Në një intervistë për Radio Europa e Lirë, ish-kryenegociatorja kosovare, Edita Tahiri, ka deklaruar se pala serbe qëllimisht e ka penguar themelimin e Asocacionit, duke synuar ndarjen e Kosovës.
“Serbia tre vjet që me provokime të ndryshme nuk ka dashur ta zbatojë marrëveshjen. Dhe, mbi këtë është një strategji më e rrezikshme e Serbisë, sepse Serbia që nga viti 2016 në një mënyrë nuk ka punuar në dialog. Ka provuar që t’i hapë temat e territoreve, ndryshimit të kufijve, sepse ende Serbia mendon se ka mundësi që ta krijojë Serbinë e Madhe”, tha znj. Tahiri.
Sipas saj, tani raportet mes dy vendeve duhet të ishin në fazën e njohjes së Kosovës si shtet i pavarur.
“Kosova dhe Serbia kanë pasur tri procese paqësore në Konferencën e Rambujesë, në bisedimet e Vjenës dhe ky do të duhej të ishte proces përfundimtar që mbyll armiqësitë ndërmjet dy shteteve, por edhe ndërmjet kombeve: shqiptarëve dhe serbëve”.
“Kosova dhe Serbia, të dyja kanë dalë shtete të pavarura nga procesi i zhbërjes. Koha është që Serbia ta njohë realitetin, jo vetëm të Kosovës, por realitetin në gjithë Ballkanin dhe t’i ndalë disa skenarë neohegjomenistë, siç ka provuar pra idetë e ndryshimit të kufijve me qëllim të krijimit të Serbisë së Madhe dhe që janë të frymëzuar nga agjendat e rrezikshme gjeopolitike ruse”, deklaroi politikania kosovare. /tesheshi.com/