Nga Kate Plummer, Newsweek
Një numër donatorësh demokratë janë tërhequr tashmë nga mbështetja e tyre fillestare për presidentin Joe Biden, ndërsa ky i fundit vazhdon që të jenë objektiv i një sërë kritikash të ashpra për paraqitjen e tij shumë të dobët në debatin e parë presidencial të këtij cikli zgjedhor.
Më 27 qershor, kandidati i supozuar presidencial i demokratëve, u takua me homologun e tij republikan, Donald Trump, në Atlanta për të diskutuar mbi çështjet më të rëndësishme që shqetësojnë aktualisht votuesit amerikanë.
Gjatë debatit, plaku Biden dha një sërë përgjigjesh jokoherente dhe konfuze, dhe herë pas here dukej sikur linte përgjysmë fjalitë dhe mendimin e tij.
Që nga ajo ditë, ai është sulmuar fort nga kundërshtarët në parti. Ata i kanë bërë thirrje që të tërhiqet nga synimi për t’u rizgjedhur dhe ta lejojë Partinë Demokratike të zgjedhë një kandidat të ri, për t’u përballur si duhet me Donald Trump. Shanset e tij për fitore në zgjedhjet presidenciale të nëntorit, kanë rënë ndjeshëm edhe sipas kompanive të njohura të basteve.
Dhe tani, donatorët që janë një pjesë thelbësore e financimit të fushatës së tij, kanë nisur të kthehen kundër demokratit të moshuar.
George Conway, një avokat i njohur në SHBA, që më herët dhuroi 929.600 dollarë për Fondin e Fitores Biden, shuma maksimale e lejueshme për një individ, tha se si Biden ashtu edhe Trump duhet që të tërhiqen nga gara dhe të dalin në pension.
“Siç jam shumë i sigurt se kanë bërë shumë prej jush, edhe unë jam menduar shumë kohët e fundit për zgjedhjet elektorale të këtij vitit. Dhe e kam bërë akoma më shumë gjatë ditëve të fundit, duke vazhduar të kthehem tek përfundimi ku mbërrita pak kohë më parë. Për të mirën e vendit dhe për të mirën e tyre, të dy kandidatët presidencialë të partive kryesore duhet të dalin në pension”, shkroi Conway në platformën X, dikur Twitter .
Nga ana tjetër, duke folur në Festivalin e Ideve të Institutit Aspen të premten e kaluar, Ari Emanuel, një donator i madh i demokratëve dhe një agjent i njohur në Hollivud, tha se shumë donatorë të tjerë pritet të kthehen kundër kandidaturës së presidentit aktual.
“Limfa jetike e një fushate zgjedhore në politikë është paraja. Dhe ndoshta e vetmja mënyrë që të nxitet tërheqja e Joe Biden nga kjo garë, është ndërprerja e fondeve për fushatën e tij. Dhe unë kam folur me shumë donatorë, por supozoj se të gjithë ju keni marrë shumë telefonata mbi këtë çështje shqetësuese”, tha Emanuel.
“Por nëse kjo është, siç thotë Biden, lufta për demokracinë tonë… atëherë ai na dha një tufë budallallëqesh, dhe unë jam vërtet i zemëruar me të. Të gjithë duhet të jemi realisht të inatosur. Do të shihni sondazhet në dy javët e ardhshme, dhe nëse paratë do të vazhdojnë të derdhen për fushatën e tij.
Unë kam biseduar me një grup donatorësh të mëdhenj, dhe ata po i transferojnë të gjitha paratë e tyre në Kongres dhe Senat. Nuk mundem ta besoj që gjendemi të bllokuar në një situatë të tillë. Tashmë gjykoj se gjithçka është një çështje ligjore. Unë nuk e kam analizuar në detaje, sepse nuk jam avokat, por fakti është se jemi vërtetë në një situatë shumë të keqe”, thekson ai.
Bashkëthemeluesi i Netflix, Reed Hastings dhe gruaja e tij, Patty Quillin, e cila i dha më shumë se 1.5 milionë dollarë Joe Biden gjatë garës së tij presidenciale të vitit 2020, raportoi New York Times, janë rreshtuar gjithashtu kundër rikandidimit të presidentit aktual të Amerikës.
“Biden duhet të tërhiqet sa më shpejt nga gara, për t’i dhënë mundësi një udhëheqësi të fuqishëm demokrat që ta mposhtë sërish Trumpin, dhe të na mbajë të sigurt dhe të begatë”, tha Hastings në një email për Times.
Duke folur për Newsweek, Christopher Phelps, profesor i historisë moderne amerikane në Universitetin e Nottingham në Britaninë e Madhe, tha se disa donatorë mund të largohen nga Biden në rast se “mbështetja e tij nëpër sondazhe gjatë javëve të ardhshme do të pësojë një rënie të madhe si në një pikiatë”.
“Ekzistojnë dy lloje donatorësh që financojnë fushatat zgjedhore. I pari është donatori partiak ose ideologjik. Ai përpiqet me mish e shpirt për një fitore të Partisë Demokratike mbi bazën e të drejtës së abortit dhe të drejtave të komunitetit LGBTQ, demokracisë, mjedisit dhe kauzave të tjera specifike.
Donatorët e dytë vijnë nga lobistët e korporatave të mëdha, që bëjnë rregullisht donacione. Nëse Biden bie ndjeshëm në sondazhe, këta të dytët do të pushojë së dhuruari para. Dhe këtu mund të përfshihet si donatorët e vegjël, ashtu edhe ‘shtresa tradicionale e donatorëve’”.
Ai shtoi: “Ka shenja se donatorët shumë të pasur janë vërtet shumë të shqetësuar. Po ashtu ata ndihen të nervozuar me stafin e fushatës që pretendon se pavarësisht gjithçkaje që është parë dhe dëgjuar Biden është mirë, se ai s’ka asnjë problem. Në këto kushte, ata mund të ndihen të fyer nga një qëndrim i tillë, dhe të vendosin të mos japin më para”.