Nga Bill McGuire, Science Focus
Kur flasim për tërmetet, prisni gjithmonë të papriturën – Ky është mesazhi që vjen nga sizmologët, profesor Erik Kale i Shkollës së Lartë Normale (ENS) në Paris, dhe Zhan Ritz, drejtor i Laboratorit të Gjeoshkencave (CNRS) në Monpelje.
Ata i bazojnë këshillat e tyre tek realiteti shqetësues: ndonjëherë Toka lëkundet në vende, ku nuk duhet të bëjë këtë. Këto ngjarje misterioze, të quajtura tërmete të brendshme, ndodhin larg kufijve aktivë midis pllakave tektonike, dhe në vende që zakonisht janë gjeologjikisht të qeta.
Kuptimi më i mirë dhe shpjegimi i tyre, është shndërruar në misionin kryesor të dy shkencëtarëve francezë. Pllakat shkëmbore që përbëjnë kapakun e brishtë dhe të jashtëm të planetit tonë, kryejnë një “vallëzim” të ngadaltë në gjithë sipërfaqen e planetit.
Ato lëvizin thuajse me të njëjtin ritëm që rriten edhe thonjtë e një njeriu. Tërmetet brenda pllakave tektonike janë shumë të rralla: numri i lëkundjeve domethënëse është i vogël, në krahasim me atë që ndodh në skajet e pllakave. Kale thotë se vetëm 20 tërmete të tillë me një magnitude mbi 6 e lart janë regjistruar që nga viti 1974 e këtej.
Rrallësia e tyre dhe periudhat zakonisht të gjata të ripërsëritjes së tyre, i bëjnë ato edhe më të vështira për t’u parashikuar. Megjithatë ato janë të afta të shkaktojnë shkatërrime të mëdha në qendrat urbane të papërgatitura, që nuk i kanë konsideruar asnjëherë tërmetet si një problem.
Tërmetet brenda një pllake tektonike, mund të ndodhin kudo ku është e pranishme në kore një thyerje gjeologjike. Shekujt e fundit ato janë regjistruar deri edhe në Bazel të Zvicrës, Nju Jork dhe Boston të SHBA-së apo nën lumin Shën Lorenc në Kanada.
Kohët e fundit, lëkundje të tilla kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në qytetin australian të Njukasëll. Por edhe në Botsvana të Afrikës së Jugut në vitin 2017, si dhe në Puebla të Meksikës, ku shkaktuan mbi 400 të vdekur. Kale dhe Ritz, tërheqin vëmendjen për një tërmet me magnitudë 5 që ndodhi afër fshatit Lë Teil të Luginës Ron në Francë në vitin 2019.
Ndërsa në vitin 2008, një tërmet me magnitudë 5.2 nën qytetin Linkolnshajër tronditi pjesën më të madhe të Anglisë. Lëkundja plagosi një person dhe shkaktoi dëme në vlerën 20 milion paund. Ndërsa lëkundjet që godasin Britaninë e Madhe dhe Francën priren të jenë të vogla, ndryshe ndodh në pjesë të tjera të botës.
Në vitin 2001, tërmeti më shkatërrues i kohëve moderne, me magnitudë 7.6 ballë që goditi qytetit Buj në shtetin indian Gujarat, shkatërroi rreth 300.000 ndërtesa dhe vrau deri në 20.000 njerëz. Duke u kthyer më pas në kohë, një tërmet me magnitudë 7 goditi qytetin e bregut lindor të SHBA-së në Çarlestonin në vitin 1886, duke vrarë 60 njerëz dhe shkaktuar dëme të mëdha.
Në Evropë, qytetet larg kufirit midis pllakave janë të rrezikuara nga tërmetet e mëdha, edhe nëse ato ndodhin rrallë, përfshirë Brukselin në Belgjikë, dhe Gjenevën dhe Bazelin në Zvicër.
Më 18 tetor 1356, një seri tërmetesh të forta brenda pllakave – më i madhi me magnitudë 6.6 ballë – dhe zjarri që e pasoi, shkatërroi zona të mëdha të qytetit.
Pavarësisht se ishte një nga tërmetet më të mëdha të regjistruara në Evropën Qendrore, numri i viktimave ishte më i vogël nga sa mund të pritej, pasi popullsia e Bazelit në atë kohë ishte vetëm rreth 6.000 banorë, dhe shumë prej tyre kishin ikur tashmë kur ndodhi goditja kryesore, për shkak të një para-goditjeje të fuqishme më herët gjatë ditës.
Një gjë që kanë të përbashkët tërmetet në brendësi dhe ato në skajet e pllakës, është mekanizmi i tyre i funksionimit. Në thelb, tendosja grumbullohet me kalimin e kohës në
një të çarë gjeologjike në koren e Tokës, derisa të arrijë një nivel kritik që shkakton thyerjen ose këputjen e të çarës.
Dhe kjo është ajo që shkakton një tërmet:këputja lëshon energji në formën e valëve sizmike në mënyrë që të reduktojë në zero tendosjen. Më pas, i gjithë procesi fillon nga e para. Tendosja mund të grumbullohet përgjatë të çarave të mëdha gjeologjike që shënojnë kontaktet midis pllakave individuale, siç ajo është e Shën Andreas në Kaliforni.
