Intervistoi: Blendi Gashi
Është në mandatin e parë të saj si e zgjedhur e popullit. Para se të përfshihet në politikë dhe të bëhet deputete, ajo ishte profesoreshë ku punoj në edukimin e nxënësve.
Vendosi ta lërë arsimin, për të vazhduar kontributin e saj në një nivel më të lartë, në politikë; siç thotë, për t’ju përgjigjur brengave të qytetarëve, më konkretisht të komunës nga vjen, Malishevës. Është kjo pra, deputetja e partisë NISMA për Kosovën Shukrije Bytyqi.
Ajo në një një intervistë dhënë për portalin mbarëkombëtar tesheshi.com, flet për kontributin e saj si deputete ndaj njerëzve që e kanë votuar, për krizën politike, për protestat dhe mënyrën e financimit të tyre, mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të reja e shumë çështje të tjera.
Jeni në mandatin e parë si deputete. Si është të jesh e zgjedhur nga populli dhe të punosh për të?
Normal që përgjegjësia prej atyre që më kanë zgjedhur është e madhe; dhe mundohem të jap çdo gjë nga vetja për të ngitur problemet me rëndësi që kanë qytetarët. Duke e ditur se këto probleme janë shumë të mëdha, atëherë dhe puna ime karshi zërit të qytetarëve vjen duke u rritur në vazhdimësi.
Para se të zgjidheni deputete keni qenë profesoreshë. Është më i vështirë edukimi i nxënësve apo marrja me politikë?
Puna si profesoreshë e cila më mundësoi të edukojë gjenerata të reja, është puna më e mirë që kam bërë në jetën time. Edukimi i gjeneratës të së ardhmës ka krijuar përgjegjësi të madhe, jo vetëm për mua por për të gjithë mësimdhënësit tjerë në Kosovë. Por duke parë situatën jo të mirë politike në vend, degradimin arsimor, antivlerat edukative, jam shtyrë që t’i qasem politikës në mënyrë që kontributin tim si mësimdhënëse në të mirë të nxënësve ta bart në politikë, për një arsim sa më cilësor në vend dhe këtë jam duke u munduar ta bëj përmes komisionit kuvendar për arsim.
Sa dëgjohet zëri i femrës në partin tuaj NISMA, në Kuvend dhe përgjithësi në Kosovë?
Sigurisht që ju keni përcjellë zhvillimin e partisë tonë NISMA. Që nga themelimi i Iniciativës Qytetare në Malishevë dhe në qytetet tjera, gruaja ka qenë zëri kryesor i kontributit për ndryshim. Edhe pas themelimit të partisë NISMA, nëse shikojmë listën e kandidatëve për deputetë në Parlamentin e Kosovës, mbi 40% e grave kanë qenë të përfshira në listë, duke u bërë subjekti i parë në Kosovë që ka krijuar një hapësirë të madhe për përfaqësimin e grave në këtë listë. Ne edhe shefin e Grupit Parlamentar e kemi grua dhe besoj që kemi përfaqësuar denjësisht partinë tonë brenda Kuvendit të Republikës së Kosovës .
Vini nga qyteza e Malishevës, komunë që ballafaqohet me shumë probleme. Sa keni ngritur zërin në Kuvend për bashkëqytetarët tuaj?
Malisheva është një prej qyteteve e cilaë ka pasur probleme të vazhdueshme dhe është e harruar nga qeverisja qendrore. Duke pasur parasysh këtë fakt, ne deputetët e Malishevës, së bashku me Kuvendin Komunal kemi ngritur çështje të ndryshme dhe kemi arritur që të zvogëlojmë numrin e vdekjeve nga pickimet e rriqrave, e cila ka qenë njëra nga prioritetet tona; kemi ngritur çështjen e ndërtimit të një çerdheje në Malishevë e cila ishte nevojë e qytetarëve; kemi ngritur çështjen e regjionalizimit të Malishevës e cila u bë nga qeverisja qendrore pa u pyetur qytetarët etj. Por duke e ditur se që në fillim Kuvendi ka pasur probleme të mëdha të funksionimit të tij për shkak të monopolizimit total nga “koalicioni i elefantëve”, natyrisht që kanë mbetur shumë çështje pa u diskutuar.
