Nga Mimoza Golikja
Rënia e murit të Berlinit dhe shpërbërja e Traktatit të Varshavës në vitin 1991, shkaktuan një rivlerësim strategjik të qëllimit të NATO-s, natyrës, detyrave dhe fokusin në kontinentin e Evropës. Ky ndryshim ka filluar me nënshkrimin 1990 në Paris të Traktatit për Forcat e Armatosura Konvencionale në Evropë ndërmjet NATO-s dhe Bashkimit Sovjetik, e cila mandatonte reduktime specifike ushtarake në të gjithë kontinentin. NATO gjithashtu filloi një zgjerim gradual për të përfshirë edhe vendet që sapo kishin fituar autonominë në Europën Lindore, si dhe zgjerim të aktiviteteve të saj në situata politike dhe humanitare që nuk kishin qenë më parë shqetësime të NATO-s. Kështu blloku perëndimor ushtarak, me seli në Bruksel, i themeluar me firmosjen e Traktatit Atlantiko-Verior më 4 prill 1949 në Uashington, po hidhte hapat e zgjerimit të parë post-Luftës së Ftohtë pas ribashkimit të Gjermanisë më 3 tetor 1990 kur ish-Gjermania Lindore u bë pjesë e Republikës Federale të Gjermanisë dhe aleancës. Qëllimi thelbësor i NATO-s është të ruajë lirinë dhe sigurinë e anëtarëve të saj me mjete politike dhe ushtarake, duke promovuar vlerat demokratike dhe inkurajuar konsultimin dhe bashkëpunimin në çështjet e mbrojtjes dhe sigurisë për të ndërtuar besimin dhe parandaluar konfliktin. NATO është e angazhuar për zgjidhjen paqësore të konflikteve. Nëse përpjekjet diplomatike dështojnë, ajo ka aftësinë ushtarake të nevojshme për të ndërmarrë operacione të Kriza-menaxhimit. Këto kryhen në bazë të nenit 5 të Traktatit të Uashingtonit, traktati themelues i NATO-s, ose nën një mandat të OKB, vetëm ose në bashkëpunim me vendet e tjera dhe organizatat ndërkombëtare.
Anëtarësimi në Aleancë, objektiv dhe synim strategjik i Shqipërisë
Me marrjen e ftesën për anëtarësim në NATO në Samitin e Bukureshtit, Shqipëria përmbushi një synim strategjik dhe një objektiv parësor të politikës së jashtme, duke avancuar ndjeshëm në realizimin e interesave të saj kombëtare. Në themel të kësaj arritjeje madhore, qëndroi klima e favorshme që ekzistonte në vendin tonë, si rezultat i mbështetjes masive të opinionit publik për aspiratën e anëtarësimit, si dhe përpjekjet e vazhdueshme të institucioneve tona në të gjitha fushat: politike, të mbrojtjes, ekonomike, etj.
