Entela Canaj
Ata janë etiketuar përherë si njerëzit e korruptuar të shëndetësisë dhe me më pak etikë në punë, por rrallë herë është folur për atë pjesën fisnike që mbart profesioni i infermierit. Këtë të martë infermierët në të gjithë botën kanë festuar Ditën Ndërkombëtare të tyre, si e vetmja ditë në vit kur nuk kritikohen por flitet së paku për arritjet dhe rëndësinë që ka një infermier në shoqërinë tonë.
Puna e infermierit
Luiza Panci, është një nga infermieret e shumta shqiptare; që i ka dedikuar këtij profesioni 30 vite të jetës së saj, dhe thotë me bindje se është punë e bukur dhe fisnike, pavarësisht zigzageve të karrierës në Shqipëri ku nga shefe mund të kthehesh fare mirë në një punonjëse të thjeshtë.“Ndihem shumë krenare për profesionin tim, unë kam qenë për 16 vite edhe kryeinfermiere, por them se më mirë se në rolin e drejtueses jam ndjerë si infermiere në spital. Unë ndihem mirë sidomos kur pacientët dalin nga spitali duke qeshur dhe më thonë faleminderit për kujdesin që treguat për mua. Ky çast është kënaqësia e punës sime,” thotë Luiza Pançi e cila aktualisht punon si infermiere pranë Qendrës Shëndetësore Numër 6-të në Tiranë.
Një ditë normale pune
Dita e një infermieri nis herët në mëngjes kur i duhet të paraqitet në spital apo në qendrën shëndetësore ku punon, dhe pasi të vesh përparesen, të kontrollojë kartelat e pacientëve që ka nën përgjegjësi; e të shkojë dhomë më dhomë për tu kujdesur nga afër për pacientët. “Ditën unë e nis herët, gjithmonë kam shkuar në punë gjysmën ore më përpara, për ta vënë punën në avancë. Mbërrij në spital, përgatis dhomën e mjekut dhe pastaj vijon ndjekia (shërbimi) i pacientit të shtruar, pritja e pacientëve të rinj, plotësimi i kartelave, formularët, pasi në kemi disa formular tip që pasi mbaron dita e vizitave ne i plotësojmë ato,” thotë Luiza Pançi. Fluksi i një ditë pune për një infermier shqiptar është shumë i lartë. Luiza thotë se ka ditë që bëhen deri në 70 vizita në ditë që është shumë për një infermiere, aq sa të mos kesh kohë të marrësh frymë. ‘Të bësh kaq shumë vizita në ditë edhe buzëqeshja të ngrin nga lodhja,” thotë ajo.
Kualifikimet
Është profesion i bukur por ka dhe vështirësitë e sfidat e veta, për të cilat Luiza thotë se mund të kapërcehen duke ecur me kohën, duke u trajnuar, kualifikuar ‘dhe duke u ndjerë profesioniste ti vetë si fillim pastaj të presësh vlerësimin nga të tjerët’. “Unë ua them dhe kolegeve të mia shpesh që të ecin para me punën e tyre. Unë vetë në asnjë moment nuk kam ndenjur në vend, kam bërë një tjetër shkollë te Fakulteti i Shkencave Sociale në Elbasan që më ndihmon edhe në punën time të përditshme si infermiere për ti kuptuar më mirë pacientët edhe nga ana psikologjike pasi sëmundja përvceç dhimbjeve fizike ka edhe stresin te çdo pacient që vjen në spital. Dhe nëse sillesh mirë me pacientin dhe ke fituar besimin e tij, e ke shëruar në një farë mënyrë,” thotë më tej Luiza, ndërsa shton se roli i punonjësve sociale në shëndetësi duhet të shihet më me prioritet. “Është shumë vendimtar në shëndetësi, sidomos në kohën kur po jetojmë ka shumë të sëmurë të vetmuar, veçanërisht të moshuar që nuk kanë mundësi të vijnë në spital, për të marr mjekimin, apo për tu vizituar herë pas here, dhe unë them se futja në shëndetësi e punonjësit social, siç veprohet edhe jashtë vendit dhe me klinikat private të funksionojë edhe në Shqipëri, pasi mund të bëjnë lidhjen e pacientit në banesë me spitalin, duke kufizuar mundin dhe kohën. Sot mungesa e një punonjësi social zëvendësohet nga miqtë, nga të afërmit, apo nga fqinjët, të cilët nga solidariteti që kemi ne shqiptarët e shoqërojnë një të moshuar në spital për të bërë gjilpërën apo për një tjetër shërbim mjeksor, por nëse spitali do kishte punonjës social ata do e kishin për detyrë të kujdeseshin që pacientët të mos mbeten pa mjekim edhe kur nuk kanë mundësi të vijnë vetë në spital,” thotë më tej Luiza.
