Nga Bardha Nergjoni
Tirana përfaqëson zhvillimin edhe në urbanistikë e infrastrakturë. Ndryshimet e shpejta, nevoja për strehim, shërbimet në ekspansion dhe gjithçka e përqëndruar në kryeqytet, bën që edhe vëmendja të jetë drejt këtij maksindryshimi që ndodh edhe në objekte. Një vështrim i shpenguar do të dallonte shumë shpejt ato që shkojnë apo nuk ngjisin në zhvillimin urbanistik të kryeqytetit. Në fakt, duket se madhësia edhe në këtë aspekt ka rëndësi, pasi sa më shumë kate aq më shumë para, aq më pak hapësirë e zënë. Shpesh, duke parë jo si specialist por si një qytetar i thjeshtë, të bën përshtypje dhe arrin të dallosh kush janë godinat që nuk të pëlqejnë dhe nuk janë në harmoni me zhvillimin normal të qytetit.
Në fakt Tirana njihet për zhvillimin ekstravagant të saj sidomos sa i përket ngjyrave të përdorura në shumë pallate, por tek ndërtesat, eh ndërtesat nuk mjafton një bojë për t`i ndryshuar. Po kush janë ndërtesat më të çuditshme apo edhe më të shëmtuarat në qendrën e kryeqytetit. Ne kemi pyetur qytetarë të rastësishëm në Tiranë, por edhe specialistë, se çfarë mendojnë ata për objektet që vrasin syrin. Dy prej objekteve me përshtypje negative apo “ekstravagante”, janë pallati në formën e tij të çuditshme përballë Katedrales Ringjallja e Krishtit dhe një tjetër shumëkatësh pranë ish Selisë së PD-së.
Të dy objektet bëjnë përshtypje pasi kanë lartësinë më të madhe se të gjithë objektet e tjera dhe ndodhen në rrezen e qendrës së qytetit e cila në fakt ka vëmendjen më të madhe sa i përket zhvillimit urbanistik. Nuk është qëllim paragjykimi pasi edhe në nivelin e zhvillimit urban duhet kultivuar shija e guxuar me ndërtime që tërheqin vëmëndjen, por këto dy objekte vetë qytetarët e thjeshtë i quajnë edhe objektet më të shëmtuara në Tiranë.
Sigurisht që i kemi pyetur edhe për objekte të vjetra jo të bukura dhe Piramida është klasifikuar në vendet e para bashkë me të famshin Hotel Dajti për lënien në gjendje rrënimi dhe që marrin keqardhjen e qytetarëve të Tiranës.
A është pallati i papërfunduar përballë kishës ortodokse objekti më i shëmtuar në Tiranë?
“Nuk më pëlqen. Është me forma tejet ekstravagande. Në përgjithësi në Tiranë objektet kanë forma të rregullta. Kjo është më e veçantë. Mua s’më ngjit. Unë kam diskutuar me miq dhe ka që e pëlqejnë. Unë jam për modernen por jo për këtë lloj moderneje”, thotë Leonard Nano, inxhinier ndërtimi. Leonardi është ndër qytetarët që e konsiderojnë një objekt që nuk shkon në Tiranë. Ai në fakt është një prej mendimeve të specializuara pasi është marrë 45 vjet me ndërtimet dhe ka drejtuar sektorin e ndërtimit
Për 10 vjet në Tiranë. Sipas tij objekti me formën e çuditëshme bie më shumë në sy dhe nuk përputhet me godinat përreth. “Një pjesë e mirë e njerëzve thonë që nuk e përlqejnë. Ka edhe që e pëlqejnë. Nëse këtu do të ndërtohen të tjera mund të lidhen por kështu e shkëputur nuk më ngjit”.
Mendimet kundër shtohen dhe ata që nuk e pëlqejnë mundohen të mos identifikohen. Një grua thotë se nuk ka krijuar një përshtypje. “Është ndryshe nga të tjerët. Është derdhur në beton. I çuditshëm por jo i shëmtuar”. Po ka edhe të tjerë që kanë punuar në institucione vendos siç është bashkia e Tiranës që janë më të drejtpërdrejtë. “Është turp ta shohësh. Unë nuk di çfarë arkitekti ka qenë ai dhe kush e ka dhënë lejen. Është shumë e shumtuar. Ka prishur komplet zonën”. Dhe pyetjes nëse objekte të tjera të ngjashme do ta rregullojnë pamjen ai I përgjigjet: “Do jetë vazhdim i turpit”.
