Çuditë dhe pikëpyetjet e krizës më të fundit mes vendeve të Gjirit Persik nuk kanë të sosur.
Katari mund të jetë vënë me shpatulla pas muri e të jetë përballur me një bllokadë të gjithanshme me akuzën për mbështetje të terrorizmit, ndërkohë që nënshkruan me SHBA-në një marrëveshje prej 12 miliardë dollarësh për blerje avionësh F-15.
Marrëveshja për blerjen e avionëve luftarakë u përmbyll të mërkurën në Uashington nga ministri i Mbrojtjes i Katarit, Khalid Al Attiyah, dhe homologu i tij amerikan, Jim Mattis.
Komenti i shtetarit në fjalë të Katarit është po ashtu në kontrast me atë për çka akuzohet vendi i tij nga fqinjët rajonalë.
Marrëveshja nënvizon, ka thënë Attiyah, “angazhimin e gjatë të Katarit në të punuarit së bashku me miqtë dhe aleatët tanë në Shtetet e Bashkuara në çuarjen përpara të kooperimit tonë ushtarak për bashkëpunim më të ngushtë strategjik në luftën për t’iu kundërvënë ekstremizmit të dhunshëm dhe për të nxitur paqen e stabilitetin në rajon e përtej”.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë përcjellë mesazhe të dyzuara në lidhje me krizën e Gjirit, që nga përkrahja fillimisht e Trump-it për palën e kryesuar nga sauditët e nga akuzat e tij për Katarin për mbështetje të terrorizmit, e gjer te kërkesa e Tillerson-it po për sauditët për ta lehtësuar bllokadën. /tesheshi.com/