Kuvendi në javën e fundit të janarit pritet të filloj sesionin pranveror. A ka opozita ende gaz lotsjellës dhe a do të pamundësoj mbajtjen e seancave?
Mbajtja e seancave të rregullta pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese është absurde dhe e papranueshme përderisa qeveria nuk dorëhiqet pas shkeljeve të ndodhura. Mirëpo, nëse një gjë e tillë ndodh, ne si opozitë e bashkuar do të përdorim të gjitha metodat për të ndaluar dy të këqija të mëdha që i janë bërë vendit. Këto të këqija të parandaluara nga gazi lotsjellës dhe vendosmëria e qytetarëve janë legjitimuar edhe me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, andaj është tepër naive të mendohet që shkelësit e Kushtetutës të vazhdojnë sikur nuk ka ndodh asgjë.
Unë përfaqësoj interesat e qytetarëve dhe të atyre që më kanë votuar, andaj do ishte tepër e ulte që unë mos të mbroj shtetin dhe sovranitetin e tij, Kushtetutën dhe dëshirën e qytetarëve të Kosovës. Andaj, pavarësisht se a do përdorët gaz apo jo, ne jemi të vendosur të kërkojmë llogari për shkeljet kushtetuese dhe marrëveshjet në dëm të vendit .
Ju personalisht nëse ju obligon të themi kështu partia, apo opozita merr vendim që të hihdhni gaz lotsjellës në një seancë të radhës, a do ta bëni një gjë të tillë ?
Sa i përket obligimeve nga partia apo opozita kjo nuk qëndron. Ne nuk na detyron askush, kemi zgjedhur këto metoda për të parandaluar dy marrëveshje që tanimë edhe nga Gjykata edhe nga analistët, edhe nga ekspertët, është pranuar se kemi pasur të drejtë dhe ne do vazhdojmë të mbrojmë vendin nga copëtmi i tij. Fajtori kryesor i hedhjes së gazit , natyrisht nuk është bërë me dëshirën tonë por na është imponuar, dhe kjo hedhje gazi është bërë nga mendjemadhësia e qeverisë dhe tendenca e tyre për të fshehur një tradhti që ja kanë bërë vendit.
Ne, deputetët e subjektit NISMA jemi të pavarura dhe vendosim secili sipas vullnetit dhe nuk kemi presione nga partia, por as nga opozita. Ne si vullnetarë jemi lajmëruar që të parandalojmë një gjë të tillë, dhe duhet të kihet parasysh se pavarësisht a do jam unë deputete apo jo, ‘Zajednica’ nuk duhet të bëhet, andaj do ndihesha shumë krenare që ne e ndalojmë një të keqe të madhe për Kosovën, pavarësisht metodave të cilat i kemi e të cilat na janë imponuar.
Opozita e bashkuar ka thënë se s’do të ndalë protestat deri në largimin e qeverisë. Kur do të mbahet protesta e radhës dhe sa ka buxhet opozita të organizojë protesta të vazhdueshme?
Ne që në fillim kemi thënë se qeveria ka shkelur Kushtetutën me dy marrëveshjet tinëzarë të saj të nënshkruar në kohë pushimi për deputetët. Ne kemi qenë të bindur se këto marrëveshje për Asociacionin dhe Demarkacionin janë të dëmshme dhe në kundërshtim me Kushtetutën, andaj ata që e kanë shkel Kushtetutën nuk kanë as legjitimitet e as legalitet për të qeverisur me vendin. Ne nuk duhet të krijojmë praktika ku shkelet Kushtetuta dhe sillemi sikur s’ka ndodhur asgjë, prandaj protesta nuk do të ndalen dhe ato çdo ditë e më shumë po kanë përkrahje qytetare pavarësisht subjekteve politike. Ne për çdo ditë e më shumë na përkrahin edhe elektorat i dy partive në pushtet dhe mendoj se ata madje janë edhe me të zhgënjyer se elektorati ynë.