Ka të tjerë qytetarë që nuk japin një mendim përfundimtar. Preng Marku, banor i Tiranës, thotë se nuk mund të flasë për diçka që nuk ka përfunduar. “Derisa është në ndërtim parashikoj diçka që vjen në të ardhmen. Ai që e ka ideuar ka pasur një qëllim. Nuk më duket as i shëmtuar as i bukur pasi është në proces. I duhet parë fundi. Forma është një shije që zgjidhet nga njerëzit kompetentë”.
Quo vadis Tirana?
Shkruan Edgar Frashëri, Inxhinier, aktualisht jeton në Firence:
Ne këto dy dekada e gjysëm, shpesh është shtruar pyetja: “Ku shkon Tirana” dhe pergjigja në më të shumtën e herëve ka mbetur pezull. Faktorë të një zhvillimi të pakontrolluar, kanë bërë që kryeqyteti ynë, përsëri duhet ti kthehet Planit Rregullues, mbasi kanë pësuar ndryshime treguesit e marrë parasysh në hartimin e atij Plani Rregullues që është në fuqi, por që me ndarjen e re administrative, kërkon një tjetër përqasje ndaj administrimit të territorit tashmëdisafish më të madh nga sa ishte më parë, me territore të reja, që nuk janë aspak të reja por të konsumuara e konceptuara me mentalitete komunash. Ato nuk mund të ngjiten në mënyrë mekanike ndaj bërthamës së kryeqytetit sikundër ka ndodhur deri më tani. Eshtë fare e thjeshtë të hartosh një program të ri e të rëndisësh në përputhje me ca template të gjithë faktorët që do të duhet të harmonizohen për një zhvillim të qëndrueshëm. Faktikisht, e thënë pa mëdyshje, kryeqyteti ynë ka pësuar shpesh trauma urbane të shkaktuara nga politika afatshkurtër interesash që nuk janë përputhur me ato të qytetarëve. Kjo ka ndodhur në mënyrë sistematike, dhe për të kuptuar shkallën e dëmit, mjafton të kujtojmë se ish sistemi e kishte si rregull që Planet Rregulluese të mbulonin një perspektivë jo më pak se 25 vite. Kurse ne, në këto 25 vite mezi kemi bërë një plan rregullues të kryeqytetit, dhe aspak për qytetet e tjera. Ndërkohë që nuk kanë munguar burimet financiare si të brendshme apo të jashtme. Se përse ka ndodhur kjo, është fare e qartë dhe pothuajse të gjithë specialistët e analistët e fushës që e kanë trajtuar këtë temë, pothuajse kanë qenë në një mendje. Politikës cilado që ka drejtuar në Shqipëri nuk i ka interesuar ti lidhë duart vetes me plane rregulluese që fuqizohen me ligje. Ndryshe nuk do ta masakronin Tiranën me mikro parcela e të ashtuquajturat studime pjesore, për të eliminuar sipërfaqet e gjelbëruara e hapësirat publike duke e kthyer kryeqytetin në siperfaqe mbuluar me beton-asfalt-çimento dhe godina të larta fitimprurëse, duke rritur artificialisht koeficientin e dendësisë së banorëve për njësi siperfaqe.
