Më 29 mars 1925, në shpellën e Dragobisë të bjeshkëve të Tropojës, u vra/vetëvra Bajram Curri, një ndër veprimtarët e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Megjithëse kanë kaluar nëntëdhjetë e një vite, akoma ende sot e kësaj dite ka diskutime dhe kundërshtime për rrethanat në të cilat mori fund jeta e tij. Ndërkohë, shkaqet që e çuan Bajram Currin në këtë përfundim tragjik janë të evidentuara në dokumentet arkivore të shtetit shqiptar, një pjesë e të cilave, për arsye të ndryshme akoma nuk janë bërë publike.
Kështu që, në këtë shkrim, po sjellim në kujtesë fakte pak të njohura për Bajram Currin në ditët e fundit të jetës së tij nga dokumenta arkivore shtetërore.
Për eleminimin e Bajram Currit, me kohë forcat qeveritare kishin marrë masa duke caktuar njerëzit e besuar të pushtetit për të realizuar planet e kurdisura.
Më 9 janar 1925 në telegramin nr.21 urgjent, kryeministri dërgon komandantit të operacionit të veriut, Ceno Beg Kryeziu:
“ Curri, gjallë a vdekur duhet ta zini dhe fuqinë e tij duhet ta shkatërroni krejt, duke marrë masat që kështu të shuhet revolucioni i Kosovës e të mos përseritet ma. Batalionin e atjeshëm ta merrni nën urdhrin tuaj dhe bëtë mirë që emruet z.Bahri Begollin. Në qoftë se komandantat e kompanive nuk janë të besueshëm,autorizoheni të emëroni të tjerë besnikë. Prefekti në qoftë se u sjell pengime, ta pushoni nga detyra dhe të na lajmëroni.”
F.252,D.9,fl.7/1,Origjinal
Në telegramin nr. 42/III, datë 6 prill 1925, të prefektit të Kosovës, Hasan Kryeziu për Ministrin e Punëve të Brendshme, gjejmë dhe shumën e premtuar për informatorin që do të jepte të dhënat për vendndodhjen e Bajram Currit. Sipas këtij telegram,kjo prefekturë ka mbetur e shtrënguar me konfirmuar premtimin e bërë prej Komandantit të Përgjithshëm të Operacionit të Veriut për vrasjen e Bajram Currit, duke siguruar hetuesit që kanë me dhënë dijeni ku gjendet ai i fshehur se ka me dhënë qeveria një shpërblim 500 napolona ari. Prandaj lutemi në bazë të këtij premtimi dhe në themel të ligjës relative për vrasjen e të arratisurve, të na dërgohet kjo shumë të hollash ,citohet në telegramin në fjalë.
Në vijim të këtij telegram, më 10 maj 1925, prefekti Hasan Kryeziu do të dërgonte telegramin shifër 42/VI, ku lutej të merrej parasysh shpenzimi i bërë për qëllimin në fjalë,duke dërguar këtu të hollat prej andejmi.
Më 15 maj 1925, me telegramin shifër nr. 430/IV Res, Ministria e Punëve të Brendshme do njoftonte Prefekturën e Kosovës se të hollat në fjalë jua kemi dërgue, prandaj të kryeni formalitetet tue na paraqitë dëshmin e duhun sa ma parë.”
Shefqet Draga tregon…
Siç shkruan edhe studiuesi Dr. Veli Haklaj,prefekti i Kosovës Hasan Kryeziu, me shkresën nr. 42 Rezervat, datë 6 prill 1925, i dërgon Zyrës Sekrete të Ministrisë së Punëve të Brendshme në Tiranë kopjen e procesverbalit mbajtur mbi zënien e shokut të Bajram Currit Shefqet Dragën, i cili ndodhej ende në Krumë nga shkaku se ishte i sëmurë rëndë, i mërdhi këmbësh sa që s’mundej të qëndronte se i kishte rënë gjithë lëkura e gishtave të këmbëve.
