Nga Luljeta Progni
Dhjetë vitet e Edi Ramës në krye të PS, historia e spastrimit të partinë nga kundërshtarët dhe si u vendos modeli “Kokëdhima”…
Kur u zgjodh në krye të PS, në tetor të vitit 2005, Edi Rama u betua se do të pastronte Partisë Socialiste nga “”fshatarët që i prishin imazhin partisë”.
Rama e mori drejtimin e PS me kundërshtitë e një pjesë të rëndësishme të forumeve drejtuese të kësaj partie, por me mbështetjen shumë të rëndësishme të Gramoz Ruçit, në atë kohë Sekretar i Përgjithshëm i kësaj partie. Kundër Ramës ishin një grup deputetësh shumë prej të cilëve sot janë në krahun e djathtë të Edi Ramës. Një ndër ta është edhe Taulant Balla i cili ishte mjaft aktiv në grupin e deputetëve kundër zgjedhjes së Ramës në krye të PS-së. Megjithë kundërshtitë, Rama ishte kryetari i tyre dhe reforma për të spastruar partinë nuk do të vononte. Beteja e Ramës ishte me ata deputetë e drejtues që ishin ende besnikë të ish-kryetarit Fatos Nano.
“Kush jeni ju, o miq e shokë, që gjeni kurajon të na ndani në të rëndësishëm e të parëndësishëm, në personazhe emblematikë e në njerëz problematikë, në vendës e në të ardhur në një parti ku, dëgjojeni mirë këtë, kontributet dhe vendin e secilit nuk mund t’i vlerësojë e t’i përcaktojë më vullneti suprem i konjukturës së degjeneruar të demagogëve që politikën e kanë kthyer në një ves më të keq e më të dëmshëm se vetë kumari, të profesionistëve të hiçit e të statukuosë që në emër të respektit për procedurat mund të vrasin çdo embrion shprese e çdo ide të sapolindur, të dembelëve e parazitëve që fshihen pas parrullave të dashurisë për socialistët, por që, për habinë më të madhe, meazallah se i duan socialistët në votim për çështjet e mëdha të partisë!”, tha Rama në një ndër fjalimet e ditëve të para të angazhimit të tij në PS.
Përgjatë dy viteve të para të drejtimit të PS-së Rama bëri përpjekje për të konsoliduar pozitat e tij si kryetar i mbështetur pa mëdyshje nga Gramoz Ruçi. Pas zgjedhjve vendore të shkurtit të vitit 2007, ai ia doli të konsolidojë pozitat e tij në krye të partisë pasi fitoi për herë të tretë garën për bashkinë e Tiranës. Këtë garë e fitoi me ndihmën e Ilir Metës përmes një marrëveshje që u prish shpejt.
Ky është momenti i parë kur nis konkretisht spastrimi i partisë nga kundërshtarët. Në kongresin e 2 qershorit 2007, u miratuan ndryshimet në statutin e partisë. Sipas këtyre ndryshimeve, sekretari i përgjithshëm pushonte së ekzistuari si funksion dhe kompetencat e tij i mori kryetari i Asamblesë Kombëtare. Kryetar i këtij forumi u zgjodh Gramoz Ruçi i cili kishte dhënë dorëheqje në 9 tetor 2005 kur mori përsipër dështimin e “paketës Rama: në këtë kongres. Ishte moment për të kompensuar Ruçin dhe për ta rikthyer në drejtimin e partisë.
Sipas statutit të ri, kongresi rritej në numër nga 650 delegatë në 1500 delegatë; u rrit me 150 anëtarë Asambleja Kombëtare dhe në çdo forum 50% duhet të ishin gra. Në nivel lokal, PS iu shtuan zyrtarë të rinj. Në çdo qark u zgjodh një sekretar qarku dhe një nënsekretar.
Me sloganin “ndarje me politikën e vjetër”, kongresi i 2 qershorit bëri “pastrimin” e partisë nga ata që për momentin ishin kundërshtarë të Ramës në PS. U zgjodh Asambleja e re Kombëtare dhe sekretarët e rinj. Në Asamble dhe në Kryesi u zgjodhën shumë të rinj, që vinin nga OJF si “Mjaft” dhe Bashkia e Tiranës.
Figurat e rëndësishme të PS filluan të ndjenin humbjen e influencës. Përmes kësaj reforme Rama hoqi edhe kompetencat e kryetarëve të PS-së në rrethe pasi emëroi 13 nënsekretarë për 13 qarqet sipas ndarjes së atëhershme teritoriale.