Përveç politikës, e cila ka dhënë përherë diktatin, kjo është përputhur edhe me një mangësi të theksuar në fushën e kualifikimit të specialistëve si arkitektë dhe urbanistë, duke i dhënë prioritet arkitekturës. Urbanistët tek ne pothuajse janë fare të panjohur. Sipas të dhënave të këtyre dekadave të fundit në botën perëndimore, arkitektura e ka humbur rolin e vet, si në shkollë edhe në praktikë. Kompanitë e mëdha kanë më shumë nevojë për urbanistë me aftësi administrimi territori e me njohuri arkitekture, sesa arkitektë që të projektojnë vepra marramendëse me arkitekturë të kushtueshme. Ora jonë ka mbetur ende tek arkitektët sepse sa për territorin e ka ngrënë dreqi. Tirana në këto 25 vite mezi arriti të bënte një unazë, e tani flet për katër? Pra kryeqyteti në infrastrukturën e vet nuk ka pasur asnjë ndryshim ( brenda unazës ) ku dhe popullsia pothuajse ka mbetur e qëndrueshme sa ka qenë edhe para 25 vitesh. Godinat e larta te shpërndara në mënyre kaotike, me stilin e shtrirjes së “njollës së vajit” vetëm se kanë spostuar popullsinë në vertikalitet. Populli shqiptar hyri në vitin 1990 me 50.000 apartamente minus, sipas direktivave të parealizuara të kongreseve. Me këtë defiçit, si dhe mbas lëvizjes demografike të diktuar me birbil nga zonat rurale-malore drejt qendrave urbane, shqiptari për shumë vite nuk pati tjetër prioritet. Tani i janë hapur sytë dhe në qytete kanë filluar të rritet ndjeshmëria për trashëgiminë kulturore, historinë e territorit, kërkesa për shoqërzim publik në parqe, vende parkimi makinash që është bërë makth i vërtetë, etj, etj. Mjafton të hipësh në malin a Dajtit në një ditë të kthjellët, dhe Tiranën nuk e “lexon” dot.
Dhe meqenëse mbahemi peng nga arkitektura, duket sikur ata që kanë fatin të projektojnë ndonjë godinë të lartë qendre (individ apo studio), afirmojnë talentin e tyre që nuk i kalon kufijtë e Tiranës. Edhe ata te huaj me shumë emer që kanë ardhur në Shqiperi, kanë kuptuar se cili është niveli kërkesave tona, dhe mendoj se për arsye pragmatiste janeë përshtatur. Shqipëria ka thirrur të medhenjtë Libeskind apo Botta-n dhe prej tyre nuk ka mbetur asgjë. Sikunder është harruar Edith Durham!? Pra për të kaluar në ndonje mendim lidhur me dy vepra qendre të Tiranës, që më së shumti po përfliten sot, qiellgërrvishtësin pranë Gjykatës dhe tjetrën pranë tyrbes së Kapllan Pashës, dua të jem disi i kursyer sepse shumë vite përpara, në vitet e shkollës, nga një revistë arkitekture angleze mësova se zgjidhja arkitektonike është e drejtë zgjedhje e arkitektit me atë që e porosit, nëse komuniteti nuk ka caktuar ndonjë rregull të shkruar lidhur me estetikën. Pra arkitekti vulos ose suksesin e tij ose dështimin e tij në projektimin e një vepre. Tirana duhet të jetë qytet “i lirë” në këtë aspekt, pra bëni si të doni. Kullat në fjalë me kujtojnë atë çfarë kanë të përbashkët, bazamentin më të vogël sesa koka. Të thuash që arkitektët kanë dashur të bëjnë marifetin që grekët e vjetër bënin në ndërtimin e tempujve, duke i hapur pak sipër, me qëllim që efektet vizive të perspektivës të mos i deformonin ato, kjo nuk qëndron. Një të tillë vepsr unikale e kanë bërë taivanezët në qendër të kryeqytetit të tyre Taipei, me shkallëzime drejt lartësisë, që është një mrekulli e arkitekturës tradicionale kineze, dhe i shkencës së qendrueshmërisë. Po kështu edhe ajo tek Gjykata e që të dyja duken sikur sfidojnë ligjet e natyrës sepse natyra ka harmonizuar formën me strukturën. Pemët fillojnë me trung të trashë e mbarojnë me degë të holla. Arkitektura e tyre më duket ordinere dhe e varfër. Nje miku im para nja 15 vitesh kur erdhi nga USA, (arkitekt) pëlqeu kullat para Kryemistrisë të cilat i quajti arkitektonikisht të goditura, pavarësisht vendosjes. Pra këto dy “pemët” me kokë poshtë, kur të përfundohen do ti shohim si do të vishen. Në fund të fundit, atje ku janë vendosur, nuk bëjnë fare pjesë në skajlajnin-ën e Tiranës dhe kryeqytetit nuk ja shtojnë vlerat.
