja tani është te Beogradi. Çfarë do të pranonte Vuçiq dhe përse do ta pranonte? Le të kujtojmë se atij i është ofruar territor nga udhëheqja e mëparshme e BE-së. Duhet të pyesni se përse do të pranonte diçka më pak tani.
Përse?
Nuk kam përgjigje.
Pra, ku është qëllimi i dialogut?
Qëllimi është ai që e kanë deklaruar. Qëllimi është shumë serioz dhe i duhur. Mendoj se është pozitive dhe inkurajuese që BE-ja i ka vendosur këto standarde dhe kritere shumë të larta për qëllimin, që është zgjidhja gjithëpërfshirëse dhe detyruese e kësaj mosmarrëveshjeje. Ata mund të kenë thënë se duam proces të diskutimeve, por nuk e kanë thënë; ata kanë bërë thirrjen e duhur për qëllimin. Pyetja është: cila është rruga? Si e arrini atë qëllim?
Dhe, si e shihni ju zgjidhjen e këtij problemi?
Të gjitha kryeqytetet që janë vërtet të shqetësuara për këtë çështje, duhet t’ia bëjnë vetes këtë pyetje seriozisht. Rreziku i këtij dialogu është të keni iluzionin e një procesi dhe të keni iluzionin e përparimit. Në fakt, mund të ketë ca përparim në aspektin e përmirësimit të marrëdhënieve tregtare dhe kjo duhet inkurajuar. Çdo gjë që mund t’i përmirësojë marrëdhëniet, t’i zvogëlojë tensionet, të përmirësojë ekonominë, të përmirësojë tregtinë, të krijojë vende pune, është e mirë, është pozitive dhe duhet të inkurajohet nga të gjithë. Por, a i përgjigjen këto pyetjes themelore që ju shtruat? Nuk jam i sigurt që po, nuk jam i sigurt që çojnë në arritjen e qëllimit përfundimtar.
Si e shihni përfaqësimin në dialog? Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka shumicën në Kuvend me vetëm një ulëse më shumë, ndërsa Vuçiq ka festuar fitoren e bindshme në zgjedhje vetëm pak javë më parë. A luan kjo ndonjë rol?
Mendoj se është një faktor shtesë ndërlikues dhe është shumë serioz. Ju keni dy aspekte këtu. Nuk ka vetëm çekuilibër dhe mospërputhje në aftësitë e secilës palë për të negociuar. Nuk ka të bëjë vetëm me shumicën me një ulëse. Prishtina ka tani aktakuzën ndaj presidentit Hashim Thaçi [v.j. aktakuza për krime lufte është paraqitur nga Zyra e Prokurorit Special, por nuk është konfirmuar nga gjykatësi i procedurës paraprake]. Kjo situatë hedh hije mbi politikën e Kosovës. Kjo situatë e ndërlikon shumë aftësinë e kryeministrit Hoti për t’u angazhuar në dialog dhe negociata serioze. Pra, ekziston një klimë shumë e pasigurt politike në Prishtinë dhe kjo e bën edhe më të vështirë për kryeministrin Hoti. Nuk do të thotë se nuk do të diskutohet asgjë, nuk do të thotë se nuk do të arrihet pajtim për asgjë, por sigurisht që është një ndërlikim shtesë.
Dhe, si e komentoni faktin që presidenti i Kosovës Hashim Thaçi nuk është i ftuar në Bruksel më 12 korrik?
Kjo është normale. Kemi parë se për shkak të njoftimit për aktakuzën, ai nuk ka mundur të ndjekë takimin e planifikuar në Shtëpinë e Bardhë me Vuçiqin dhe ekipin e tij. Dhe, duke mos qenë në gjendje ta ndjekë atë takim, nuk ka arsye përse do ta ndiqte ngjarjen në Bruksel. Aktakuza, edhe pse nuk është konfirmuar, është serioze. Këto nuk janë çështje të vogla. Në një aspekt, ju mund të thoni se ai është i pafajshëm derisa nuk shpallet fajtor. Akuzat këtu janë aq serioze. Prokurori ka njoftuar se aktakuza përfshin akuza për mbi 100 vrasje. Edhe pse ajo nuk është konfirmuar, është e një natyre aq serioze saqë nuk është e mundur të kesh një lloj marrëdhënieje të drejtpërdrejtë me Thaçin.
Disa kanë thënë se publikimi i aktakuzës ka qenë i motivuar politikisht. Pajtoheni?
