Nga Ermir Hoxha
Ish-kreu demokrat Berisha ka bërë një prej atyre deklarimeve që nuk janë pjesë e zakonshme e vokabularit të tij, dhe që gjithashtu kanë të bëjnë me periudhën më të sikletshme të identitetit të tij politik e publik, atë të para viteve ’90. Nuk ka qenë kurrë sekret: njeriu që u vendos në krye të partisë së parë opozitare anti-komuniste, ishte një ish-komunist. Jo 2, 5 apo 10 vite, por më shumë se 20 vite. Siç kuptohej, zbritja e tij nga Tropoja në Tiranë si nxënës fillimisht e më pas si student, do paraprihej dhe nga pasja e një statusi politik si “bir i partisë”, një gjë e kuptueshme për kohën, kur ishte fjala për individë me prirje të forta për karrierë, profesionale e jo vetëm.
Madje ka qenë ironia më e madhe e kohës, ajo që anti-komunizimi në Shqipëri, përfaqsuar pra nga PD në nisjen e erës demokratike, do udhëhiqej nga një ish-komunist. E megjithatë kjo u pranua, heshturaz dhe unanimisht nga gjitha zërat shoqërorë, pa kontestime, madje dhe nga ish-të përndjekurit, që kurrë nuk e vunë në dyshim metamorfozën politike të Berishës, ndodhur brenda një kohë shumë të shkurtër. Berisha e kishte dorëzuar teserën e PP shumë pak para se të futej në lëvizjen demokratike, pa ndonjë shenjë të dukshme disidence.
Vetë Berisha kurrë nuk u ngacmua me këtë të shkuar kompromentuese. As nuk tentoi të bëntë një apologji të saj. Edhe ai, porsi elektorati demokrat e opinioni në përgjithësi, e “harruan” atë të shkuar. Por me burim atë, të dikurshmen komuniste, Berisha do prodhonte slloganin historik, ndoshta të vetmin në ligjërimin e tij politik 27-vjeçar, “bashkëvuajtës e bashkëfajtor”. Në këtë dy-fjalësh, u lexua vetëdija e tij për të djeshmen, të qënit realist për “njollën në biografi”, por që e konsideronte si diçka brenda përgjegjësisë kolektive.
Pikërisht këtë ka ripohuar në intervistën më të fundit, dhënë të martën në mbrëmje në Studio e Hapur e Enis Vasilit, i ftuar të flasë për 20 shkurtin historik të rrëzimit të shtatores së diktatorit.
“E tërë pjesa tjetër e popullatës që shkonte dhe votonte në kutitë e votimit, me votë sekrete votonte për Partinë e Punës. Një bashkëfajësi duhet ta ndiejmë këtu. Problemi më madhor i shqiptarëve është mungesa e pendesës. Po t’i marrësh bashkëqytetarët tanë të dashur që unë i admiroj, nuk kam dëgjuar njeri tjetër të kërkojë falje në këtë vend. Unë kam kërkuar të falur sepse kam votuar për diktaturën”, ka deklaruar Berisha, ku siç mund të vihet re, ai vetëpërshihet tek të shumtët, tek kolektivja, me gjasë për t’i ikur përgjegjësisë personale. Madje preferon dhe ta shkrijë identitetin e tij individual, të jetë një i zakonshëm.
Por ajo çfarë bën përshtypje, është dhe një lloj shfajësimi në trajtë akuze që ai ngre. “…nuk kam dëgjuar njeri tjetër të kërkojë falje në këtë vend”, thotë Berisha, pa e specifikuar se kush duhet ta bëjë këtë, cili individ apo grupim. Sipas asaj çka pretendon ish-kryedemokrati, çdokush që ka hedhur votën për PPSH-në në votimet e asaj kohe, duhet të kërkojë ndjesë, pavarësisht statusit publik apo pozicionit shoqëror, me përgjegjësi apo pa të.
Dhe më tej, prej tij vijnë po ashtu deklarime për t’u diskutuar.
“Unë kam votuar për diktaturën, kam kërkuar falje”
“Kjo është një ndjesë që e kam bërë disa herë, që të hap rrugën, që njerëzit të ndjejnë bashkëfajësinë, dhe të kërkojnë ndjesë”.
Por a është e vërtetë kjo? Në fakt nuk njihet deri më tani asnjë ndjesë publike e Berishës në lidhje me të kaluarën e tij komuniste. Aq më tepër që nuk ia ka kërkuar kush.
Vetëm njëherë përballë Blendi Fevziut, ai ka folur mbi arsyet e anëtarësit në PP, dukë thënë se u përfshi nga ndjesitë, sa atdhetare e sa internacionale, pas pushtimit rus të Çekosllovakisë. Tej kësaj, ai gjithmonë i ka imponuar opinionit një lloj amnezie.
Si ilustrim i kësaj, është fakti se ai asnjëherë nuk ka preferuar të komentojë mbi disa foto kompromentuese të së kaluarës së tij afër regjimit, ku veçohet e ajo e një afiniteti tejet familjar, mes familjes së tij dhe asaj të diktatorit Hoxha.
Një heshtje e karakterizon dhe tek përmendja që i bën kundërshtari politik kësaj të kaluare. Dhe këtu duhet ndalur pak. Askush në ish-PP-në e periudhës pluraliste, e me vonë në PS, nuk a ngacmuar Berishën në të kaluarën e tij. I vetmi është Edi Rama me një refren përkujtues për opinionin, mbi statusin e dikurshëm politik të Berishës. Kjo dhe për faktin se pozicionimi i tij si anti-berishist, që në krye të herës, ka qenë pikërisht për këtë arsye. Siç e ka pohuar dhe vetë, ai nuk mund ta pranonte që në krye të PD-së të vihej një ish-komunist. Këtë e ofron dhe si argument se pse ai mbeti jashtë partisë së parë anti-komuniste.
Nga ana tjetër duket se Berisha ka ndjekur një strategji amnezie mbi të kaluarën. Pjesë e kësaj strategjie duket se ka qenë dhe fakti se gjuha e atij anti-komuniste ka ardhur duke u bërë gjithnjë e më ashpër, në përpjekjen për ta kompleksuar kundërshtarin, nën një “mbrojtje duke sulmuar”. Nëse ndokush nuk do kishte info mbi të djeshmen e tij nën komunizëm, do e merrte fët e fët për një ish-të përndjekur politik.
Ndërkohë, po te Eni Vasili ai bëri dhe një tjetër deklarim, paksa më pranë të vërtetës, mbi faktin se gjithsesi, ishte elita e lidhur me regjimin ajo që doli kundër, pjesë e së cilës ishte dhe vetë.
“…gjithë inteligjenca shqiptare që heshtte, që konformohej dhe që ishin dhjetëra mijëra, ishin një shtyllë e fuqishme e qëndrimit të diktaturës”. Por brenda saj është fjala “konformim”, gjithsesi kompromentuese, të cilën Lubonja kurrë nuk do e pranonte, gjersa mu për këtë nuk rresht se sulmuari dhe vetë Kadarenë.
Çështja është se çdo kish ndodhur më fatin e tij politik nëse komunizmi do vijonte të ishte ende në fuqi? Gjykuar nga trendi i tij jetësor, karakteri, lloji i moralit që ka ofruar në politikë, etj., a do ishte ai sot pjesë e nomeklaturës komuniste me shkallë të ngjitura një e nga një, apo do shpërthente në ndonjë disidencë në emër të vlerave demokratike, një flamur e valëvit parreshtur këto vite pluralizëm? Hë, cila është më e mundur? /tesheshi.com/