Në Arkivin Qendror të Shtetit, fondi 342 ,Prefekturë e Kosovës, viti 1925, dosja 33, gjendet procesverbali i pyetjes së bashkëluftëtarit të Bajram Currit, Shefqet Draga, i datës 3 prill 1925, me 11 fletë, me 18 pyetje – përgjigje. Këtij dokumenti arkivor i mungojnë tre fletë, përkatësisht ato me nr. II, III dhe IV, që përmbajnë pyetje – përgjigjet II-V, kurse një pjesë e fletëve të tjera janë të dëmtuara në këndin poshtë – djathtas. Megjithatë është një dokument arkivor me shumë vlerë që hedh dritë mbi ditët e fundit të Bajram Currit, deri në momentin kur u vra nga forcat qeveritare të atëhershme, apo vrau veten që të mos kapej i gjallë. Dëshmitarët e këqyrjes së vendit të ngjarjes kanë pohuar se xhamadani i Bajram Currit u gjend i hequr dhe i vendosur disa metra larg trupit të tij të vdekur, pa njolla gjaku. Sipas të drejtës zakonore të veriut të Shqipërisë, ky gjest i tij në momentet e fundit të jetës interpretohej si mesazh për pasuesit e gjakut të tij që ta konsideronin të mbyllur konfliktin e familjes Curri me familjen Kryeziu të Gjakovës,shkruan Dr.Veli Haklaj.
Procesverbal
I mbajtun në Zyrën e Prefekturës së Kosovës më 3 prill 1926, mbi të zanunin në arrati, shokun e Bajram Currit, Shefqet Draga nga Mitrovica e Kosovës, i cili dëfton kështu:
Quhem Shefqet Draga, i lindun në Mitrovicë më 1900 mjeshtri, kur isha civil merresha me tregëti edhe që kam hy në Shqipëri në shërbim të gjindarmëris shqiptare (s’parit më 1 janar 1922 me gradën Tetar; deri në muajin tetor po të atij viti, s’dytit më 1 nëntor 1923 e deri në ardhjen në fuqi të Qeverisë legale). Shkaku i [të] dalunit tim prej gjindarmëris s’parit herë asht se unë nën komandën e rrethkomandantit të Durrësit nëntoger Ahmet Kajcen shkuem për me i shtypë rebelat e kryengritjes së marsit 1922 në katundin Sukth të rrethit të Durrësit dhe, për shtrëngimet tona bamun në popullsinë e atij katundi përmendun për zanjen të pjesës rebelizueme, Qeveria na shtrëngoj për këtë vepër tuej na qitë prej shërbimit. S’dytit kam mujt m’u futun në degën e gjindarmërisë me ndërmjetsien miqsore të ish Ministër Rexhep Mitrovicës.
Pyetje e parë –
Qeveria të këshillon për me diftue të drejtën ç’kje shkaku i arratisjes tënde; ku e bat ndejën në arrati; kush u mbajti me bukë, kush u përcuell dhe me kënd pat përpjekun në arratië? Në rast se nuk keni me rrëfye të vërtetën keni për t’u dënue nga gjyqi ushtarak me litar.
Gjegje pyetjes së parë-
Shkaku i arratisjes sime asht se kur isha Postkomandant në Postën e Bytyçit na friksojshin hallku tuj na thanë se me ardhjen në fuqi të Qeverisë së Ahmet Begut, kan me ju dorëzue në Serbi. Unë tuj kenë si i ikun prej andej kisha frikë që mos të më dëmtojnë autoritetet jugosllave. Kur asht zaptue Kruma prej fuqive Operative të Qeverisë Legale, unë tuj u ndodhun në Bytyç, si mora vesh…
Pyetja e gjashtë –
Curri te kush pretendonte në Shkodër me u mshef? Që keni shpëtue ju, mos keni kenë shok me të?
Gjegje e pyetjes së gjashtë-
Sipas fjalëve të tij merret vesh se dëshironte të shkoj të Sylçe Begu në Postribë.
Pyetje e shtatë–
Kush asht korrieri i Currit?
Gjegje e pyetjes së shtatë-
Korrier të Currit nuk kemi pa, por kur ishim te shpija e Bajraktar Salih Manit erdhi një farë Sylejman efendija Kusari nga Gjakova dhe lajmëroj Currin se Sylçe Begu ndodhet në Postribë e i arratisun.
Pyetje e tetë-
Ç’mendim kish Curri? Ç’ishte qëllimi i tij me udhëtimin në Shkodër?
Gjegje e pyetjes së tetë-
Mendimi i Currit ishte për me u përpjekun ma së parit me besnikët e tij në Shkodër për me ba një lidhje me qëllim që të mujshim me bashkue fuqi për me mësy Qeverinë Legale. Shumë herë thonte që megjithëse Ahmet Begu e zaptoj Shqipninë, në qoftë se Hysniu me shokë ka mujt me ikë për Itali s’ka për ta lanë gjendjen e sotme të qetë, po përsëri kanë me mësy.
