Nga Roald A. Hysa
Të qënit popull me shumicë muslimane, ka qenë një ndër arsyet se përse fqinjët, serbë, grekë e malazezë, kërkon mosekzistencën e Shqipërisë si shtet pas rënies së Perandorisë Otomane dhe jo vetëm. Por kjo nuk është trajtuar kurrë kështu nga historiografia shqiptare.
Ndeshtrashat e Luftrave Ballkanike rezultuan me banja gjaku për popullsinë shqiptare dhe arritja e një homogjeniteti fetar në shtetet fqinje shërbeu si premisë për të gjitha masakrat dhe pretendimet e tyre për ekspansion territorial. U deshën përpjekje titanike të të gjithë patriotëve e rilindësve shqiptarë për të pasur një stabilitet politik e shtetëror katër vite pasi ishte mbyllur Lufta e Madhe. Fqinjët tonë nuk rreshtën përpjekjet e tyre për sabotimin dhe destabilizimin e Shtetit Shqiptar të sapolindur të mbështetur në politikat e tyre shoviniste nga Rusia…
Luftrat Ballkanike kanë rezultuar me gjakderdhje dhe masakra të jashtëzakonshme në dëm të shqiptarëve, po ashtu edhe më pas është diçka e mirënjohur që fqinjët tanë nuk e dëshironin një shtet të pavarur shqiptar, e për më tepër me shumicë muslimane. Gjatë luftërave ballkanike, serbët dhe malazezët deklaronin, “se një shtet i vockël mysliman midis shteteve të krishtera të Europës do të ishte një anakronizëm”. Një rol tejet negativ ka luajtur kleri ortodoks i shteteve fqinje, dhe vazhdon ta bëjë një gjë të tillë akoma edhe në ditët tona, kur peshkopi serb i Beogradit Jeremija, deklaron se Kosova është Serbi. Në një artikull të mis Edit Durhamit në një gazetë londineze të vitit 1913 nxirret në pah se ka pasur një marrëveshje të ekzarkut bullgar dhe patriarkut grek të Fanarit në Stamboll për të punuar kundër shqiptarëve të besimit musliman në Shqipëri. Hetimi i bërë nga një diplomat amerikan, Xhozef Hejvn në mbarim të Luftës së Madhe më 1919 pa praninë e oficerëve italianë apo francezë në raportin e tij, na tregon se grekët përdorën të gjitha mënyrat e mundshme, deri edhe vrasjet e fshatarëve të varfër, vetëm pse këta ishin muslimanë dhe nuk heqin dorë nga të qenit shqiptar.
Studiuesi Tahir Kolgjini na rrëfen se Beogradi ishte kundër çdo lloj forme të ekzistencës së Shtetit Shqiptar, qoftë autonomi, qoftë pavarësi. Nëpërmjet agjentëve të vet të pranishëm në Kosovë shpërndau flori dhe e bleu një pjesë të parisë. “Serbia donte që tokat shqiptare juridikisht të jenë thjesht pasuri e Turqisë. Në këtë mënyrë, në bazë të rregullave të luftës do t’i merrte direkt prej Turqisë dhe Shqiptarët nuk do të formonin palë ndërgjygjëse në bisedimin e çështjes. Kurse po të ishte autonomi Shqipëria çështja mund të paraqitej ndryshe në Konferencën e Paqes.”
Kjo gjë konstatohet edhe gjatë kohës kur po kërkohej një princ për Principatën e Shqipërisë. Ismail Qemal beu së bashku me politikanët e tjerë shqiptarë kërkonin një princ evropian. Nga Fuqitë e Mëdha, vetëm Rusia e cila përkrahte nëpërmjet diplomacisë së vet shtetet e reja ballkanike favorizonte një princ otoman, duke besuar se Shqipëria nën sovranitetin otoman mund të ndahej lehtësisht me vasalët e saj.
Megjithëse Princ Vidi arrit ta merrte fronin e Shqipërisë një nga gabimet që bëri ai ishte se në një mënyrë apo tjetrën ai e injoroi elementin mysliman sipas gazetarit italian me origjinë arbëreshe Italo A. Sulioti. “Muslimanët konstituojnë e do të konstituojnë gjithmonë shumicën e popullit shqiptar. Mund t’i duash, t’i urresh, t’i diskutosh, t’i vlerësosh apo jo, por nuk mundesh kurrë t’i injorosh. E Qeveria bëri pikërisht këtë gjë, i injoroi.”
Një zë i fuqishëm gjatë Konferencës së Paqes në Paris 1919 ka qenë edhe ai i Esat Pashë Toptanit, i cili pati akses të niveleve shumë të larta dhe që arriti ta mbrojë Shtetin dhe Kauzën Shqiptare, por që më vonë nuk pati as mirënjohjen më të vogël nga elita politike shqiptare. Madje kjo e fundit u bë shkak që ta vrasë nëpërmjet një atentati në Paris, ku edhe jetonte asokohe Esat pasha. Esat pashë Toptani kishte përgatitur një parashtresë, të cilën e paraqiti në Konferencën e Paqes në Paris, si dhe në takimet që pati atje me të gjithë shtetarët perëndimorë të lartë të asaj kohe. Kjo parashtresë përmban 6 pika, ku një ndër to është se ai kërkon gjithashtu anulimin e akordit të fshehtë të prillit 1915 midis Francës, Britanisë, Italisë e Rusisë, që i jep një pozitë të privilegjuar Italisë ndaj Shqipërisë; kundërshton në mënyrë kategorike tutelën italiane dhe këmbëngul që Shqipëria të ruhet në kufijtë e caktuar të vitit 1913.
Gjithashtu, kujtojmë se 90% e elitës shqiptare të pranishme me delegacionet e ndryshme në Konferencën e Parisit, po ashtu si edhe Esat Pasha ishin të gatshëm të pranonin një mandat amerikan për Shqipërinë, gjë për të cilën ngulën këmbë edhe pranë presidentit Udrou Uillson dhe delegacionit amerikan të pranishëm në Paris 1919. Gjithashtu, Turhan pasha i kërkoi presidentit francez Klemanso nëpërmjet një letre t’i jepej mandati i administrimit nga Lidhja e Kombeve një fuqie që nuk kishte qenë nënshkruese e Paktit të Londrës, pra SHBA-ve.
Në vitin 1920 pjesa më e madhe e kufirit verior do të atakohej nga ushtritë serbo-malazeze, nga Dibra e deri në Koplik, ku do të kërkohej me ngulm ndryshimi me dhunë i kufijve territorialë. Lufta e Vlorës e vitit 1920 në jug është një shembull i mjaftueshëm në këtë drejtim dhe prania italiane i hapte rrugën edhe më shumë për pretendimet greke mbi Korçën dhe Gjirokastrën. Vetëm pas vitit 1921 Shqipëria do të rehatohej dhe do të gjente stabilitetin e nevojshëm nga pretendimet absurde të fqinjëve, të cilët nëpërmjet arsyetimeve të ndryshme kërkonin të zhvatnin territore vitale për Shqipërinë e krijuar nga Fuqitë e Mëdha në vitin 1913. /tesheshi.com/