Ky është momenti kur Rama vendosi kontrollin e plotë mbi PS-në. Përmes këtyre lëvizjeve ai zvogëloi dukshëm peshën e anëtarëve të forumeve të larta drejtuese të kësaj partie ku përfshiheshin edhe ata që kishin reformuar PS-së prej vitit 1991 kur kjo parti ishte ende Partia e Punës.
Gjatë punimeve të këtij kongresi pati rezistencë nga kundërshtarët e Ramës, ndër të cilët ishte renditur edhe Pandeli Majko. Bashkë me disa ish-drejtues të PS-së Majko paraqitit një paketë që kishte në thelb kundërshti të forta ndaj reformës së Ramës. Por paketa u rrëzua dhe Majko dha dorëheqje nga të gjitha funsksionet në PS.
Zgjedhjet parlamentare 2009, spastrimi i grupit parlamentar
Një tjetër goditje ndaj kundërshtarëve të tij në PS e realizoi në zgjedhjet e vitit 2009 kur la jashtë listës së kandidimit për deputetënjë pjesë të rëndësishme të ish-drejtuesve të kësaj partie. Pasditen e 18 majit të vitit 2009, ishte mbledhur Kryesia e PS-së për të diskutuar listën e kandidatëve për deputet, e hartuar nga Rama.
Lista u kundërshtua ashpër nga Kryesia pasi ishin përfshirë shumë persona të cilët nuk kishin kontribute në PS dhe kryesisht vinin nga një përvojë në Bashkinë e Tiranës. Ndër ta kishte edhe përfaqësues të lëvizjes “Mjaft” e drejtuar nga Erjon Veliaj. (kujtojmë që socialistët kishin një inat të hershëm me Veliajn dhe njerëzit e tij pasi kishin zhvilluar një betejë të rëndësishme për të rrëzuar PS-në nga pushtetit me serinë e protestave të suksesshme “Nano Ik”).
Në listën e kandidatëve për deputet të PS-së ishte Saimir Tahiri i cili e kishte nisur karrierën në PS si zëdhënës i Ramës, Olta Xhaçka pjesëtare e lëvizjes “Mjaft”, apo edhe Eduard Shalsi i cili ishte nënkryetar i bashkisë Tiranë. Në listë mungonte figura emblematike e socialistëve të Tiranës, Musa Ulqini, disa deputetë të tjerë, si Ylli Bufi, i cili ishte nënkryetari socialist i Parlamentit, por në listë mungonte edhe ish-kryetari i PS-së, Fatos Nano. Pavarsisht armiqësisë me Nanon, gjë që dihej tashmë, mospërfshirja në listë e ish-kreut socaalist, u shoqërua me kritika nga elektorati i kësaj partie.
Humbja në zgjedhjet e 28 qershorit, dorëheqja e munguar e Edi Ramës
Kur Partia Socaliste i humbi zgjedhjet e 28 qershorit 2009, Ben Blushi dhe Arben Malaj në krye të disa deputetëve socialist dhe anëtarëve të forumeve të tjera në PS, kërkuan dorëheqjen e Edi Ramës nga posti i kryetarit. Ata e bazonin kërkesën e tyre në statutin e partisë ku ishte sanksionuar ky nen sipas të cilit kryetari jep dorëheqje kur i humbet zgjedhjet paralmentare. Por Rama nuk e dha dorëheqjen sepse zgjedhjet e 28 qershorit nuk i pranoi si të rregullta. Ai tha se zgjedhjet ishin manipuluar dhe për këtë organizoi partinë në protesta masive në të gjithë vendin. Ndërsa në kongresin e partisë ai u rizgjodh kryetar dhe forumet e kësaj partie pësuan një tjetër ndryshim.
Rama e drejtoi PS-në për katër vitet në vazhdim, përmes një politike bojkoti e protestash kundër qeverisë. Për këtë mënyrë drejtim ai u kritikua shpesh nga kundërshtarët e tij tashmë të pakët në radhët e partisë. Lëvizja për Mendimin Ndryshe e drejtuar nga Blushi, ishte shpërbërë pasi kishte pushuar aktivitetin si lëvizje brenda PS-së. Deputetët e kësaj lëvizje, Andis Harasani, Marko Bello, Kastriot Islami, Arben Malaj kishin ngrirë thuajse tërësisht raportet me kryetarin Rama, ndërsa Blushi me sa dukej i kishte rikuperuar ato.