Pyetje e nëntë-
Ç’ke shkaku i ndalimit të vijimit të udhëtimit t’uaj për në Shkodër?
Gjegje e pyetjes së nëntë-
Ndalimi i udhëtimit të Currit për Shkodër u ba se Salih Mani pruni lajmin që thonte se asht zaptue Shala, udhët janë zanë edhe s’mund të kalohet. Salih Mani erdhi te na në vendin e quajtur “Bjeshka e Ahmet Gjokaj” së bashku me Met Vejselin e … Vojvoden e Vokshit dhe prunë me vedi 30 kile mollë dhe pak djathë. Ushqeheshim gjith sa herë me bukë e kryp, ka pak djath, edhe njëherë Maxhun Nimani na ka pru mish. Ndejen e kemi ba katër javë në Bjeshkën e përmendun ku rrijshim mes dy gurëve të mëdhenj, që ishin sa me u mrojtun prej shiut. Curri kishte me vedi një baulle lëkuret, tre plafa, një jorgan, baulla ishte me tesha të veta edhe një takëm komplet për tualet. Prej të hollave kishte në një taklin e punume me dorë rruzash: një lirë Sterlinë dhe një Napulion ari.
Pyetje e dhjetë-
Si mund të jetë Curri të mos ketë të tjera të holla?
Gjegje pyetjes së dhjetë-
Si mund të jetë nuk e di, por di se kur asht largue Mehmeti Vogël i ka dhanë 2 Napuliona edhe shpeshherë i ka dhanë Bajraktar Salih Manit ka një Napulon për me ble duhan, kafe, sheqer, miell e tjera sende ç’ka gjente. Atë ditë që asht vra Curri s’ka pas ma pare veç një lirë sterlinë e një napulion, si thashë edhe ma parë.
Pyetje e njëmbëdhjetë-
Mbas ndejes suej në Bjeshkën e Ahmet Gjokaj ku shkuet?
Gjegje pyetjes së njëmbëdhjetë-
Mbas katër jave ndejes në Bjeshkë, gjysmë ore larg kësaj së parës, [në një vend] që quhet “Bjezhgëz”, aty kemi ndejtë tre javë Curri, unë, Bajraktar Salih Mani, Abdi Bajrami, Adem Bajrami, Rexhep Abdullahi, Met Vejseli.
Pyetje e dymbëdhjetë-
Maxhun Nimani, Ymer Hoxha e Abdullah Syla a ndodheshin me ju edhe nëse jo [a] dini se ku ndodheshin ata?
Gjegje e pyetjes së dymbëdhjetë-
Maxhun Nimani ka ardhur shumë herë me ne edhe ka ndejt. Ymer Hoxhën se kam pa ndonjë herë, … Abdullah Sylën ç’kem dalë në mal se kam pa asnjëherë.
Pyetje e trembëdhjetë-
Në Bjezhgëzen me ç’ka ushqeheshit, kush u siguronte bukën, çfarë vendi ishte ai që rrishit, kush vinte me u pa me ju edhe çfarë lajmesh ju vinin aty dhe ç’ka fliste Curri, cili ish mendimi i tij?
Gjegje pyetjes së trembëdhjetë-
Në Bjezhgëzen ushqeheshim me buk misri të cilin e piqshim nevet në një çerep të vogël edhe shpeshherë bajshim kaçamak. Shpeshherë ngjante që me na mungue edhe buka e misrit edhe kaçamaku. Kur këto na mungonin, vendin e tyne e zijmë (zëvendësojmë) me ujë të ngrohtë sa për me mujt me mbajt shpirtin edhe më bjen ndër mend një herë na asht marrë zani ús (prej urije-V.H.). Bukën (misrin) na binte Maxhuni dhe Rexhep Abdullahi. Shkaku i mbetjes tonë pa miell misrit ishte se binte borë edhe Bajram Begu nuk i lente me u largue në ditët që binte borë vetëm që [të] mos njifshin gjurmët e mos të na hetoj kush. Ndeja e jonë aty ishte në një gur të madh, një faqet, kështu që gjysma e atij vendi ishte e hapun të cilën e mbyllnim me plafat që kështu për mos me u dukë flaka natën. Aty nuk lente Bajram Begu me ardhë asnjë njeri me na pa për me e mbajt në ma të madhen msheftësi vendin. Lajme s’kishim kurrfare prej kërkah, por vetëm na diftojnin shtrëngimet e nëntoger Kadri Mehmetit në Krasniqe. Në këtë vend shifej në Currin një mërzi e dishprim i posaçëm, as një send nuk fliste. Më vjen ndër mend se në një rast i thanë Currit se Serbia dishron ty me të marrë në dorë dhe me të lanë të lirë. Në ket Curri përgjegji se preferoj vdekjen në Shqipni se sa jetesën ma të mirë në Serbi. Mbas kësaj here nuk asht zanë ma në gojë të shkumunit në Serbi …
Pyetje e katërmbëdhjetë-
Mbas nisjes tuej në Bjezhgëzen tre javë ku shkuat?
