Presidentja kroate, Kolinda Grabar-Kitarovic, pati paralajmëruar javën e shkuar se vendi po shkonte drejt zgjedhjeve të parakohshme. Pas votimit të mocionit të mosbesimit për kryeministrin e Kroacisë, presidentja kishte kuptuar në bisedimet me partitë kryesore se ato ishin në favor të zgjedhjeve të parakohshme.
Dhe sot deputetët kroatë kanë votuar për shpërndarjen e parlamentit, duke u hapur rrugën zgjedhjeve të parakohshme. 137 parlamentarë, nga 151 të tillë, u shprehën në favor të shpërndarjes së parlamentit.
Zeljko Reiner, kryetari i parlamentit, bëri të ditur se shpërndarja do të bëhej efektive më 15 korrik.
Fillimi i shtatorit ngjan të jetë koha kur do të zhvillohen zgjedhjet e parakohshme. Ato mund të kryhen jo më herët se 30 ditë pas shpërndarjes së parlamentit, e jo më vonë se 60 ditë.
Vetëm pesë muaj arriti ta qeveriste vendin qeveria e së djathtës, e kryesuar nga teknokrati Tihomir Oreskovic. /tesheshi.com/