Familjet e viktimave të sulmeve ndaj dy xhamive në Christchurch të Zelandës së Re kanë filluar varrimin e të dashurve të tyre, 5 ditë pas masakrës kur 50 besimtarë u vranë në atë që konsiderohet si masakra më e madhe dhe më e rëndë në historinë e këtij vendi.
Dy viktima e para u varrosën në varrezat e Parkut Memorial, një ditë pasi zyra e gjykatësit lejoi që trupat e tyre të dorëzoheshin tek familjet e tyre.
Për ironi, ata ishin refugjatët sirianë babë e bir, Khalid dhe Hamza Mustafa, 44 dhe 15 vjeç. Ata arritën në Zelandën e Re vetëm gjashtë muaj më parë. Nga familja e tyre u plagos dhe 13-vjeçari Zed.
Kryeministrja Ardern tha se ishte e tmerruar nga fakti se ata ikën nga Siria për t’u vrarë të premten në vendin e saj.
“Nuk mund ta përshkruaj se si ndihem për të kuptuar se si një familje e cila erdhi këtu për të qenë më e sigurt, për të pasur një strehë…(ngashërime)…kjo ishte shtëpia e tyre”, tha ajo.
Para varrimit, policia konfirmoi identitetin e pesë viktimave të sulmeve mbi xhamitë Al Noor dhe Linëood. Ndër të vrarët, sipas kryeministres të Zelandës së Re, Jacinda Ardern, është gjithashtu dhe 3-vjeçari Mucad Ibrahim, zyrtarisht i konfirmuar.
Policia tha se trupat e 27 viktimave do të identifikoheshin deri në mesditën e së mërkurës. Pak më vonë, Ardern tha se varrimi i 30 viktimave u miratua.
Ka një zemërim në rritje mbi procesin e ngadalshëm të identifikimit të të vrarëve sepse muslimanët i varrosën të vdekurit 24 orë pas shuarjes. Para varrimit, trupat janë të larë dhe janë mbështjellur me një kanavacë të bardhë, e mbi ta është aplikuar rituali i posaçëm i lutjes.
Spitali tha se 29 persona të tjerë po merrnin kujdes mjekësor. Tetë prej tyre janë në gjendje kritike, duke përfshirë një vajzë4-vjeçare në spitalin Starship në Auckland. /tesheshi.com/