Gjegje pyetjes së katërmbëdhjetë-
Mbas Bjezhgëzes kemi shkue në vendin që u vramë e u zumë, të quajtun Gomurë. Para zanjes tonë dy javë që kemi shkue në kët vend.
Petje e pesëmbëdhjetë-
Na diftoni të drejtën ç’ishte plani i Bajram Currit me nisjen e tij në mal; këtu si e siguruet ushqimin; kush vinte me u përpjek me ju dhe përgjithësisht me [ç’]llafe e kalojshi tërë kohën tuaj?
Gjegje pyetjes pesëmbëdhjetë-
Cili ishte plani i tij bash mirë nuk e di se, kur kishin ndonjë send me randësi e të msheft, llafoseshin tinzë nesh Curri me Bajraktarin e delshin gjithë saherë jashta shpellës. Me bie ndër mend se një herë më diftoi se me të dalun dushku do të rregullojm postën dhe për këto pat porosit një herë Maxhunin për me ble një kali se thonte që si të merremi vesh me Shkodër na vinë edhe paret. Dy ditë para se u zumë çoi Maxhunin me Rexhepin në Krasniqe tuej ju dhanë një napul. për me ble letra shkrimi, një laps; dy pal çorapë e tri pal opanga. Një herë isha tuj folë diçka e ai ma preu fjalën tuej më thanë se, ah të kisha me mujt me u marr vesht me një konsull Evropjan. Në vetjen time që i bana se ç’do të delte prej kësaj nuk më dha asnjë gjegje.
Pyetje e gjashtëmbëdhjetë-
Mbasi në rrethin tuej s’kishte njeri tjetër që të dijë me shkrue, përveç jush, ju do të dini se ç’letra i vinë Currit, ç’letra kish me vedi edhe kujt donte t’i shkruente?
Gjegje pyetjes së gjashtëmbëdhjetë-
Për deri sa kemi ndejt në mal, si ka ardhë prej kërkujt asnjë letër, se po t’i kishte pru kush letër s’ka pas kush t’ia këndojë perveç meje. Me vedi s’ka pas asnjë letër me randësi, ato letra që ka pas me vedi, në rastin që u arratisem i dogji tuej thanë se mujm me u vra edhe kështu me shtimin e këtyne letrave në dorë të Qeverisë ka me u dhanë shkak damtimi i shumë miqve e besnikëve tonë. Kujt donte me i shkrue në Shkodër nuk e di me siguri, por di se thonte: masi të çoj letrën në shpi në Shkodër, çika e jeme din me shkrue dhe ata kan me ditë ku me i gjetë paret për me mi pru mue. Për me e çue me letra në Shkodër donte me përgatitë një njeri që do ta gjente Bajraktari. Ç’ka më dukej mû dëshironte se si me mujt me shkue tinzi në Shkodër për me ndejt i mshefun. Shpresa e tij që me dal fitues me ndonjë revolucion nër këto anë ishte e humbur se thonte që me pren këta Malësorët se këta ishin marrë vesh me Ceno Begun ka herë e unë nuk kam dit gja. Tanë shpresa e tij ishte në të arratisunit në Itali Hysni Currit e tjerë dhe shumë herë përsëriste se ata të Italisë kan me mbështjellë fuqi dhe kanë me mujt me e ndryshue gjendjen e soçme në Shqipnié. Por me gjithë até kishte shpresë të plotë në fitim me anën e atyne Shqiptarëve që kan hikë në Italié.
Pyetje e shtatëmbëdhjetë-
Rrethimi i juej si u ba prej anës fuqive Qeveritare; sa vetë keni qenë s’bashkut edhe kush?
