Ndërkohë që pritet nga dita në ditë apo ora në orë që Haradinaj të niset drejt Hagës, i dorëhequri prej tre ditësh si shef i qeverisë së Kosovës u shfaq në Rahovec, ku me status kryeqeveritari ende në detyrë morri pjesë në një ceremoni përkujtimore.
Haradinaj zbuloi shtatoren e Shejh Myhedin Shehut, duke e cilësuar këtë të fundit si një atdhetar të madh.
“Shejh Myhedin Shehu është pjesë e atdhetarëve, dijetarëve që historianët kanë me pas punë me të”, tha ai.
“Nuk është rastësi se pse Shejh Mihedini nuk e përfilli urdhrin e forcave serbe, të regjimit të Millosheviçit, që të vihet në anën e tyre për ta bind popullin që të mos rezistojë, për ta larguar popullin nga UÇK-ja, për ta bind UÇK-në që t’i ndalë operacionet e tyre luftarake, detyrën për liri. Pra ai nuk e pranoj një rol të tillë. Ai mbeti në rolin e vet që kishte, besnik ndaj besimtarëve të vet, besnik ndaj popullit, ndaj atyre që ishte dhe ndau fatin me ta në Teqenë e Madhe në Rahovec”, tha Haradinaj, duke i dorëzuar më pas pasuesit të Teqesë, Shejh Besimit, medaljen “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”.
Ndërkohë, ish-kryetari i Lipjanit dhe ish-komandanti i UÇK-së për Zonën Operative të Nerodimes, Shukri Buja është nisur për në Hagë, pasi ashtu siç Haradinaj, është ftuar nga Gjykata Speciale për t’u marrë në pyetje. /tesheshi.com/