Ndërkombëtarët janë detyruar që të dalin nga gjuha e drunjtë diplomatike, pas një përballjeje me opozitën dy ditë më parë me dyshen Basha-Kryemadhi, duke e shpallur fillimisht parlamentin pa opozitën si krejt legjitim.
Në një deklaratë për median, Kunt Fleckenstein,më aktivi ndër anëtarët e delegacionit të PE-së, tha se nuk ka asnjë diskutim që Parlamenti do të funksionojë, qoftë edhe pa anëtarë të rinj, por duke shprehur besimin se një opozitë e re mund të shfaqet.
“Nuk kemi dyshim që ky parlament do të vazhdojë rrugëtimin e vet, ndoshta edhe me anëtarë të rinj”, tha diplomati i Brukselit, i cili nuk e fshehu zemërimin me znj.Kryemadhi, lidhur me disa deklarime të kësaj të fundit në bisedë me të.
“Dje patëm disa shkëmbime me disa ish-deputetë. Zoti Basha foli me ne. Ne i bëmë të qartë se i kuptojmë nga njëra anë se ne i kuptojme problemet e tij por bojkoti nuk i zgjidh ato. U zhgënjeva nga kryetarja e LSI. Ajo tha se e kanë marrë vendimin e tyre dhe në rast se ne nuk e kuptojmë këtë gjë nuk është problemi i tyre”, tha ai, duke komentuar dhe qasjen e saj ndaj disa elementesh dhune në protesta.
“Ata që organizojnë protesta duhet të kujdesen për të parandaluar dhunën. Ata që organizojnë protesta duhet të mbajnë përgjegjësi. Nuk mund të organizosh protesta dhe të thuash nuk është dhuna ime. Pamjet e dhunës do të kenë pasojë për diskutimet që do të organizohen në qershor”, u shpreh Fleckenstein.
Nga ana tjetër, opozita ka marrë një goditje dhe nga konfirmimi se zjedhjet e 2017-ës janë të mbyllura e të pranuara nga ndërkombëtarët, mbi të cilat opozita ka ndërtuar dhe kauzën e saj.
Ka qenë shefi i delegacionit Tunne Kelam, që tha se “zgjedhjet janë të njohura, janë pranuar. Bojkotimi i Kuvendit, në vetvete përbën një sinjal shumë të keq, cënon besueshmërinë e kombit dhe të shtetit. Ne nuk jemi dakord që bojkotimi i Kuvendit do të ishte gjëja e duhur për t’u bërë. Nuk mund të gjesh dot një arsye, një pretendim për të penguar anëtarësimin, nga interesa partiake”, theksoi ai.
Shqetësimi i emisarëve të Brukselit, por dhe pikëpamja e tyre mbi aksionin opozitar me dorëzim mandatesh, ka qenë mbi (mos)hapjen e negociatava në qershor
“Ne jemi të interesuar që Shqipëria të hapë negociatat. Ky është një objektiv i rëndësishëm. Të gjitha problemet mund të zgjidhen brenda BE. Nuk duhet të ketë asnjë mosmarrëveshje për shkak të problemeve kombëtare. Ne na intereson po aq sa juve që të bëheni pjesë e BE-së. Sinjali më i keq që jep vendi juaj është se ka ndasi politike”, u shpreh Kelam. /tesheshi.com/