Do të thosha se koha e aktakuzës është një mister, për të cilin nuk kemi përgjigje. Unë dhe shumë njerëz të tjerë kemi bërë këtë pyetje dhe jemi përpjekur të gjejmë arsyetimin për këtë. Ka një varg shpjegimesh, nga ato që nuk lidhen me takimin në Shtëpinë e Bardhë, deri te teoritë që thonë se lidhen drejtpërdrejt me të. Pra, keni një sërë teorish për këtë. Dhe për mua, në këtë pikë, kjo është gjithçka që janë. Janë teori. Duhet të presim dhe të shohim se çfarë informacioni del.
Siç e thatë edhe ju më parë, aktakuza kundër Thaçit ka çuar në anulimin e takimit midis Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë. Disa e kanë përshkruar këtë si goditje mbi politikën e jashtme të presidentit amerikan, Donald Trump. Ju, si e shihni?
Mendoj se është e vërtetë. Është e rëndësishme të kuptohet përse është e vërtetë. Njoftimi për aktakuzën natyrisht se ka qenë një befasi për të gjithë, përfshirë edhe Shtëpinë e Bardhë. Por, ajo që nuk ishte befasi, ishte arkitektura e ndërtuar nga Shtëpia e Bardhë përreth presidentit Thaçi, duke përfshirë ndihmën në krijimin e presionit që ka rrëzuar kryeministrin [Albin] Kurti, me të cilin Thaçi ka qenë në mosmarrëveshje. Ne mund ta shohim këtë si një njoftim që ka ardhur nga qielli dhe fatkeqësisht e anuloi këtë ngjarje. Duhet ta shohim këtë (edhe) në aspektin e arkitekturës që është aranzhuar dhe ndërtuar krejtësisht rreth presidentit Thaçi në anën e Kosovës dhe krejtësisht rreth Vuçiqit në anën e Serbisë. Kur ndërtoni një arkitekturë të tillë dhe keni një ngjarje të tillë të papritur, ku ka elemente që duken të errëta, dhe ajo arkitekturë shembet, mendoj se karakterizimi që ju bëtë është i duhur. Kjo është një pengesë për administratën Trump. Pjesa tjetër e kësaj është se administrata e ka promovuar këtë ngjarje, duke e quajtur historike – po e citoj ambasadorin Grenell.
Tani, çështja është se çfarë do të bëjnë? Në njërën anë, ka pasur sinjale se do të ketë disa lidhje ekonomike që do të avanconin lidhjet paraprake rrugore, hekurudhore dhe ajrore. Këto janë shumë pozitive dhe të mira. Por, a është kjo historike? Kosova dhe Serbia tashmë tregtojnë. Nuk është se nuk ka tregti. Tarifat janë hequr dhe ka tregti midis vendeve. Andaj, nëse investoni në diçka dhe e quani historike dhe i përqendroni të gjitha përpjekjet rreth një personi, përfshirë ndihmën për të ndjekur kundërshtarin e tij politik, atëherë po, është një pengesë kur një aktakuzë vjen ashtu dhe ngjarja shembet.
A mendoni se SHBA-ja do të këmbëngulë në një rol udhëheqës në dialog, sepse ambasadori Grenell ka paralajmëruar se do të ricaktojë një takim së shpejti…
Kjo varet nga Shtëpia e Bardhë. Ajo ka dy zgjedhje: të përpiqet ta ringjallë këtë aranzhim me kryeministrin Hoti, jo me presidentin Thaçi, dhe të përpiqet ta arrijë atë marrëveshje ekonomike, apo çfarëdo që të ketë qenë, ose të koordinohet nga afër me evropianët dhe të mbështesë përpjekjen e evropianëve për të udhëhequr. Të dyja janë të komplikuara për Shtëpinë e Bardhë, për faktin se është vështirë të grumbullohen të gjitha pjesët e kësaj ngjarjeje dhe për faktin se administrata dhe ambasadori Grenell në veçanti ka dalë nga rruga e tij, duke i përkeqësuar marrëdhëniet me Evropën në përgjithësi dhe me Gjermaninë në veçanti. Pra, Shtëpia e Bardhë nuk është tani në një pozitë të fuqishme për të lëvizur përpara në ndonjërën rrugë. Mund të shpresohet se ajo ka mësuar nga këto gabime dhe do të përpiqet të veprojë siç duhet, duke u koordinuar me aleatët tanë evropianë për të zgjidhur këtë mosmarrëveshje. /REL/