Një artikull në “The Economist” përpiqet të panoramojë atmosferën më të fundit kundër Xhorxh Soros dhe analizon veprat e tij.
Në librin “Masquerade” që janë kujtimet e Tivadar Soros për Budapestin e pushtuar nga nazistët, ai përshkruan sesi siguroi karta identiteti fallco për bashkëvuajtësit e tij hebrenj, përfshirë edhe djalin e vet 14-vjeçar, Xhorxhin. Qasja e Sorosit të vjetër ndaj fallsifikimeve është ndriçuese. Me klientë të pasur, ai “kërkoi gjithçka që mund të mbante tregu”. Ai nuk e njihte dëshpërimin: “Ndjeja se isha pak përgjegjës për secilin”. Xhorxh pozoi si djali i pagëzuar prej një zyrtari që kryente inventaret e pronave të konfiskuara hebreje. “Pa ndërmarrë rrezikun”, thoshte babai i tij për një kohë kur çdo ditë ishte një bast për jetë a vdekje, “nuk ka jetë”.
Oreksi për rrezik e bëri Xhorxh Sorosin një miliarder, por gjithashtu i krijoi atij armiq, ashtu sikundër edhe filantropia e tij e lindur. Gjatë muajve të fundit, këto ndjesi kanë arritur një kulmim të ri alarmues. Dy pozicione kritike, një në Amerikë e tjetra jashtë saj, duket se janë përzier, në një qasje të përmbledhur nga disa letra të errëta të politikanëve republikanë. Një grup senatorësh i shkruan sekretarit të Shtetit,
Rex Tillerson, ndërsa një grup kongresmenësh kontrollorit financiar, duke synuar të kishin të njëjtat detaje: rolin e USAID, agjencisë së ndihmës për jashtë të Amerikës, në Maqedoni, sidomos në lidhje me degën lokale të fondacionit të Sorosit “Për një Shoqëri të Hapur”.
Soros ka mbështetur reformat demokratike në Europën qendrore dhe lindore që kur ai shpërndau fotokopjuese midis aktivistëve në vitet 1980. Programet e tij promovojnë haptaz median e lirë, zgjedhjet e ndershme dhe qeverisjen e pastër, më shumë sesa partitë opozitare, por autokratët lokalë shpesh nuk arrijnë ta bëjnë dallimin. Kremlini, që fajëson Sorosin për trazirat paqësore tek fqinjët ish-sovjetikë të Rusisë, në vitet 2000, e goditi degën e tij në vitin 2015. Bjellorusia dhe Uzbekistani gjithashtu i kanë dhënë goditje.
Një emër shoqërizues
Ndërsa Rusia po rigjallëron ndikimin e saj në Europë, antipatia për Sorosin po dyfishohet: në Rumani, Poloni dhe sidomos në Maqedoni, ku, midis krizës politike dhe dyshimeve për rryshfete e manipulim votash, ka nisur një lëvizje “ndal operacioneve Soros”.
Ndërkaq, Viktor Orban – kryeministri i Hungarisë, vendlindjes së Sorosit dhe një përfitues i bursave të studimit të financuara nga Sorosi – ofendon “perandorinë trans-kombëtare” të bamirësit të tij. Parlamenti hungarez miratoi një ligj që mund të mbyllte universitetin Qendror Europian që u themelua nga Sorosi në vitin 1991. Një tjetër ligj që mbahet pezull mund të përdoret kundër fondacionit të tij.
Pikëpamjet e tij politike dhe donacionet e majme kanë ngritur sarkazëm edhe në Amerikë, po ashtu. Denoncimet për Xhorxh Bush dhe luftën në Irak e bënë atë një gogol midis mbështetësve të së djathtës dhe teoricienëve të konspiracionit. Mbështetja e tij për Hillary Clinton dhe përçmimi ndaj Donald Trump – një “mashtrues” dhe “diktator i mundshëm” – kanë përforcuar radhët e atyre që e sulmojnë. Së fundmi, ai ka organizuar një linjë kontroverse në procedimet lokale, nga Luiziana në Ilinois, duke vënë bast se prokurorët reformistë mund të ndihmojnë në ndryshimin e sistemit juridik penal. Ndonjëherë, kandidatët që ai mbështet duken aq të zënë në befasi nga interesi i tij po aq sa edhe rivalët e tyre, por 12 nga 15 zgjedhjet e tij kanë fituar.
Megjithatë, ndonëse nuk e pëlqejnë ndikimin e tij në Amerikë, politikanët amerikanë të rrymës në të dyja partitë i kanë mbështetur qëllimet e tij jashtë vendit. Tani ky dallim po bie, ashtu si tregon letra për Maqedoninë. Bëhet fjalë për një ndërhyrje të çuditshme: politikanët amerikanë në fakt janë duke e rreshtuar veten me një parti të së djathtës, të përfshirë nga skandalet, që mbështetet gjithashtu nga Rusia, dhe e cila ka aleatë që mbështeten tek dhuna ndërsa nënçmojnë qeverinë e tyre dhe sigurisht, Sorosin.