Sa i përket protestës së radhës mendoj se do të ju informojmë me kohë atëherë kur opozita e bashkuar do ta caktoj një datë, por mendoj se qeveria duhet të jap dorëheqje dhe të hap rrugë zgjidhjes së krizës duke e pranuar madje edhe fajin për shkelje kushtetuese. Sa i përket buxhetit për ne, pothuajse të gjithë jemi të angazhuar që më vetëfinancim t’i shërbejmë vendit dhe qytetarëve tonë, andaj ky vullnet për të vazhduar, pavarësisht problemeve financiare, ka reflektuar edhe të strukturat dhe qytetarët, por dëshira dhe vullneti për të parandaluar një të keqe te madhe për vendin ka lënë anash edhe probleme të tilla dhe dashamirësit e vendit po i ndihmojnë vendit qe të ecim përpara në kauzën tonë.
Zgjedhjet e kërkuara nga opozita po i refuzon pozita duke thënë se ato s’do të mbahen deri më 2018-të. Si e shihni ju zgjidhjen për të dalë nga kriza politike?
Pozita ka thënë se edhe “Zajednica” është në përputhje me kushtetutën madje dy liderët në koalicion për këtë kanë folur me bindje të plotë, por ja që ajo marrëveshje në 7 kapitujt e saj ra në kundërshtim me 23 nene të Kushtetutës.
Pra, kjo pozitë ka manipuluar së pari me elektoratin e saj, pastaj me qytetarët dhe kanë krijuar një republikë brenda Kosovës. Po të mos ishte reagimi i opozitës, sot Jabllanoviqi do ishte kryetar i asaj Republike apo “Zajednice”, apo si do që ta quajmë.
Pozita ka thënë se Demarkacioni nuk e humb asnjë pëllëmbë tokë të vendit, por ja që i kishin humbur mbi 8000 hektarë, dhe paramendoni një qeveri që fal tokë, që krijon shtet brenda shtetit çfarë qeverie është?
Prandaj të jeni të bindur se kjo qeveri do të shkoj më shpejt se që do ta mendojmë, sepse ata nuk mund as me ditë të qeverisin me vendin e jo ma deri ne vitin 2018. Sa i përket zgjidhjes ajo madje është thënë nga gjithë opozita e bashkuar, vendi duhet të shkojë në zgjedhje sepse në këtë vend duhet të respektohet Kushtetuta dhe duhet qe qeveria të këtë legjitimitet prandaj ata e kanë humbur legjitimitetin.
Sa është interesimi i personave për t.u inkuadruar në këtë parti. Si i vlerësoni sondazhet ku partinë tuaj e renditin jo mirë duke mos kaluar pragun për të hyrë në Parlament. Jeni të gatshme për zgjedhje dhe a do të hyni në një listë të përbashkët me partitë tjera opozitare?
Interesimi për t’u bashkuar me partinë NISMA është i madh dhe ai po vazhdon pa u ndalur. Ne jemi duke punuar në të gjitha degët dhe nëndegët dhe ka vullnet të madh për t’u bashkuar me ata që besojnë në platformën dhe programin tonë. Dhe vet fakti se 85% të listës për deputetë, duke me përfshirë dhe mua, kanë qenë njerëz të rinj në politik tregon se sa ka hapësirë për gjeneratën e re dhe rininë në përgjithësi, ku kjo kategori ndoshta ishte injoruar nga subjektet tjera.
