Edi Rama është gjendur nën “breshërinë” e sulmit të njëkohshëm nga fqinjët e tij pas dy deklaratave, një në Prishtinë e një në Tiranë.
Përveç Athinës, që e ka sulmuar qëndrimin e Edi Ramës për heqjen e ligjit të luftës me Greqinë, edhe Beogradi ka reaguar ashpër.
Ka qenë ministri për Kosovën në qeverinë e Vuçiqit, Marko Gjuriq, i cili e ka akuzuar atë se po krijon kushtet për destabilizimin e rajonit.
Beogradi i është referuar mbledhjes së përbashkët të qeverive të Tiranës dhe Prishtinës, të mbajtur në kryeqytetin kosovar, për ta akuzuar kryeministrin shqiptar.
“Në mënyrë të përsëritur po hidhen pretendimet ekspansioniste të Shqipërisë së Madhe në territorin tonë, dhe kjo është bërë pikërisht nga kryeqyteti i krahinës sonë.
Edi Rama në mënyrë serioze ka fyer popullin serb.
Me këtë deklaratë të tij, ai ka rritur tensionin në rajon, dhe në vend që të dërgojë një mesazh për pajtim dhe bashkëpunim, siç po bën Serbia, po i hedh benzinë zjarrit,” deklaroi Gjuriq, i cili i ka mëshuar lejes së kryeministrit Vuçiq për ta bërë këtë deklaratë.
Ministri, duke iu referuar vendit ku u zhvillua takimi, Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, ka ironizuar pa masë: “Rama duhet të kishte hapur librat e të mësonte mbi historinë e Kosovës, e cila kurrë nuk ka qenë pjesë e Shqipërisë.
Ka qindra mijëra libra serbë në bibliotekën e Prishtinës, dhe Rama duhej të hapte njërin prej tyre përpara se të mbante fjalimin.
Por ëndrra e tyre për një shtet, për një komb, do të mbetet vetëm ëndërr jo veç për këtë gjeneratë, por edhe për brezat e ardhshëm.”
Ndërkaq, Ministria e Jashtme Greke, nëpërmjet një njoftimi për shtyp të publikuar në faqen e saj zyrtare, i quan “të papranueshme” deklaratat e Ramës për ligjin e luftës me Greqinë.
Në njoftim shkruhet se, “Shqipëria duhet të kuptojë se kursi i saj europian varet nga zbatimi i pesë prioriteteve. Shqipëria duhet të respektojë vendimet e gjykatave dhe të mos ngrejë çështje inekzistente. Kërkohet marrëdhënie e mirë mes vendeve fqinje, të respektohen faktet historike. Marrëdhënia e mirë mes fqinjëve garanton stabilitet në rajon.”
Dy ditë më parë, kryeministri Rama tha në Kongresin e PDIU-së se kushti i Tiranës ndaj Athinës është heqja e ligjit të luftës. /tesheshi.com/