Në kufijtë ndarës midis pllakave teknike, kjo tendosje monitorohet duke përdorur GPS, matësit e sforcimit dhe metodologji të tjera. Por bazuar edhe në periudhën mesatare të kthimit të tërmeteve të kaluara në një çarje, mund të bëhen vlerësime të përafërta se kur ka të ngjarë të ndodhë goditja tjetër.
Kale vëren se frekuenca në Kaliforni, është zakonisht njëherë në disa qindra vjet. Por në lidhje me të çarat gjeologjike që shkaktojnë tërmete brenda një pllake, ekziston një problem. Struktura të tilla janë shpesh të vjetra dhe të groposura thellë brenda një pllake, dhe me raste mbi ekzistencën e tyre nuk dyshohet fare, deri sa ndodh një tërmet.
Ndërsa mekanizmi i akumulimit dhe çlirimit të tendosjes, është i njëjtë si për tërmetet brenda pllakës, ashtu edhe për ato që ndodhin në kufijtë midis pllakave, shkaktarët që shkaktojnë këputjen e të çarës mund të jenë të ndryshëm. Këputja e të çarës në skaje, provokohet nga lëvizja e pllakës.
Ndërkohë Kale dhe Ritz propozojnë diçka të ndryshme për brendësinë e pllakës:të çarat e fshehura ndodhin me shpejtësi, të paktën në një shkallë gjeologjike. Ato mund të shkaktohen nga shkarkimi i tensionit për shkak të shkrirjes së shtresave të akullit apo erozionit sipërfaqësor; nga reshjet që rrjedhin nga sipërfaqja; apo lëngjet e shkrira që ngjiten lart nga manteli i Tokës.
Në fakt, deformimi i kores për shkak të shkrirjes së shpejtë të shtresave të mëdha të akullit midis rreth 20.000 dhe 10.000 vjet më parë, është përmendur si shkaktar në nxitjen e shumë tërmeteve brenda pllakave tektonike, duke përfshirë Nju Madrid, Çarleston dhe Bazel.
Në fund të epokës së akullnajave, Norvegjia dhe Suedia, përjetuan një numër të madh tërmetesh si rezultat i shkrirjes së shpejtë të shtresës së akullit skandinav 3 km të trashë, e cila e lejoi shtresën poshtë të çlironte tendosjen që ishte grumbulluar për dhjetëra mijëra vjet.
Rezultati ishte një numër tërmetesh të mëdha me magnitudë 8 ballë, njëri prej të cilëve – rreth 8.200 vjet më parë – shkaktoi një rrëshqitje gjigante nën det pranë brigjeve të Norvegjisë, që shkaktoi një cunami në Atlantikun e Veriut. Dallgët arritën deri lartësinë 20 metra në Shetland dhe 6 metra në bregun lindor të Skocisë.
Po çfarë do të thotë e gjithë kjo për të ardhmen? Kale e ve theksin tek vështirësia e parashikimit të tërmeteve brenda pllakave tektonike. Gjithsesi, janë kryer studime që fokusohen në kërcënimin e paraqitur nga tërmetet të tillë në zonat që janë prekur prej tyre në të kaluarën. Dhe rezultatet janë shqetësuese.
Sot, më shumë se gjysma e popullsisë së botës është e urbanizuar, dhe qytetet në zonat e prekura nga tërmetet brenda pllakave janë rritur ndjeshëm në madhësinë e tyre. Për shembull, Bazeli është qendra e dytë më e madhe urbane e Zvicrës, me një popullsi gjysmë milionë banorë.
Po ashtu qyteti është një qendër kryesore për bankat dhe industrinë kimike. Pasojat e një tërmeti të ngjashëm me atë të vitit 1356 do të ishin shumë më serioze. Sipas Shërbimit Sizmologjik Zviceran, do të shkaktonte 3.000 të vdekur dhe deri në 80.000 ndërtesa që do të pësonin dëme mesatare deri në shumë të rënda.
Edhe Nju Jorku nuk është i sigurt nga një tërmet i ardhshëm. Edhe pse një magnitudë prej 7 ballë është e mundur, dhe vlerësohet se ndodh çdo 3.400 vjet, një tërmet brenda pllakës është jashtëzakonisht i rrallë. Rrjedhimisht, nuk ka asnjë kërkesë që ndërtesat të jenë në gjendje të përballojnë lëkundjet që vijnë nga një tërmet i kësaj madhësie.
Dhe pasoja është se nëse do të ndodhte një i tillë, do të shkatërroheshin ose dëmtoheshin qindra mijëra ndërtesa dhe do të vriteshin mijëra njerëz. Kur diskutohet mbi tërmetet e ardhshme brenda pllakave, duhet të merret parasysh një faktor tjetër kryesor:ngrohja globale. Ndërsa po shkrijnë akullnajat dhe shtresat e akullit, ngarkesa e reduktuar në koren poshtë, po shkakton të çara të cilat çlirojnë tendosje të akumuluara prej kohësh.
Kjo është vënë re në pjesë të Alaskës. Por shqetësimin më të madh e sjell Grenlanda. Në vitin 2019, u shkrinë shumë se gjysmë trilion tonë akull. Nëse kjo sasi shkrim përnjëherësh mjafton që të përmbytë të gjithë Mbretërinë e Bashkuar me një dallgë me lartësi 2.5 metra. /tesheshi.com/