Nga Blendi Gashi
Muaji mars pritet të rikthej përfundimisht përplasjet direkte mes pozitës e opozitës kosovare. Kjo pasi Demarkacioni i kufirit me Malin e Zi, parashihet të hyjë në agjendën e Kuvendit në muajin e ardhshëm. Këtë e ka paralajmëruar kryeministri Isa Mustafa, por nuk ka dhënë një datë të saktë se kur do ndodh, por as nuk ka folur nëse koalicioni qeverisës i ka votat për ratifikimin e saj.
Por kreu i qeverisë nuk ka lënë pa ngacmuar partitë opozitare, pasi ua ka përmendur gazin lotësjellës, duke thënë se hedhja e tij nuk e ndryshon kufirin, derisa ka shtuar se klasa politike duhet të sillet në mënyrë të përgjegjshme siç ka thënë për hirë të interesave të qytetarëve.
Me një fjalë Mustafa ka kërkuara nga opozitarët të lejojnë votimin e kësaj marrëveshje, fatin e të cilës e ka ndërlidhur me liberalizimin e vizave.
Kjo kërkesë e tij sigurisht që nuk do merret parasysh nga opozitarët të cilën mbeten të palëkundur në qëndrimin e tyre të vjetër se Demarkacioni nuk kalon as kësaj rradhe dhe së paku jo në këtë formë.
Anda, Mustafa përveç se duhet të bind deputetët e partisë së tij që janë kundër votimit të Demarkacionit duhet të jetë i përgatitur edhe për skendarët që do përdorë opozita, ku nuk përjashtohet mundësia që ai të goditet sërish me vezë.
Ja ç’thonë opozitarët
Përfaqësuesit e opozitës thonë se do bëjnë ç’do gjë që të ndalojnë ratifikimin e marrëveshjes aktuale, por që metodat te cilat do i përdorin mund të dallojnë.
Dhe mospajtimi i tyre vazhdon të jetë tek hedhja e gazit lotësellës për çka Vetëvendosje është pro, këtë e ka paralajmëruar Albin Kurti në një intervistë dhënë për mediat shqiptare duke thënë se “kjo nuk varet nga ne por nga qeveria”, kurse AAK-ja është kundër.
Donika Kadaj, deputete e Vetëvendosje-s, thotë se partia e saj qëndron prapa kundërshtisë e cila e ka pamundësuar që kjo çështje të mos jetë sot punë e kryer, për çka shton se edhe qytetarët përmes peticionit të nënshkruar dhe protestave në sheshet e Prishtinës e kanë thënë fjalën e tyre kundër versionit aktual të Demarkacionit, i cili dëmton integritetin territorial të Kosovës.
“Kërkojmë nga qeveria që të mos tentojë ta sjellë në Kuvend marrëveshjen për Demarkacionin, dhe kuptohet se qëndrimi dhe veprimi ynë do të jetë i tillë që të pamupurndësohet ratifikimi i tij. Sigurisht që jemi të hapur për bashkëpunim dhe bashkëveprim edhe me dy partitë tjera opozitare, nëse mbajnë të njëjtat qëndrime që kanë pasur, e gjithsesi edhe me shoqërinë civile dhe të gjihë që janë kundër, Tani s’mundemi e as s’do preferoja të flisja për metodat dhe veprimet konkrete, por ajo që dihet është që do të veprojmë në mënyrën e atillë që të jemi sa më të efektshëm për ta a parandaluar këtë marrëveshje të dëmshme”, ka thënë Kadaj-Bujupi për tesheshi.com.
Pal Lekaj, kryetar i grupit parlamentar të AAK-së thotë se Mustafa e as partnerët e tij në qeverisje nuk do të duhej të guxonin që në emër të shumicës që kanë sot në Kuvend të tentojnë për ta risjellë versionin aktual të Demarkacionit.
Lekaj thotë se këtë temë duhet ta lënë për qeverinë e ardhshme e cila do të dilte nga zgjedhjet e parakohshme që duhet të mbahën.
“Për neve ky version i marrëveshjes nuk duhet të votohet nga Kuvendi sepse kjo nënkupton probleme të pafundme për të tashmen dhe të ardhmen e Kosovës. Asnjë gjeneratë e njerëzve të Kosovës nuk do t’ia falin asnjërit që do t’i thotë po kësaj marrëveshje. Metodat nuk janë shumë më rëndësi se cilat do përdoren. Ne edhe sot jemi në vazhdimësi në kontakte e takime me qytetarët e ku pjesë e bisedave interaktive me ta janë edhe mbrojtja e integritetit territorial. Marrëveshjet për kufijtë dhe sovranitetin e Kosovës nuk do të jenë asnjëherë të mira e të sigurta për vendin tonë derisa kemi persona në krye të qeverisë që primare e kanë pushtetin e jo shtetin”, ka thënë Lekaj për tesheshi.com.
I pyetur se a do hedhin deputetët e AAK-së gaz lotësjellës në seancën kur do rikthehet Demarkacioni, ai bën të ditur se nuk do do bëjnë një gjë të tillë.
“Gazin lotsëjellës jo. Ne do jemi bashkë si opozitë në kundërshtim të marrëveshjes, por për veprime mund të dallojmë”, ka deklaruar Lekaj.
Valdete Bajrami, shefe e grupit parlamentar të NISMA-s, thotë se versioni aktual i Demarkacionit është i papranueshëm për partinë e saj dhe do të vazhdojnë ta kundërshtojnë, pasi thotë se ekspertët e fushës e cilësojnë si të dëmshme dhe që rrezikon territorin vendit.
“NISMA kërkon që ky version i kësaj marrëveshje të mos votohet nga të gjithë deputetët e Parlamentit sepse tash më edhe ata e kanë kuptuar se pranimi i kësaj marrëveshje do t’i kushton vendit me humbje të mijëra hektarëve”, ka thënë Bajrami për tesheshi.com.
Kujtojmë që më 1 shtator të vitit të kaluar kryeministri Mustafa tërhoqi nga rendi i ditës projektligjin për demarkimin me kufirin e Malit të Zi, me pretekstin se një grup parlamentar duke aluduar në Listën Serbe e ka kushtëzuar votimin e këtij projektligji. /tesheshi.com/