“Marrëdhëniet Shqipëri-Greqi, popujt do ta kuptojnë lojën dhe do të vetëvëllazërohen”
Nga Bardha Nergjoni
Një penë e fortë e Greqisë, një dashamirës i shqiptarëve, ka ardhur në panaririn e Librit në Tiranë me një rrëfim ballkanas Izmiri në flakë të botuar nga shtëpia botuese Toena.
Dinos Koubatis analizon historinë nëpërmjet një fabule që nis në Kretën klasike për t’u mbyllur sërish në Kretë, por e gjithë historia zhvillohet në Izmir, vendi ku jetuan bashkë grekë e turq, pse jo dhe shqiptarë.
Autori i vlerësuar me çmime ndërkombëtare, me një karrierë të pasur edhe si regjizor dhe aktor, bën krahasime të forta historike që lidhen me luftën e Sirisë. Ai e lidh atë me luftën në Izmirin e dikurshëm që u synua më shumë për pasurinë por që tregoi se njerëzit pavarësisht kombësisë, jetojnë e lidhen me njëri-tjetrin fuqishëm.
“Ajo që dua të theksoj është se libri bën fjalë për ngjarje që shënuan historinë e Greqisë. Janë ngjarjen reale që ndoshta nuk janë kaq shumë të njohura në Ballkan. Janë ngjarje për të cilat dua të them që historia nuk përsëritet por vetëm kanë ngjashmëri njëra ngjarje historike me tjetrën. Ka ngjashmëri të atyre ngjarjeve që vuajti Izmiri dikur me zhvillimet e sotme në Siri. Dua të besoj që motivi është i njëjtë pasuria nëntokësore, nafta e Mosulit.
Është një gjendje që zgjatet pambarim dhe nuk po i vjen fundi. Është për të ardhur keq, sepse për 100 vjet sakrifikohen shpirtrat e mijëra njerëzve thjeshtë të kënaqur oreksin e pangopur të Fuqive të Mëdha.
Unë e dua njeriun dhe më vjen turp për këtë epokë ku jetojmë sot, jetojmë me njerëz që nuk kanë asnjë gjurmë humanizmi tek vetja e tyre”.
Duke sjellë fabulën e librit, Koubatis thotë se bashkëjetesa në Izmir solli zhvillim dhe zhvillimi erdhi nga grekët e vendosur si refugjatë.
“Në rastin e konkret libri fillon me një familje që largohet nga Kreta pas sulmit e turqve në ishull dhe arrin në brigjet e Azisë së Vogël, e cila është nën pushtimin turk gjithashtu. Aty tek ato brigje këta refugjatë gjejnë mbrojtje. Vendasit i pranojnë. Këta refugjatë u larguan prej turqve dhe u pritën në Azinë e Vogël po prej turqve. Aty në vendbanimin e ri kjo familje krijoi lidhje me elementin grek dhe turk që jetonte aty. Ky komunitet i ndihmon për t’u ngritur. Paradoksi qëndron tek fakti që ndërsa turqit janë pushtuesit, por ama grekët që vendosen aty bëhen zotër të fushave të tilla ekonomike e tregtare. Kultura dhe puna e grekëve e shndërrojnë Izmirin në atë kohë në një Paris të vogël, një qytet që tërhiqte elitën e të huajve. Deri në momentin që i vihet flaka qytetit dhe pushtohet nga trupat e çrregullta turke, banorët turq të Izmirit u drejtohen vëllezërve të tyre grekë. Ata dolën në rrugë dhe thërrisnin çfarë bëjnë këta të çmendurit. Grekët largohen nga Izmiri. Qyteti iu dorëzohet flakëve. Grekët fillojnë një udhëtim që përshkruhet në mënyrë figurative si një rrugëtim i vuajtjeve të tyre duke kaluar në kufijtë e mbijetesës. Ata arritën të kthehen sërish duke vendosur kulturën e tyre tek atdheu, Greqia. Rikthimi vjen pas tre shekujsh”.