Ne antitezë me këto dy objekte (te cilat mendoj se do “vjetërohen” shpejt) nuk mund te rri pa përmendur dy objekte të cilat janë pika kyçe të historisë së Tiranes apo edhe Shqipërisë: Hotel Dajtin dhe Piramidën pranë godinës se Kryeministrisë. Tirana nuk mund të bëhet “tabula rasa” për të kënaqur brejtjet e ndërgjegjeve si të atyre që evokojnë nëpsrmjet objektit atë kohë kur Italia na kishte okupuar për të lënë pas këtë hotel simbol, si dhe të atyre nostalgjikëve që ende kujtojnë me përmallim kohën kur na kishte okupuar komunizmi i dështuar. Të dy “i bien fyellit në një vrimë”, dhe për interesa meskine pushteti e kolltuku, i kanë braktisur këto objekte në mënyrë të shëmtuar, ndërkohë që tërë ditën prrallisin për trashëgiminë kulturore-historike. Ato objekte me një ndjeshmëri unanime të qytetarisë së Tiranës (nëse ka qytetari) duhen restauruar në formën që kanë pasur e ti kthehen me hir apo pahir, qytetit që i takojnë.
Planet Rregulluese të Tiranës
Sipas Arkivit Qendror Teknik të Ndërtimit, dokumentacioni i parë vizatimor është një planimetri e Tiranës që daton në vitin 1917. Qyteti zhvillohet historikisht rreth ceculës që është Pazari. Zonat e banimit shtrihen në veri dhe në lindje.
Plani i parë Rregullues është ai i vitit 1923 realizuar nga austriakët. Ky nuk është një plani i mirëfilltë por kërkon të drejtojë rrugët dhe rrugicat e shtrembra të qytetit. Qendra e qytetit është përsëri Pazari.
Plani i dytë Rregullues është ai i vitit 1926 ku kontrollohet për herë të parë qendra e qytetit dhe aksi Veri-Jug i Bulevardit. Ky është më tepër një rishikim i Planit Rregullues të vitit 1923 në drejtim të sistemit rrugor.
Plani i parë i periudhës së Mbretit Zog është ai i vitit 1928. Në këtë Plan Rregullues duket qartë sistemi kuadratik i rrjetit rrugor sidomos në zonën e Tiranës së Re. Këtu konturohet me saktësi aksi i Bulevardit me qendrën administrative nga Pazari deri në skajin e kodrave në jug, tek Pallati Mbretëror.
Plani i dytë Rregullues i periudhës së mbretit Zog është ai i vitit 1929. Këtu konturohet i gjithë aksi i bulevardit nga Stadiumi në veri deri në jug tek Pallati Mbretëror. Për shkak të zhvillimit të vrullshëm ekonomik dhe si qendër administrative me urdhër të mbretit Zog përcaktohen kufijtë e rinj të qytetit.
Plani Rregullues i vitit 1934 i cili detajon vetëm Tiranën e re, mbështetet plotësisht mbi Planin Rregullues të vitit 1928 dhe jep saktësisht parcelat e çdo kuartalli me numra dhe emra pronarësh.
Plani Rregullues i Tiranës së Re i vitit 1940 ka ndryshime të mëdha nga ai i vitit 1934 sepse zona e rrathëve bashkëqendrore prishet dhe aty kalon një pjesë e unazës së qytetit.
Plani Rregullues më i plotë dhe i studiuar mirë ka qenë ai i vitit 1942. Punimet për këtë Plan Rregullues filluan në 1939 dhe përfunduar në 1941. Ky Plan Rregullues ndahet në disa etapa:
Plani Rregullues i vitit 1957 u hartua mbi bazën e gjendjes ekzistuese të rrjetit rrugor si dhe shtimit e përmirësimit të tij.Në 1957 ishin 14.1 km rrugë. Ky plan i jepte qytetit një shtrirje në kufijtë e unazës së sotme.
Plani Rregullues i vitit 1990
Arteriet kryesore mbetën ato të planit të 1957. Ky plan ka patur si qëllim të shfrytëzojë rrjetin rrugor ekzistues dhe t’ja përshtasë nevojave në rritje të qytetit në perspektivë. Më 1957 qyteti mendohej të shtrihej në kufijtë e unazës së sotme.
/tesheshi.com/