Testimi i infermierëve
Debatet e lindura së fundmi për testim të bluzave të bardha Luiza nuk i sheh si problem apo formë presioni, mjafton që të mos bëhen fshehtasi dhe bujshëm. “Le të bëhen kualifikime, ritestime për të parë se sa kanë avancuar infemierët apo mjekët në punën e tyre, por jo të jetë një provim ‘bum’ i menjëhershëm pa u shpjeguar pse po bëhet dhe çfarë qëllimi ka. Nëse është thjesht për matjen e njohurive dhe asgjë tjetër atëherë të gjithë e përqafojmë. Ne nuk jemi kundër trajnimeve, kualifikimeve dhe edukimt në vazhdim të profesionit tonë, përkundrazi, duam të jemi të barabartë dhe me të njëjtat standarde me kolegët tanë jashtë vendit,” thotë më tej Luiza.
Roli i infermierit
Ajo ka qenë edhe jashtë shtetit për trajnime të ndryshme dhe thotë se diferenca është lehtësisht e dallueshme.”Dallimi është i madh në çdo drejtim. Unë kam qenë në Zvicër për një kurs 1 vjeçar, dhe me bëri përshtypje roli dhe rëndësia që iu kishin dhënë infermierëve nëpër spitale. Infermierët kishin më shumë prestigj dhe më shumë kompetenca në punën e tyre me pacientët, bënin mjekimin; psikoterapinë etj. Infermieri është kontakti i parë i pacienit me spitalin, ka një rol të rëndësishëm, them se roli i infermierit në Shqipëri duhet të ngrihet edhe më shumë, dhe më vjen mirë që gjërat së fundmi kanë nisur të ndryshojnë pozitivisht,” tregon Luiza.
Korrupsioni dhe etika
Kritikat për korrupsionin apo mungesën e etikës në veshje apo në komunikimin me pacientët Luiza thotë se janë të ekzagjëruara; pasi infermierët nuk mund të përgjithësohen. ‘Nuk e mohoj që janë identifikuar raste ku janë hasur problematika të tilla, si në çdo profesion, por nuk mund të etiketohen infermierët të gjithë bashkë, do ishte absurde. Unë njoh shumë kolege të miat që janë korrkete në punë, iu rrinë pacientëve pronto për çdo shërbim dhe nevojë, po ashtu janë edhe të hijshme në veshje, kështu që nuk duhen futur të gjithë në një kategori. Kam 30 vjet që punoj por nuk kam parë asnjë kolegen time të kërkoj lekë,” thotë Luiza.
Infermierët e rinj
Për brezin e ri të infermierëve ka një këshillë: ‘Duhet të jenë më korrektë, dhe me këmbët më në tokë, pasi shumica e tyre duan të bëhen menjëherë shefa sapo dalin nga bankat e shkollës, por ka dhe elementë mjaft të përgatitur nga brezat e rinj. Unë kur kam qenë kryeinfermiere i kam nxitur dhe udhëzuar infermieret e reja që të mësojnë të marirn eksperiencë hap pas hapi për të qenë profesionistë në punën që kanë zgjedhur të bëjnë,” thotë me tej Luiza, e cila si shumë të tjerë, e vetëdijshme mbi mundësitë e pakta që ofron Shqipëria për të bërë karrierë, e për të pasur një pagë të mirë, vazhdon të kontribuojë pa u kursyer në profesionin e saj.
12 Maji njihet si Dita Ndërkombëtare e Infermierëve, dhe është vendosur për nder të ditëlindjes së Florence Nightingale, e cila njihet edhe si themeluesja e infermierisë në botë. Dje në Ddtën e festës së tyre ministri Ilir Beqaj iu tha infermierëve se qeveria do ti mbështes për edukimin në vazhdim, ndërsa iu ka komunikuar se testimi do të kryhet pasi të jenë përpunuar pyetjet, të cilat do të bëhen në bashkëpunim dhe me Urdhrin e Infermierit. /tesheshi.com/