Ekziston një zinxhir konfliktesh që herë pas here zgjohet mes Shqipërisë, Greqisë dhe Turqisë. Si e parashikoni të ardhmen e këtyre popujve?
Për të ardhmen s’mund të parashikoj. Për të ardhmen vendosin Fuqitë e Mëdha.
Ju bëtë një krahasim midis asaj që po ndodh në Siri sot, me Izmirin që keni përshkruar në vepër. Si e parashikoni të ardhmen e Sirisë?
Do të vazhdojë kjo gjendje edhe në Siri derisa të shkojë në një pikë fundore. Nga sa dimë Fuqitë e Mëdha do të arrijnë qëllimin final.
Si i shikoni marrëdhëniet Shqipëri-Greqi në kohën kur jetojmë?
Nëse do të supozojmë që të tjerët do mendojnë për ne para se ne të mendojmë për veten tonë, nuk do kemi asnjë bazë dhe nuk do të ndërmarrim asnjë iniciativë, të paktën në rrafshin politik. Unë besoj se me kalimin e kohës popujt, e kam fjalën për masën, do ta kuptojnë këtë lojë që bëhet në kurriz të tyre dhe do të vëllazërohen mes tyre. Letërsia, arti ndihmojnë në afrimin e popujve, se arti hap horizonte shpirtërore dhe letërsia konturon ngjarjet e vërteta që ndodhin. Letërsia flet me gjuhën e popujve, me shpirtin e popujve, në këtë mënyrë ndihmon në çmontimin e teorive të vendosura nga politika që synon nënshtrimin e popujve. Nëse sot nuk bëjmë dot ndryshimin, por tashmë ne e dimë se kush është e vërteta.
Ju njohim si shkrimtar, si regjizor, si aktor. Çfarë do të na sillni në jetën tuaj artistike për të ardhmen e afërt?
Unë vazhdimisht jam në lëvizje. Lëvizjet e mia do t’i quaja si lëvizje në nxitim, si në fizikë. Këtë gjë mund ta them për letërsinë. Gjithmonë gjej diçka që është në zhvillim dhe që më tërheq vëmendjen.
Dorian Koçi: Koubatis ndërthur bukur historinë me letërsinë
Dinos Koubatis ka ndërthurur ngjarjet historike me letërsinë. Nëpërmjet figurës së gjyshit që tregon historinë e shpërnguljes së familjes së vet në Izmir, kemi tregimin narrativ të bashkëjetesës së popujve, një histori e cila është shumë e prekshme në Ballkan dhe që lidhet me historinë e eposit shqiptar. Si zakonisht në teatrin e luftimeve në mesdhe nuk mund të mungonim edhe ne shqiptarët. Kreta pushtohet nga Vasil Qiprilliu, nga familja e njohur e qiprillinjve të Beratit. Janë po ata Qiprillinj që japin leje për ndërtimin e katedrales ortodokse në Izmir. Kjo tregon rolin që kanë pasur elitat shqiptare në Perandorinë Osmane.
Një tjetër gjë që do ndërhyja, sepse ka qenë një debat i gjerë dhe zakonisht mes popullsive në rajonin tone, është fakti se Nishi është në Serbi por Konstandini, ai që solli krishtërimin, siç është pranuar nga autorët antikë, ishte ilir. Siç shikohet, kur ne historianët përzihemi në letërsi përpiqemi t’i shikojmë me lupën e historianit gjërat, por kjo nuk ia ul aspak vlerat romanit, i cili i fton të gjithë lexuesit në një aventurë të këndshme në letërsi, histori dhe gjeografinë e rajonit. Janë të gjitha aty, në ishullin e Kretës, edhe qytetërimi venecian edhe ai grek. Në këtë kontekst unë besoj se ky roman do të zërë një vend të veçantë në përkthimin e letrave shqip për të bërë të mundur që historinë e një vendi tjetër ta lexojmë brenda konteksteve kulturore të caktuar. /tesheshi.com/