Kosova si një vend i vogël por me një histori të madhe, është e njohur me ngjarje të shumta të zhvilluara përgjatë të gjitha periudhave historike. Ngjarje të cilat lanë gjurmë dhe u bënë burime historike më rëndësi në botë. Kosova sot vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes në të gjitha fushat, duke përfshirë edhe trashëgiminë kulturore me theks të veçantë objektet muzeore si pjesë e turizmit kulturor.
Të shumtë janë vizitorët që ia mësyn këtij vendi të vogël por të pasur me traditë të vjetër, një fjalë e urtëe popullit për mysafirin thotë: “Bukë e kripë, e zemër”. Kështu i presin kosovarët shumë turistë që vijnë ta njohin kulturën dhe traditën e vendit tonë. Vizitorëve përveç që ju pëlqen kultura jonë, atyre ju pëlqen edhe diçka që nuk është e jona kafeja apo e njohur ndryshe tek ne makiato që origjina e saj është Italia,e që sipas turistëve kosovarët e bëjnë më se miri.
Valon Shkodra është etnolog në Muzeun Etnologjik, shpeshherë është udhërrëfyes i shumë vizitorëve të huaj, në këtë intervistë flet për trashëgiminë kulturore dhe turizmin në Kosovë…
Intervistoi: Shkëlzen Rrecaj
Shkodra, ju jeni etnolog në Muzeun Etnologjik. Sa po vizitohet ky muze dhe sa ka interesim për t’u njohur me vlerat e trashëgimisë kulturore?
Muzeu Etnologjik është një prej vendeve më të vizituara në Kosovë, pas kompleksit “Adem Jashari” në Prekaz dhe Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
Faktikisht, ne jemi të kënaqur me numrin e vizitorëve, mirëpo nuk do të thotë kjo që numri i vizitorëve nuk do të rritet. E them këtë duke u bazuar në rritjen e interesimit nga viti në vit. P.sh. në këtë vit, numri i atyre që e kanë vizituar këtë muze është rritur 55 % nga ai paraprak. Por nëse e bëjmë një krahasim me muzetë e rajonit, sigurisht se nuk jemi të kënaqur, megjithëse jemi në rrugën e mirë pasi që Muzeu Etnologjik çdo ditë e më shumë po popullarizohet. Deri më tani për këtë muze kanë shkruar gazetat dhe revistat më prestigjioze siç janë: The New York Times, Washington Post, The Guardian, revista gjermane Stern, etj. E sa i përket gazetave dhe revistave të rajonit numri i tyre është shumë i madh.
Ne kemi një bashkëpunim të mirë me shkollat, prej kur fillon viti i ri shkollor muzeu vizitohet nga një numër i madh nxënësish së bashku me pedagogët e tyre.
Po ashtu nuk mungojnë as delegacionet e ndryshme si ministra, kryeministra, ambasadorë e deri te kryetarët e shteteve. Këtë muze vizitorët e huaj e pëlqejnë shumë. Mund të them se një prej vizitave të para në Prishtinë është Muzeu Etnologjik.
Shumë civilizime kanë kaluar nëpër territoret tona dhe nisur nga ky fakt a konsiderohet e pasur trashëgimia kulturore?
Kosova ka shtresime të ndryshme të trashëgimisë kulturore, duke filluar nga periudhat e hershme si: periudha Paraneolitike, periudha e Neolitit, e Bronzit, e Hekurit, pastaj periudha Dardane-Ilire, perandori të ndryshme si ç’është ajo Romake, Bizantine dhe Osmane.Secila prej këtyre kanë lënë diçka nga e kaluara. Gjurmët e tyre i hasim gjithandej, ç’gjë dëshmon për një trashëgimi kulturore shumë të pasur.