Gjegje pyetjes shtatëmbëdhjetë-
Rrethimi i jonë ash bamë në këtë mënyrë: Në ora 6 të ditës allaturka ishim tuej ndejt në shpellë të qetsueshëm edhe të zhveshun. Bajraktar Salih Mani doli përjashta për me pa, kur qe, po kthen mbas katër – pesë minutash i nxituem tuej na thanë se po ndihet një za edhe mori armën me gjithë Abdi Bajramin e Ali Nimanin e dolën jashtë ku mas pesë minutash vështrimi Aliu kthej tuej na thanë se çohi prej këtuhit edhe shmangni tërthuras se në pashim që na kan hetue do të nisim luftën. Ju, veç në këtë rast, ecni e mos u n[d]aloni kërkund. Me Bajram Begun u shtrënguem s’bashkut, tuj ardhë me ne edhe Met Vejseli u nisëm Bjeshkës tërthuras. Prap mas pesë minutash që ishim nisë të shmangena ra një pushkë edhe mas saj një batare kur po ndijmë edhe britmën e Abdis tuj bërtit ”U vra një!”. Pushka gjithnjë vazhdonte edhe na veçse ecshim në direksionin e diftuem prej Bajraktarit. Mas tri orësh të ecunit tonë, të lodhun, kemi ndryshue direksionin tuej ecun tëposhtë edhe jemi ulë në pushim nër pyell pa u çue dy orë resht. Afër akshamit më thotë Begu mue: – Fillou ti rrugës se unë të za. Masi u largova prej tij nja 50 metra, kam ndie krismen e pushkve rreth Bajram Begut edhe sa jam sjellë të shikoj shof se edhe Bajram Curri vet mbas një lisit të hollë po qëndron dhe shtie pushkë. Mbas pesë minutash lufte Curri u vra. Vrasjen e Currit e kuptova prej ndalimit të tij tuej shti pushkë si edhe prej zanit gjindarmave të cilët bërtitnë tuej thanë: “U vra Begi”. Si pava se Begu u vra, u nisa teposhtë për me ra n’dorë të ndonjë oficeri, se megjithë që pava se ushtarët janë afër, nuk pata besim me u diftumun atyne, e ma pak me ra n’dorë, prej frikës që me atë gjak të nxehtë mos të më vrasin, po tuj mashtrue ushtarët, tuej u thanë që jam gjindarmë, kërkova oficerin për me i ra n’dorë, kështu si u avita (afrova-V.H.) afër nëntoger Kadri Mehmetit i diftova se kush jam edhe ju dorëzova. Përveç meje e Currit ka qenë Bajraktar Salih Mani, Abdi Bajrami, Ali Nimani, Adem Bajrami e Met Vejseli.
Pyetje e tetembëdhjetë-
A ke gja ma me thanë edhe a i vërteton fjalët e tuja?
Gjegje pyetjes tetëmbëdhjetë-
S’kam ç’me thanë veç se në rrethimin e Krumës, në maj 1924, kam luftue krah për krah me Kapiten Muharrem Bajraktarin edhe jam tërhjekun me të përsëri në Bicaj, ku për fat të keq m[b]eta tuej humbur kohën me djalin e Alush Agës për me ja rujt dhe Qeveria revolucionare më kapi e më burgosi vetëm pse i jam bindë urdhërave të Qeverisë legale. Shtoj se me u arratis me Currin më ka shtymun frika për mos me më dorëzue në Serbié dhe për mos me më damtue Bytyçi, tuej ken se unë kam ken Postëkomandant atje edhe si Zyrtar kam zabatue urdhënat e superiorëve, të cilat ende i mbaj me vedi për dokumenta. Urdhënit i jam bindë edhe Qeverisë legale edhe me ndej me Currin deri më tash nuk ka ken dëshiri jem por masi u sakatova kamvet nuk kam mujt me u largue. Fjalët e mija i vërtetoj me nënshkrim.
Sh.[efqet] Draga d.v.
Prefekti i Kosovës
H.[asan] Kryeziu
Vërtetohet njësia me origjinalin
Kryesekretari i Kosovës
(firma M.Perkola, vula)
Ende pas 90 e kusur vjetësh e vërteta historike struket tinzare duke fshehur enigmën e 29 marsit 1925 në shpellën e Dragobisë, për vrasjen apo vetëvrasjen e Plakut të Maleve,Tribunit të Vegjëlisë,Heroit të Popullit,Bajram Beg Curri.
Përgatiti: Gjon Neçaj – /tesheshi.com/