Ishte qershori i vitit 1992, kur Shqipëria aplikoi dhe u pranua zyrtarisht në Këshillin e Bashkëpunimit të Atlantikut të Veriut (NACC). Ishte ngjarje e rëndësishme që do të pasohej nga një vizitë e Presidentit të Shqipërisë, në selinë e NATO-s në dhjetor të vitit 1992, në një takim me Sekretarin e Përgjithshëm të Aleancës Manfred Verner. Kjo do të shënonte dhe vizitën e parë zyrtare. Por vetëm pas disa muajsh, pikërisht në mars të vitit 1993, Shqipërinë do ta vizitonte po për herë të parë, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Manfred Verner dhe në maj të vitit 1993, Shqipëria pranohet anëtare e Asamblesë së Atlantikut të Veriut. NATO lëshoi dokumentin ftesë të Partneritetit për Paqe, në janar të vitit 1994, duke e përcaktuar atë si një program të drejtpërdrejtë dhe një mekanizëm praktik për të transformuar marrëdhëniet ndërmjet NATO-s dhe shteteve jo anëtare, kryesisht të “Bllokut Lindor”, që nuk përfshiheshin nën “ombrellën e sigurisë” sipas artikullit 5 të NATO-s. Një muaj më vonë më 23 shkurt 1994, Shqipëria nënshkroi Dokumentin Kuadër të PfP duke u bërë zyrtarisht anëtare e kësaj iniciative (PfP) dhe më 20 prill 1994, Parlamenti shqiptar ratifikoi dokumentin themelor të PfP. Intelektualët shqiptarë më 3 qershor 1994, krijuan Shoqatën e Atlantikut të Veriut në Shqipëri në të cilën morën pjesë rreth 80 intelektualë të fushave të ndryshme dhe Shqipëria paraqiti në NATO dokumentin e prezantimit të saj në PfP, në 22 shtator 1994, ku deklaroi kapacitetet dhe kuadrin e bashkëpunimit si vend partner. Një vit më vonë, pikërisht më 25 janar 1995, u miratua programi i parë individual i partneritetit (IPP) të Shqipërisë me NATO-n dhe më 9 qershor 1995, vendi u përfshi zyrtarisht në procesin e planifikimit dhe rishikimit të partneritetit për paqe (PARP), proces i cili krijoi kushte për të përfituar dhe aplikuar eksperiencën e NATO-s në fushën e Planifikimit të Mbrojtjes. Duke marrë pjesë në ciklet e PARP, Shqipëria nisi shkëmbimin me NATO-n, të informacionit dhe marrjen më në detaje të ekspertizës për çështje të një spektri të gjerë, që përfshijnë politikën e mbrojtjes, zhvillimet për kontrollin demokratik të Forcave të Armatosura, mbi forcat që Shqipëria ofron në dispozicion të NATO/PfP dhe planet përkatëse financiare. Në vitin 1996, NATO ndërmori për herë të parë, një proces ambicioz studimi rreth mundësisë së zgjerimit të Aleancës, nëpërmjet 5 parimeve për zgjerim. Kurse më 7 korrik dhe më 11 Tetor 1996, në selinë e NATO-, do të zhvilloheshin dy sesione të dialogut individual NATO-Shqipëri. Shqipëria mori pjesë në takimin e parë të organizmit të ri që zëvendësoi NACC, dhe që u quajt Këshilli i Partneritetit Euroatlantik (EAPC), më 30 maj 1997, në Sintra të Portugalisë. Me një rëndësi të veçantë ishte vullneti i shprehur nga pala shqiptare në këtë takim, që NATO të kontribuonte në procesin delikat të rindërtimit të ushtrisë shqiptare sipas standardeve e koncepteve moderne bashkëkohore. Por situata në rajon dhe marsi i vitit 1998, do të bënte që Aleanca të shndërrohej në një nga pikat kryesore të fokusimit dhe koordinimit të përpjekjeve politike-ushtarake të bashkësisë ndërkombëtare për zgjidhjen e krizës kosovare duke përfshirë edhe opsionin e përdorimit të forcës. Pala shqiptare, po në mars të vitit 1998 u paraqiti vendeve të NATO-s shqetësimet dhe qëndrimet e saj pas përkeqësimit të situatës në Kosovë. Në qershor të vitit 1998, duke iu përgjigjur zhvillimeve dramatike në Kosovë, ministrat e Mbrojtjes të NATO-s vendosën adoptimin e një sërë masave konkrete ku veçohen, mbajtja e një stërvitje të përbashkët ajrore të NATO-s mbi Shqipëri dhe Maqedoni, si dhe hapja e zyrës së NATO/PfP në Tiranë. Por pa dyshim ajo që do të përbënte një pikë kulminante në historikun e marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Aleancës do të ishte Fushata ajrore e NATO-s kundër Serbisë, për të ndërprerë fushatën kriminale të spastrimit etnik të ndërmarrë nga regjimi i Millosheviçit. Gjatë krizës së Kosovës, në vitin 1999, Shqipëria ofroi lehtësirat e saj aeroportuale në ndihmë të operacionit të NATO-s në Kosovë dhe mund të thuhet pa mëdyshje se Shqipëria, de facto, reagonte e vepronte sikur te ishte një vend anëtar i NATO-s. Madje në 31 gusht 1999, NATO krijon KOMMZ (Ë) (Durrës) për mbështetjen e mëtejshme të misionit të saj në Kosovë. Shtabi i saj u integrua në strukturën e KFOR dhe përbënte forcën e parë operacionale të NATO-s të dislokuar në Shqipëri. Ndërsa pas Samitit të Ëashingtonit 23-24 prill 1999, Shqipëria së bashku me 8 vende të tjera (me vonë dhe Kroacia) u pranua si vend aspirant për anëtarësim në NATO.