Ata edhe faktet i kanë kuptuar gabim: USAID nuk ka financuar kurrë organizatat e Sorosit në Shqipërinë fqinje, si aludojnë senatorët. Në skemën e buxhetit të agjencisë dhe fondacioneve, shumat e përfshira janë të papërfillshme.
Në çdo rast, fama e keqe e Sorosit që nga Amerika deri në Ballkan është e habitshme. Ai sigurisht që nuk është shenjtor. Një pjesë e pasurisë së tij vjen nga spekulimet monetare, sikundër në rastin kur duke ulur vlerën e paundit në vitin 1992, ai “theu bankën e Anglisë”. Ai ka edhe një dënim nga Franca për nxjerrje të sekretit tregtar në vitin 1988. Megjithatë, ai ka dhënë miliarda për çështje me shumë vlerë.
Michael Vachon, këshilltar jetëgjatë pranë Sorosit, vë në dukje se ai nuk nxjerr përfitime personale nga avokatia që iu bën, le të themi të drejtave të romëve apo heqjes së dënimit me vdekje. Në politikë, thotë Vachon, në kontrast me shumë donatorë të mëdhenj, ai “gjithnjë lobon për qëllimin publik, asnjëherë për përfitime private”. Shpesh, ai promovon politika si ato për taksat, që mund t’i kushtojnë edhe atij vetë.
Kanarina në minierën globale
Pjesërisht, fushata kundër tij është një tregues i avancimit të autoritarizmit. Ashtu si e artikulon edhe Radek Sikorski, ish-ministër i Jashtëm polak, Soros “ka qenë një avokat i palëkundur i rendit liberal, dhe vetë rendi liberal ndodhet nën agresion”. Regjimet europiane mund të shohin një përfitim në epërsinë e Trump, që është skeptik për eksportimin e idealeve demokratike (fushata e të cilit e demonizoi Sorosin). Përsa u takon, disa në Kongres mund ta shohin atë si një mjet po aq sa edhe një shënjestër, pasi qëllimi i tyre është të diskreditojnë ndihmën që jepet jashtë vendit.
Cilado qofshin shkaqet, ndërsa nxitja kundër Sorosit përhapet – ideja e ndërhyrjes së tij globale fiton besueshmëri me anë të përsëritjes – po ashtu përhapen edhe pikëpamje të tjera shqetësuese. Një prej këtyre është ajo që protestuesit paqësorë, pavarësisht nëse janë kundër politikave të Trump apo korrupsionit në Rumani, dalin në rrugë vetëm sepse janë paguar: zakonisht nga Sorosi, siç shkojnë shpifjet nga Bukureshti në Uashington.
“Nëse ne do paguanim gjithë protestuesit që ata thonë se kemi paguar”, ironizon Laura Silber nga Fondacioni, “ne do të kishim falimentuar shumë e shumë herë. Është një fyerje për njerëzit që ngrihen për shkak të bindjeve të tyre”. Së dyti, gjithnjë e më shumë liderë që supozohen të jenë demokratikë, po mbështeten tek kundërshtarët e jashtëm për të forcuar pozicionet e tyre, duke i shpikur ata nëse është e nevojshme.
Së fundi, me Sorosin kanë gjetur një lloj të veçantë armiku. Portretizimi i tij si një oktapod, apo sikundër në posterat hungarezë, si një lëvizës kukullash, në mënyrë të pashmangshme të sjell në mendje propagandën anti-semite të shekullit të kaluar.
Një pjesë e kësaj jehone mund të jetë aksidentale, konspiracionistët që në mënyrë të pandërgjegjshme i kthehen trukeve të vjetra, por ato po zënë vend.
Në një postim që vlerësonte Orban, për shembull, kongresmeni republikan Steve King e cilësonte Sorosin një “miliarder marksist”. Kjo tingëllon ngjashëm me avazin e vjetër kundër hebrenjve, që ashtu si shkruan Tivadar Soros në librin e tij “të vetëm e në të njëjtën kohë mbanin në duart e tyre… vendet perëndimore kapitaliste dhe bolshevizmin rus”. “Ai i mbijetoi nazistëve”, thotë Vachon për situatën aktuale me Sorosin dhe “zotëron një perspektivë të gjatë”.
Padyshim, por në një farë mënyre, e gjitha kjo duhet të jetë për të, e njohur deri në mërzitje.
Përgatiti: Juli Prifti – /tesheshi.com/