Në zgjedhjet e vitit 2013 është edhe faza e fundit kur u përjashtuan kundërshtarët e Ramës në PS. Në listën e kandidatëve për deputet të PS-së nuk u përfshin disa prej drejtuesve të rëndësishëm të kësaj partie, ndër të cilët edhe Arben Malaj. Ky i fundit kishte publikuar disa deklarata kundër Ramës gjatë drejtimit të dy viteve të fundit në krye të PS-së. Jashtë listës së kandidatëve për deputet të PS-së mbetën edhe disa ish-deputetë të rëndësishëm të kësaj partie, ndër të cilët edhe Ethem Ruka, Marko Bello, Andis Harasani, e të tjerë.
Në listën e kandidatëve për deputet të PS-së u përfshinë emra që kishin provokuar herë pas here “senatorët” e PS-së. Provokimi më i rëndë për ta ishte pikërisht përfshirja në listen e kandidatëve për deputet e botuesit të Shekullit, Koço Kokëdhima. Në listën e kandidatëve për deputet të PS-së u përfshi edhe Erjon Veliaj i “Mjaft” figurë e konstestuar nga socialistët në vazhdimësi. Në listen e Ramës u përfshinë shumë emra që nuk kishin asnjë lidhje me Partinë Socilaiste por që falë listës u zgjodhën deputetë dhe sot një pjesë e tyre janë ministra.
Rama i fitoi zgjedhjet e 23 qershorit në aleancë me LSI-në dhe ky është momenti kur “senatorët” e PS-së nuk kanë më asnjë peshë pushteti në parti.
Koço Kokëdhima vendos tashmë edhe për çështje të rëndësishme të kësaj partie siç është shtyrja apo jo e kongresit. Kjo gjë ka shkaktuar reagimin e ashpër të Gramoz Ruçit dhe të tjerë deputetëve me histori të gjatë në PS, siç është edhe Valentina Leskaj. Por ky reagim i Ruçit është i vonuar sepse pesha e tij në PS duket se ka rënë.
Të besdisur nga Koço Kokëdhima tashmë janë edhe të rinjtë e parë të Edi Ramës, kategoria e ministrit të brendshëm Saimir Tahiri apo edhe më të hershmit besnikë të Ramës, Fatmir Xhafaj e të tjerë.
Ndërkohë që Ruçi, Xhafa, apo Tahiri po reagojnë kundër modelit Kokëdhima në PS, ka të tjerë që nuk e kanë aspak këtë mundësi. Janë ministrat e qeverisë të cilët tashmë janë edhe pa mandate deputeti. Në se ata guxojnë të ngrenë krye kundër modelit që parapëlqen kryetari, qoftë ky edhe modeli Kokëdhima, ata nuk e kanë mundësinë të reagojnë pasi mund të gjenden një ditë në rrugë, as ministër as deputet.
Ndryshimet e kryesive në vite: kush ka ikur e kush ka mbetur
Kryesia e PS 2005
Edi Rama
Pandeli Majko
Arta Dade
Arben Malaj
Artan Nelaj
Bashkim Fino
Blendi Klosi
Ben Blushi
Erjon Braçe
Gramoz Ruçi
Ilir Zela
Musa Ulqini
Namik Dokle
Saemira Pino
Viktor Doda
Vjollca Ibro
Ylli Bufi
Ermelinda Meksi
Valentina Leskaj
Gramoz Ruçin
Kryesia e vitit 2007
Edi Rama
Arben Isaraj
Arben Malaj
Ben Blushi
Erion Braçe
Ermelinda Meksi
Eva Allushi
Gramoz Ruçi
Ledi Shamku
Mimoza Hafizi
Namik Dokle
Pandeli Majko
Saemira Pino
Valentina Leskaj
Mimi Kodheli
Lindita Nikolla
Sekretarët
Andis Harasani
Arta Dade
Blendi Klosi
Edlira Haxhiymeri
Et’hem Ruka
Fatmir Xhafaj
Kastriot Islami
Besnik Baraj
Kryesia aktuale
Edi Rama
Arben Isaraj
Arta Dade
Ben Blushi
Besnik Baraj
Eglantina Gjermeni
Erion Braçe
Fatmir Xhafaj
Gramoz Ruçi
Lindita Nikolla
Mimi Kodheli
Namik Dokle
Niko Peleshi
Pandeli Majko
Saimir Tahiri
Valentina Leskaj
Vangjush Dako
Taulant Balla
Sekretarët
Arben Ahmetaj
Armando Subashi
Bashkim Fino
Blendi Klosi
Damian Gjiknuri
Erion Veliaj
Ilir Beqaj
Ndre Legisi
/tesheshi.com/