Nga Bashkim Kastrati
Kosova pas luftës së vitit 1999 ka dalë e shkatërruar në përgjithësi dhe ka qenë e domosdoshme që të investohet në të gjitha sektorët. Infrastruktura rrugore ka qenë shumë e dëmtuar, por aq i dëmtuar ka qenë edhe sektori i shëndetësisë, arsimit, bujqësisë etj.
Asfaltimi i shumë rrugëve në fshatra të ndryshme ishte e nevojshme dhe e domosdoshme, por prioritet kryesor i investimeve kapitale ka qenë investimi në infrastrukturën rrugore në autostrada. Këto investime kanë nxitur komente të shumë njohësve të ekonomisë se, a do të duhej që të investoheshin qindra miliona euro në autostrada, apo këto para të investoheshin në fusha tjera ku do të përmirësohej mirëqenia e qytetarëve dhe zhvillimi ekonomik.
Sektori i shëndetësisë ka dalë e shkatërruar që nga koha e okupimit e sidomos pas luftës. Edhe sot ka vështirësi të shumta në këtë sektor, pasi qytetarët me vështirësi të shumta marrin shërbimet shëndetësore, ndërsa mungojnë aparatura të ndryshme në spitalet publike dhe për këtë arsye qytetarët janë të detyruar që këto shërbime të t’i kryejnë në sektorin privat, ku kostoja është shumë e lartë.
Investimet për të rregulluar sektorin e shëndetësisë nuk do të ishin aq të mëdha krahasuar me investimet që janë bërë e po bëhen në autostrada. Gjithashtu ka edhe shumë fusha tjera që për shkak të buxhetit nuk mund të përmirësohen. Shembull: numri i inspektorëve të punës është shumë i vogël dhe për këtë shkak nuk mund të bëhen inspektimet e duhura për të zbatuar Ligjin e Punës, ose inspektorët sanitarë, inspektorët farmaceutikë, inspektorët e pyjeve, etj etj. Pra shumë fusha do të përmirësoheshin nëse do të kishte prioritet që të investohej në to, investim që nuk do të ishte aq i madh krahasuar me milionat e investuara në asfalt.
Investimet kapitale jotransparente
Vendimi i qeverisë së Kosovës për ndërtimin e autostradës Morinë-Merdarë ishte mirëpritur edhe nga qytetarët, por kostoja e kësaj autostradea i ka dëshpëruar të gjithë. Për më tepër, kontrata e ndërtimit të saj është mbajtur e fshehur dhe nuk iu lejua qasje askujt në të. Kjo ishte paksa e çuditshme pasi bëhej fjalë për investime qindra miliona euro para të qytetarëve të Kosovës. Pas disa viteve doli në dritë e vërteta që ndërtimi i kësaj autostrade i kishte kushtuar Kosovës rreth 1 miliardë euro. Nga një përllogaritje del se ndërtimi i një kilometri autostradë, duke përfshirë këtu edhe shpronësimin e tokave, ka arritur në 12 milionë euro
Kjo kosto është kundërshtuar nga ekspertët e ekonomisë për faktin se pozita gjeografike ku është nderuar autostrada nuk ishte e vështirë për të pasur kosto aq të madhe.
Por edhe pas përfundimi të kësaj autostrade, sërish prioritet u bënë autostradat tjera, e jo fushat tjera, si shëndetësia për shembull, kur për të bërë një incizim me rezonancë magnetike qytetarët duhet të presin së paku një vit, ose ta bëjnë në sektorin privat. Blerja e aparaturave të tilla do të bëhej “me pak kilometra autostrade”.
Në investim i madh kapital po bëhet sërish. Konsorciumi turko- amerikan “Bechtel Enka”, që ka kryer punimet në autostradën që lidh Kosovën me Shqipërinë, ka përafruar punimet në segmentin e autostradës së re që lidh Kosovën me Maqedoninë, të filluar më shumë se një vit më parë. Kjo rrugë që do të jetë e gjatë 60 kilometra do të kushtojë hiç më pak se 600 milionë euro. Goxha kosto e madhe për buxhetin e varfër të Kosovës.
Por nuk mbaron më kaq. Përgatitjet për lëshim edhe të një segmenti të autostradës Kosovë- Maqedoni, që ka marrë emrin e politikanit “Arbën Xhaferi”, bëhen pikërisht në kohën kur pritet të fillojnë punimet në një tjetër rrugë të re. Ministria e Infrastrukturës, në muajin e kaluar, prezantoi projektin e autostradës së tretë në Kosovë, Prishtinë – Gjilan- Konҫul. Autostrada do të ketë një gjatësi prej 47 kilometra, kurse gjerësia e saj do të jetë 32 metra. Në kuadër të këtij projekti do të jenë katër ura. Kostoja e përafërt e autostradës është afro 260 milionë euro.
Me autostradat e reja në Kosovë, autoritetet vendore thonë se duan të lidhin me rrugët jo vetëm qytetarët e vendit, por edhe Kosovën me vendet e rajonit dhe rrjedhimisht të Evropës perëndimore. Por Kosova nuk do të ndalet as më kaq. Autostrada Durrës – Merdarë – Nish është projekti i radhës, që lidh Shqipërinë, Kosovën dhe Serbinë, si projekt i përbashkët i infrastrukturës rrugore dhe hekurudhore për Ballkanin Perëndimor dhe sigurisht edhe kjo autostradë do të ketë kosto të lartë.
Ekspertët e ekonomisë thonë se investimet e tilla nuk sigurojnë një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, dhe se efektet e saj në aspektin e punësimit janë të përkohshme. Duke marrë parasysh gjendjen e rëndë socio-ekonomike, është e domosdoshme që qeveria të fokusohet në sektorë që do të rritnin mirëqenien e qytetarëve duke bërë prioritet investimin në fusha të ndryshme për të përmirësuar jetën e qytetarëve.
Ndërsa qytetarët kërkojnë që qeveria e Kosovës të heqë dorë nga autostradat e shumta dhe të mos shpenzohen qindra miliona euro për ndërtimin e tyre, por këto para të orientohen për të përmirësuar jetën e qytetarëve. Tashmë shumë qytetarë e përdorin fjalën se “asfalti nuk hahet”, por duhet bërë prioritet përmirësimi i ekonomisë dhe ulja e nivelit të varfërisë, pasi që të varfërve nuk po iu duhen shumë autostradat. /tesheshi.com/