Kemi shumë lokalitete arkeologjike që janë të njohura dhe besoj që me kalimin e kohës ato do të prezantohen edhe për vizitorët. Kur jemi te arkeologjia, konstatoj se edhe ajo është në rrugë të mirë për t’i prezantuar vlerat e saj. Kemi rastin e fundit ku për herë të parë në Kosovë u hap Parku Arkeologjik i Ulpianës, qytet antik që gjendet vetëm 10 km nga Prishtina. Krahas Parkut Arkeologjik nuk kanë munguar punimet në kalanë e Prizrenit, Halilaqit dhe kështu që Kosovës dita-ditës po i shtohen pika të reja turistike. Trashëgimia kulturore po hulumtohet gjithnjë e më shumë.
Sa është ruajtur arkitektura popullore në Kosovë?
Sa i përket arkitekturës popullore në Kosovë, ne i përmendëm shtresimet të cilat kanë ndodhur në të kaluarën. Mirëpo, një vend të veçantë e zë edhe arkitektura popullore, ku në gjithë Kosovën hasim tipa të ndryshëm të arkitekturës së vjetër duke u bazuar nga faktorë të ndryshëm. Fatkeqësisht, gjatë luftës së fundit në Kosovë u shkatërrua një pjesë e mirë e trashëgimisë kulturore duke i përfshirë edhe shtëpitë private që kanë qenë kryevepra të kohës. Një moskujdesje ndodhi edhe pas luftës ku shumë shtëpi të mbijetuara u rrënuan për t’u zëvendësuar me objekte të reja. Falë vullnetit të mirë të qytetarëve dhe angazhimit të institucioneve, secili qytet ka bërë përpjekje për të shpëtuar diçka nga arkitektura e vjetër dhe kështu janë bërë restaurime të ndryshme, ndërsa disa nga shtëpitë e vjetra janë të mbrojtura me ligj, e tani funksionojnë si muze.
Kur jemi te tradita dhe kultura shqiptare, sa janë ruajtur veshjet popullore dhe a janë në rrezik për t’u zhdukur?
Veshjet tradicionale tani më nuk po përdoren, në përjashtime të vogla nga disa të moshuar. P.sh. plisi akoma bartet te disa individë, ndërsa shamia dhe pështjellaku te gratë. Sot është shumë e vështirë që të hasim ndonjë person me veshje të kompletuar tradicionale. Gjatë punës sime në terren kam parë veshjen hasiane në krahinën etnografike të Hasit dhe veshjen e katundit në një fshat në Rrafshin e Dukagjinit, mirëpo kjo nuk është e mjaftueshme. Veshjet tradicionale tani i hasim në ansamblet folklorike, muzetë e Kosovës, në ndonjë ngjarje kulturore, etj. Ka familje që kanë pjesë të veshjes dhe i ruajnë me nostalgji. Gjithashtu, disa kreatorë të modës që kanë bërë kombinime në veshjet e vjetra.
Po zejet sa janë ruajtur te ne?
Zejtaria ka qenë ekonomia kryesore e asaj kohe. Sa i përket zejeve tradicionale një pjesë është duke u ruajtur, mirëpo një pjesë e tyre nuk përdoren më. P.sh. zeja e armëtarëve nuk ekziston, zeja e tabakëve që janë marrë me punimin e lëkurave, zeja e terzinjve, nallbanëve, etj.
Zejet që funksionojnë janë ajo e argjendarëve, e tekstilit, e poçarisë, drugdhendjes, e plisaxhinjve, mirëpo edhe këto zeje kanë filluar të rrallohen.
Ne kemi mjeshtër të mirë që bëjnë punë të shkëlqyeshme dhe secila syresh ka specifikat e veta. Është me rëndësi që zejtarëve t’u shpërblehet mundi. Në vende të ndryshme ka rastisur në shumë ekspozita dhe panaire që zejet që janë të punuara me dorë kanë çmim shumë më të lartë se ato që janë punuar në fabrikë. Mirëpo, këtu te ne jemi ende në tranzicion dhe nuk bëhet vlerësimi i duhur.
