Nga Redaksia
Zvonko Veselinoviç, i njohur si kapo i krimit në veri të Kosovës dhe i kërkuar, si nga drejtësia e Kosovës ashtu dhe dhe nga ajo evropiane EULEX, lëviz lirshëm nëpër Serbi i mbrojtur nga kryeministri Aleksandër Vuçiç. Por më tepër se kaq, ai tani ka hyrë në biznes dhe me tenistin numër 1 në botë, Novak Gjokoviçin, ka njoftuar një burim për portalin ‘tesheshi.com’.
“Zvonko Veselinoviç, tanimë i është kthyer ndërtimit duke marrë me dhjetëra miliona euro, dhe ndërmarrja e tij është duke ndërtuar rrugë në të gjithë territorin e Serbisë”, kanë njoftuar burimi konsidencial për portalin ‘tesheshi.com’.
Afër Zvonkos, është dhe i vëllai i tij, Zharko, të njohur që të dy si kapot e krimit të veriut të Mitrovicës dhe Kosovës, por njëherësh janë nga njerëzit më të privilegjuar të kreut të qeverisë serbe, Aleksandër Vuçiçit.
Kjo pasi Zvonko dhe Zharko Veselinoviç, kanë financuar dhe kanë qenë direkt të implikuar në formimin e partisë përparimtare serbe SNP (Srpske Napredne Stranke) të kryeministrit Vuçiçit në Kosovë.
Burimi thotë se: “për këtë ndihmë, kryeministri Vuçiç e ka ndihmuar Zvonkon që të dalë nga burgu dhe të lirohet nga të gjitha akuzat, në kohën kur Tomisllav Nikoliç, kryetar i partisë SNP, ka ardhur në pushtet”.
Ndërkohë që EULEX-i dhe Policia e Kosovës, që nga viti 2011 kanë lëshuar fletëarrest ndaj Zvonko Veselinoviç për sulm ndaj KFOR-it dhe për kontrabandë nafte.
“Kriminelin të cilin autoritetet policore kosovare e ngarkojnë me vepra të rënda penale të shkaktuara në Kosovë, si sulm direkt me armë zjarrin ndaj ushtarëve të KFOR-it në fshatin Jagjenicë të Komunës së Zubin Potokut dhe në pikëkalimin kufitar G1 në Jarinje të Leposaviqit, kontrabandë të naftës etj., shëtit pra i lirë në Serbi”, ka thënë burimi.
Sipas tij, afaristi kontrovers serb nga fshati Dolan i komunës së Zveçanit, Zvonko Veselinoviq, vitet e fundit ka hapur disa firma në Serbi e të cilat si veprimtari kanë ndërtimin.
“Disa nga firmat janë të regjistruara në emrin e babait të tij, Millovana Veselinoviç, ndërsa disa të tjetra janë në emër të gruas së ti,j Liljana Veselinoviç”, ka thënë burimi.
“Zvonko Veselinoviç, përkatësisht ndërmarrja e tij ‘Meteor’ është duke punuar në ndërtimin e korridorit të 10, me fondet që i ka ndarë qeveria e Serbisë”, ka thënë burimi, që shton: “sigurisht me bekimin e kryeministrit Vuçiç.
”Veselinoviç para dy muajve ka vendosur që ta zgjerojë biznesin e tij edhe në qendrën e skijimit në Kopavnik, ku ka filluar punimet në ndërtimin e një hoteli super luksoz.
Për këtë rast, burimi thotë: “Zvonko, i kërkuari pra nga drejtësia e Kosovës dhe ajo e EULEX-it për shumë vepra të rënda penale në Kosovë, ka blerë një tokë nga babai i tenistit numër 1 në botë, Novak Gjokoviç, Srgjan Gjokoviç.”
Sipas tij, Novak Gjokoviç, njihet si mik shtëpie i të dyshuarit për shumë krime në Kosovë, Zvonko Veselinoviç, të cilit i ka shitur tokën prej 30 ari, për një shumë simbolike prej 900 euro.
“Novak Gjokoviqit, këtë tokë prej 30 ari, ia ka dhuruar komuna e qytetit të Rashkës së Serbisë si qytetar i merituar dhe sportist i mirë me qëllim të ndërtimit të fushave të tenisin në këtë pushimore dimërore”, ka thënë burimi.
Megjithëatë, Novak Gjokoviç është ‘tërhequr’ nga plani i tij që në qendrën e sikjimit në Kopavnik të ndërtojë një shkollë të vërtetë tenisi.
Veseliniviç këto ditë ka filluar ndërtimin e hotelit, gjë të cilën e dëshmojnë edhe fotot e siguruar nga portali ‘tesheshi.com’.
Burimi thotë se Veselinoviç, vetëm nga kontrabanda e naftës që ka bërë në Kosovë ka fituar me miliona euro e të cilat do t`i investojë tashmë në këtë hotel, dhe i pa penguar nga askush.
Zvonko Veselinoviç është arrestuar nga policia serbe në dhjetor 2011 në qendrën e skijimit në Kopavnik, me akuzën e marrjes me dhunë të rreth 40 kamionëve të ndërmarrjes ‘EuroKop’ nga Rashka e të cilat i ka sjellë në Kosovë.
Dhe aty në burg, bëhet e ditur se Veselinoviç ka pasur një trajtim të veçantë. Dhe fjala është për burgun ushtarak të Serbisë në Beograd në rrugën “Kryengritja”. Me pas ai është liruar në dhjetor 2013.
Kapo i krimit i veriut të Mitrovicës dhe Kosovës, Zvonko Veselinoviç, edhe pse ka një fletëarrest të lëshuar nga EULEX-i, vepron lirshëm në Serbi si dhe viziton familjen në fshatin Dolane të Zveçanit.
Veselinoviç, për herë të fundit në fshatin e tij të lindjes është parë më 6 maj të këtij viti për ditën e Shëngjergjit, i patrazuar nga policia e Kosovës dhe EULEX-i.
Portali ‘tesheshi.com’, ka tentuar të marrë një prononcim nga zyrtarë të EULEX-it në Mitrovicë lidhur me fletëarrestin e lëshuar ndaj Zvonko Veselinoviçit, se a është duke e kërkuar EULEX-i nga Serbia që ta arrestojë atë dhe ta dorëzojë në drejtësinë e BE-së, por një gjë e tillë ka qenë e pamunduar. /tesheshi.com/