Raporte progresive të Shqipërisë me Aleancën E NATO-s
Shqipëria paraqiti për herë të parë Planin e Veprimit për Anëtarësim (MAP) në nëntor të vitit 1999 dhe gjatë harkut kohor prej një dekade, raportet me Aleancën Atlantike shënonin vetëm progres. Raportet institucionale Shqipëri-NATO, të fokusuara kryesisht në përpjekjet e vendit tonë për anëtarësim në NATO, nëpërmjet ndërveprimit aktiv në procesin e Planit të Veprimit për Anëtarësim (MAP) dhe procesit të Planifikimit dhe Vlerësimit të Mbrojtjes (PARP). Që nga pranimi në MAP më 1999 e deri në anëtarësimin e plotë në NATO më 2009, përpjekjet e Shqipërisë për t’u bërë pjesë e Aleancës Atlantike kaluan nëpër disa etapat të rëndësishme të vlerësimeve politike të bëra nga vendet e NATO-s, në samitet e Pragës në vitin 2002, Stambollit në vitin 2004, Rigës në vitin 2006, duke marrë inkurajimet e duhura nga aleatët dhe u ftuar zyrtarisht për anëtarësim në Samitin e Bukureshtit më 2008. Kështu Shqipëria dërgoi misionin e parë në Afganistan, në gusht të vitit 2002, ku 23 veta nga regjimenti komando u bënë pjesë e misionit ISAF të NATO-s dhe në vitin 2003, Shqipëria, Forcat e saj të Armatosura, dërguan misionin e tyre të parë në Irak, një kompani komando. Në Samitin e Stambollit, çështja kryesore ishte përmirësimi në bashkëpunimin e strukturave NATO/EAPC/PfP, që u përpunua tërësisht në raportin e rishikimit të gjithanshëm. Kryetarët e shteteve dhe qeverive e përshëndetën Shqipërinë për progresin e ndjeshëm në reforma, rolin e saj konstruktiv në nxitjen e stabilitetit rajonal dhe mbështetjen për Aleancën. Ngjarje tepër e rëndësishme për vendin por dhe për rajonin ishte ajo e majit e vitit 2003, kur Shqipëria, Kroacia dhe Maqedonia së bashku me SHBA nënshkruan “Kartën e Adriatik 3 – SHBA”, e cila u konsiderua si një nismë që do të përgatiste hyrjen e të tre vendeve në NATO, sipas shembullit të “Grupit të Vilnusit”. Gjatë viteve 2004 – 2008, Shqipëria ka vazhduar procesin e konsultimeve me NATO gjatë takimeve të përvitshme që janë zhvilluar në kuadër të MAP, PARP dhe Ministerialit të NATO/EACP etj. Shqipëria ishte e angazhuar në përmbushjen e 43 objektivave të partneritetit, që përcaktonin masat për të aftësuar më tepër Forcat tona të Armatosura për të operuar së bashku me forcat e Aleancës. FASH kanë dhënë një kontribut domethënës në operacionet e mbështetjes së paqes të drejtuara nga NATO, por edhe BE e OKB. Janë pikërisht këto kontribute që ndikuan që Shqipëria të shihej si një vend që prodhonte siguri, në vend që të konsumonte atë. FASH krahas pjesëmarrjes në misione luftarake kanë realizuar edhe një numër aktivitetesh të tjera të përbashkëta me NATO të natyrës stërvitje, konferenca, etj.
