Agjencia e lajmeve Reuters njofton se Këshilli i Sigurimit i OKB-së ka për të nisur sot negociatat për një projektrezolutë që i nxit Rusinë dhe SHBA-të të garantojnë një armëpushim të menjëhershëm në Halep, duke u dhënë fund në të njëjtën kohë të gjitha fluturimeve ushtarake mbi qytet.
I hartuar nga Franca dhe Spanja, teksti i projektrezolutës do të diskutohet në Këshillin e Sigurimit pasditen e kësaj të hëne.
Siç deklarojnë diplomatët, nuk dihet ende si do ta presin rezolutën Rusia dhe Kina, dy vende që dhe më herët kanë bllokuar një sërë rezolutash mbi Sirinë.
Ministri i Jashtëm i Francës, Jean-Marc Ayrault, ka deklaruar se çdo shtet që e kundërshton rezolutën do të vlerësohet si i përfshirë në krimet e luftës.
Projektrezoluta i kërkon gjithashtu sekretarit të përgjithshëm të OKB-së të propozojë alternativat për një mbikëqyrje të armëpushimit dhe për kërcënime për masa të mëtejshme në rast të mosbindjes nga ndonjë prej palëve në konfliktin sirian. /tesheshi.com/