Shkodra, Kosova është kthyer në një pikë turistike. Ju shpeshherë jeni udhërrëfyes i shumë turistëve. Çfarë kushtesh u ofron Kosova turistëve dhe a duhet punuar më shumë në këtë drejtim?
Po, siç u tregova edhe me parë Kosova ofron kushte të mira për turizëm. Ka filluar të bëhet një punë e mirë në zhvillimin dhe promovimin e turizmit. Por nëse e krahasojmë me vendet tjera të rajonit shohim se akoma ka punë për t’u bërë. Ne kemi potenciale të mjaftueshme që ta promovojmë turizmin në arenën ndërkombëtare. Turistët kur të vijnë në vendin tonë kanë çfarë të shohin.
Sa herë që shoqëroj turistët e huaj gjatë tureve të tyre nëpër Kosovë, zakonisht ata i theksojnë pesë gjëra që mund t’i gjejnë në gjithë vendin: E para, Kosova është vend i sigurt, pasi që shpeshherë ka paragjykime për vendin tonë, por kur ata vijnë këtu u del e kundërta. Ata çdo herë befasohen për të mirë. E dyta, populli është mikpritës dhe i dashur. E treta, ushqimi është jashtëzakonisht i mirë dhe i lirë nëse krahasojmë me vendet e tjera. E katërta, Kosova është e pasur me trashëgimi kulturore siç e përmenda edhe më herët, shtresime të ndryshme, civilizime të ndryshme. Krahas kësaj Kosova ka natyrë të bukur. E pesta, është se ne e kemi kafenë (makiaton) më të mirën në botë dhe kjo është komenti dhe përshtypja e turistëve, edhe pse ajo e ka origjinën nga Italia, ne e përgatitim më mirë. Ka edhe arsye të tjera për ta vizituar vendin tonë, por këto janë pesë pikat që vizitorët i përmendin më së shumti.
Cilat janë vendet me të vizituara në Kosovë?
Një ndër vendet me të vizituara në Kosovë është Prishtina, për arsye se është kryeqytet dhe ka një dinamikë më të madhe si kryeqendër. Pastaj vjen Prizreni, që çdo vizitor që vjen këtu ka dëshirë ta vizitojë edhe këtë qytet të lashtë. Në përgjithësi, Kosova është e bukur dhe çdo vend që vizitohet ka karakteristikat e veta dhe ia vlen për t’u parë. Mendoj që një turist mund të qëndrojë në Kosovë për dhjetë ditë dhe të kënaqet me bukuritë natyrore dhe trashëgiminë e pasur kulturore të vendit tonë.
A kemi zyrë turistike në Prishtinë dhe a ka shenja orientuese të monumenteve të trashëgimisë kulturore?
Zyrë informuese për turizëm në Prishtinë nuk ka dhe është urgjente që të themelohet një e tillë, sepse numri i vizitorëve çdo ditë po vjen duke u rritur dhe se çdokush që vjen kërkon të orientohet në zyrën informuese. Paramendoni në të gjitha qytetet e Kosovës ekzistojnë zyrat informuese dhe vetëm në kryeqytet nuk e kemi një të tillë.
Sa i takon monumenteve të kulturës, mund të konstatoj se shumica prej tyre janë të pajisura me shenja orientuese. Përmes vendosjes së shenjave, vizitorët e kanë më të lehtë që t’i gjejnë objektet e trashëgimisë kulturore dhe kjo pa dyshim ndikon në rritjen e vizitorëve.
A po ndikon teknologjia dhe globalizmi në traditat kulturore si dhe në mënyrën e jetesës sonë në përgjithësi?
Globalizmi ka marrë përmasa të mëdha e që ka ndikuar edhe tek ne. Edhe ne si popull i vogël nuk mund t’i ikim këtij fenomeni. Ndryshimet ndodhin në të gjitha vendet por mendoj që ne duhet të jemi më të kujdesshëm për hapat e mëtejshëm./tesheshi.com/