Marrja e ftesës së anëtarësimit në NATO dhe anëtarësimi
Raportet e natyrës politike Shqipëri-NATO, ishin të bazuara mbi rolin dhe kontributin e Shqipërisë në rajon, me theks të veçantë në përcaktimin e statusit përfundimtar të Kosovës dhe mbështetjen e misionit dhe pranisë stabilizuese të Aleancës në rajon. Gjithashtu raportet e natyrës politike dhe operacionale mbi rolin dhe kontributin e Shqipërisë, ishin edhe në kuadrin e operacioneve dhe misioneve të NATO-s në Kosovë, Afganistan, Mesdhe etj. Përpjekjet për anëtarësim u intensifikuan ndjeshëm gjatë dy cikleve të fundit të MAP-it në periudhën 2007-2008, që rezultuan vendimtare për marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO nga vendi ynë, gjatë së cilave angazhimi aktiv i vendit tonë në proceset e ndërlikuara, dinamike dhe komplementare, MAP dhe PARP, për vetë rëndësinë e tyre në marrjen e ftesës për anëtarësim të vendit në NATO, mori përparësi absolute në lëmin e politikës sonë të jashtme dhe asaj të sigurisë. Në suazën e ndërveprimit me NATO-n, gjatë këtyre proceseve u intensifikuan veçanërisht aktivitetet e rëndësishme të natyrës politike, mes të cilave spikasin vizitat dhe takimet në selinë e NATO-s të zyrtarëve të lartë të shtetit shqiptar në nivel kryeministri, ministër i Punëve të Jashtme, ministër i Mbrojtjes, si dhe shumë takime të tjera të zyrtarëve të dikastereve të ndryshme, deputetëve të Kuvendit, politikanëve, gazetarëve, etj. Një tjetër drejtim prioritar gjatë periudhës së lartpërmendur ka qenë ndjekja e zhvillimeve ne rajon, ecurisë së misionit të NATO-s KFOR në Kosovë, dhe kryesisht të ecurisë së procesit politik për përcaktimin e statusit përfundimtar të Kosovës. Në këtë kuadër, vendi ynë ka vazhduar të paraqesë qëndrimet e tij rreth situatës në rajon, veçanërisht lidhur me statusin përfundimtar të Kosovës, nëpërmjet dialogut konstant me vendet kryesorë të Aleancës. Shtimi gradual i angazhimit dhe kontributeve të Shqipërisë në operacionet e Aleancës, kryesisht misionin ISAF në Afganistan, i cili mori gjithashtu gjatë periudhës së lartpërmendur vlerësime të larta nga NATO dhe vendet aleate. Po ashtu, në zbatim të angazhimit politik të vendit tonë për të kontribuar aktivisht në luftën kundër terrorizmit, falë punës së bërë në NATO, u arrit që akti zyrtar i pjesëmarrjes së vendit tonë në operacionin e NATO-s kundër terrorizmit në Mesdhe, “Active Endeavour”, të nënshkruhej më 24 maj 2007. Në përfundim të ciklit të nëntë të MAP-it, vendi ynë dhe Kroacia, u ftuan zyrtarisht në samitin e Bukureshtit, për t’u anëtarësuar në NATO. Në korrik 2008, vendet e NATO-s nënshkruan protokollin shtesë të Traktatit të Atlantikut të Veriut, ku Shqipëria dhe Kroacia u ftuan që t’i bashkoheshin Aleancës.
