Grupi Parlamentar i AAK-së, përmes deputetes Donika Kadaj Bujupi, ka kërkuar shqyrtimin në komision të marrëveshjeve për demarkacionin dhe Asociacionin.
Një kërkesë e tillë është bërë për shkak se Qeveria po bën të pamundurën që ta përjashtojë Kuvendin nga ratifikimi i këtyre marrëveshjeve.
Ajo ka këmbëngulur që komisioni të kërkojë prej Qeverisë që këto marrëveshje t’i sjell në Kuvend, duke u mbështetur në nenin 18 të Kushtetutës.
“Komisioni për Ligje ka detyrimin që të mbrojë zbatimin e ligjeve dhe respektimin e kushtetutës. Prandaj procedimi me pika të rëndomta të rendit të ditës në një situatë të jashtëzakonshme, është i papranueshëm dhe në kundërshtim me misionin e deputetit dhe të komisionit”, ka thënë Kadaj-Bujupi.
Propozimi i saj, përveçse nga kryetarja e komisionit, nuk është mbështetur nga përfaqësuesit e shumicës, të cilët në mënyrë demonstrative e kanë braktisur mbledhjen e Komisionit. /tesheshi.com/