Sa i përket sondazheve, ju kujtojmë se edhe para zgjedhjeve në nivelin qendror ne na kanë radhitur shpesh 1.2%, por mos të harrojmë se NISMA tani më është pjesë e Parlamentit. Besoj shumë se NISMA është tre apo katër fishuar tani dhe së shpejti do jetë njëra nga partitë më të mëdha në Kosovë. Mos të harrojmë se shumica e sondazheve kanë qenë një lojë propaganduese e pushtetit kundër nesh, por NISMA në sondazhet e fundit edhe përkundër propagandës ka rritje si në Malishevë, madje ajo fuqishëm po e merr edhe bastionin më të fuqishëm të PDK-së, Drenasin. Sondazhet e fundit e kanë renditur mjaft mirë në këtë qytet madje ka rritje pothuajse në gjitha qytetet tjera.
Sa i përket zgjedhjeve, ne jemi qysh tani të gatshëm të hymë në zgjedhje sepse besojmë në vullnetin dhe në figurat tona politike që na udhëheqin. Kurse, sa i përket një liste të përbashkët me VV-në dhe AAK-në besoj se ajo do jetë çështje diskutimesh dhe së shpejti do informohet opinioni.
Liberalizimi i vizave (do të ndodh këtë vit) dhe zgjedhja e presidentit (duhet të vazhdoj Jahjaga apo të zgjidhet Thaçi) janë tema të pashmangshme. Cili është mendimi juaj?
Sa i përket liberalizimit të vizave, ende nuk jemi të bindur që do të bëhet dhe arsyeja është e qartë, jemi gënjyer që nga 2010 dhe asnjëherë nuk është bërë kjo. Prandaj, krimi i organizuar dhe korrupsioni, nepotizmi në instanca qeveritare, uzurpimi i bordeve dhe institucioneve të tjera të pavarura nga kjo Qeveri janë sinjale jodemokratike për të lëvizur lirshëm. Mos të harrojmë se nga kjo qeveri kemi shpërnguljen e 100.000 qytetarëve nga humbja e shpresës, regresi ekonomik dhe degradimi i jetës institucionale, andaj nuk pres që do ketë liberalizim vizash. Me këtë qeveri as Evropa nuk është e i interesuar të liberalizojë vizat dhe ky është një fakt më shumë për të shkuar në zgjedhje.
Sa i përket zgjedhjes se Thaçit president, jam e bindur se nuk do të bëhet një gjë e tillë, pasi ai përveç që nuk përfaqëson unitetin kombëtar ai është shndërruar në një figurë përçarëse dhe është njeri nga shkelësit e Kushtetutës. Si mundet të zgjidhet një njeri president kur ka bërë tradhti kombëtare duke krijuar një organ që është komplet në kundërshtim me Kushtetutën dhe duke tradhtuar qytetarët bashkë më elektoratin e tij.
Prandaj, mendoj se ne duhet të shkojmë në zgjedhje, të krijojmë një marrëveshje politike për një kohë të caktuar, ku presidentja apo dikush tjetër të ushtrojë funksionin e Presidentit, të bëjmë reforma për zgjedhjen e presidentit nga populli dhe njëherë e përgjithmonë t’i ikim kësaj zgjedhje jo-unitare e cila përfaqëson rolin dhe funksionin e unitetit.
Për fund, mesazhi juaj për koleget deputete por edhe për grate në përgjithësi?
Mesazhi im për të gjitha gratë deputetë është që të punojnë në të mirë të vendit dhe të mos bëhen çadër e krimit korrupsionit dhe tradhtisë kombëtare, por të punojnë për të mirën e qytetarëve, për të mirën e pozitës së gruas në Kosovë e cila pothuajse është kategoria më e ndijeshme.
Duhet të eleminohen shkeljet e të drejtave të grave pasi viteve të fundit ka pasur mjaftë ngjarje të rënda për gratë për abuzim dhe krim ndaj tyre ku drejtësia nuk veproi si në rastin e Dijana Kastratit, Zejnepe Bytyqit e Donjeta Pajazitit, dhe njëherë e përgjithmonë gratë të jenë të barabarta para proceseve dhe rolit që përfaqësojnë. /tesheshi.com/