Marrja e ftesës në Bukuresht u pasua nga një periudhë takimesh dypalëshe midis ekipeve të ekspertëve të NATO-s dhe ekipeve te institucioneve shqiptare, për të konfirmuar zyrtarisht interesin, vullnetin dhe mundësitë e Shqipërisë për të plotësuar detyrimet dhe angazhimet politike, ligjore dhe ushtarake për anëtarësim. Produkt final i këtyre diskutimeve ishte një kalendar me afate kohore për përmbushjen e këtyre reformave. Periudha e përgatitjes për anëtarësim shërbeu për intensifikimin e përpjekjeve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, për të thelluar në të gjitha drejtimet reformën e mbrojtjes, duke përshpejtuar realizimin e prioriteteve sipas standardeve të NATO-s. Kështu, u punua me përparësi për plotësimin e kuadrit të dokumenteve bazë strategjike të rishikuara si Strategjia Ushtarake, Plani Afatgjatë i Zhvillimit të FARSH 2007-2020, Udhëzimi për Planifikimin Strategjik 2008, etj. Gjithashtu, u përshpejtua puna për përfundimin e një seri marrëveshjesh ligjore përkatëse me NATO-n dhe për implementimin e projekteve konkrete me Aleancën dhe me vendet aleate, në bashkëpunim me vendet e rajonit, duke u orientuar në gjetjen e zgjidhjeve më të përshtatshme dhe më efektive. Falë realizimi të të gjitha reformave në samitin e Strasburg-Kiel (2009), vendi ynë, u bë anëtare i plotë i NATO-s, së bashku me Kroacinë. Për sa i përket zhvillimeve në rajon, anëtarësimi i vendit tonë në NATO, ka rritur jo vetëm prestigjin tonë në rajon, por edhe mundësitë reale për të kontribuar për sigurinë dhe stabilitetin e tij. Në përputhje me realitetin e ri, është punuar intensivisht me të gjithë aktorët e përfshirë, kryesisht në suazën e iniciativës së Kartës së Adriatikut, për të bërë të mundur përfshirjen edhe të Kosovës, si vëzhguese e kësaj iniciative, objektiv ky i arritur më 2010. Gjithashtu, në kontekstin rajonal, vendi ynë ka mbështetur në NATO aspiratat integruese të Malit të Zi dhe Bosnjë-Hercegovinës, veçanërisht përfshirjen e tyre në programin e Planit të Veprimit për Anëtarësim (MAP), të cilit ata iu bashkuan përkatësisht në muajin dhjetor 2009 dhe prill 2010. Gjithashtu, vendi ynë ka mbështetur edhe aspiratat e Maqedonisë, për një anëtarësim sa më shpejt të jetë e mundur në Aleancë, bazuar në vendimet përkatëse të marra gjatë samiteve të Bukureshtit, Strasburg/Kehl dhe Lisbonës. Marrja e ftesës së anëtarësimit në NATO (në Samitin e Bukureshtit 2 prill 2008) dhe anëtarësimi me të drejta të plota në Samitin e Strasburg&Kehl, 2-4 prill 2009, finalizoi ato përpjekje dhe atë aspiratë mbarëshqiptare për anëtarësim në NATO. Ende, publiku shqiptar mbetet në treguesit më të lartë të mbështetjes së anëtarësimit të vendit në NATO dhe pjesëmarrjes në misione të drejtura nga NATO jashtë rajonit. Sondazhet zyrtare nxjerrin një mbështetje rreth 89% të shqiptarëve për NATO. Që nga anëtarësimi zyrtar i Shqipërisë në NATO ka nisur të zbatohet plani i integrimit që nënkupton reformimin e thellë të sektorit të sigurisë e mbrojtjes me qëllim ndërveprimin e plotë me NATO-n. Pjesë e këtij plani është paketa me 49 objektiva force të cilat janë marrë përsipër nga FASH si kapacitete operacionale të cilat vihen në dispozicion të NATO-s për misionet aktuale dhe të ardhshme. Thelbin e tyre e përbën “Grup batalioni i lehtë” i cili përfaqëson një “Task Forcë” me përbërje rreth 1000 veta. Në thelbin e saj është një batalion këmbësorie i lehtë, i motorizuar, i mbështetur edhe me njësi më të vogla (nivel kompanie apo toge) për shërbime zbulimi, mbështetje me zjarr, mbulim nga ajri, shërbim policie ushtarake etj. Forcat tona të Armatosura kanë qënë pjesëmarrëse të denja në misionin ISAF të NATO në Afganistan në disa rajone si Herat (me kontingjentin italian), Kabul (me kontingjentin turk), Kandahar (në misione speciale me kontingjentin amerikan) etj. Në total rreth 330 trupa shqiptare vepruan në zona të ndryshme të Afganistanit.