Kreu i LSI-së kërkoi “qeveri besimi” por akoma nuk e ka marrë hapin për të dalë nga koalicioni bashkëqeverisës. Në një retrospektivë në 4 vite bashkëjetesë gjenden arsyet e mungesës së besimit mes tyre, që nga çështja e CEZ deri tek arrestimet e shefave të LSI-së në disa sektorë…
Edi Rama dhe Ilir Meta po i shkojnë drejt fundit bashkëjetesës së tyre politike, e cila s’ka qenë në fakt asnjëherë krejtësisht e sinqertë dhe e qetë. Mjafton një retrospektivë në 4 vitet e kësaj bashkëqeverisje për të kuptuar se ku qëndron mosbesimi i Ilir Metës ndaj aleatit të tij të madh, mosbesim që reflektohet në të gjitha nivelet e tjera të strukturave të dy partive, në dikasteret që bashkëqeverisin e deri në bazën e anëtarësisë së partive respektive; ku ‘urrejtja’ mes tyre reflektohet më hapur se sa në majën e kupolës.
Përfshirja në aferën e CEZ-DIA e emrit të Metës ishte ndarja e parë e madhe mes tyre edhe pse Rama në këtë rast luajti me aksiomën “hidh gurin, fsheh dorën” ndaj aleatit të rij. Sipas një investigimi të BIRN-it, Meta akuzohet se rekomandoi Kastriot Ismailajn si “njeriun e tij të besuar” për mbledhjen e borxheve të vjetra për llogari të CEZ Shpërndarje; kontratë që i kushtoi 4.5 milionë euro kompanisë dhe që është nën hetim si skemë mashtrimi nga prokuroria shqiptare. Këtë akuza Meta e cilësoi një “operacion mafioz politik, mediatik dhe financiar” kundër tij. Mediat aluduan se informacionet kishin rrjedhur nga avokatura e shtetit gjatë procesit gjyqësor ndaj DIA-s, që nënkuptonte se ishin publikuar nën bekimin e Ramës. Hetimi për këtë çështje vazhdon dhe Meta akoma nuk i ka “larë duart” përfundimisht me këtë akuzë për korrupsion.
Konflikti me ministrin Saimir Tahiri i LSI-së nuk ishte pa arsye. Përveç hetimeve të iniciuara nga policia që çuan në arrestimin e disa drejtorëve të LSI-së për korrupsion, u përfol se nga Policia e drejtuar prej Tahirit ishte përgjuar dhe vetë Ilir Meta. Frika e LSI-së ndaj skenarëve me polici shkoi deri aty sa Petrit Vasili i paralajmëri deputetët që të kishin kujdes se mos u fusnin drogë në makina.
Arrestimi i zyrtarëve të LSI-së për korrupsion që nga Arsimi e deri tek Burgjet, kanë krijuar tashmë imazhin e partisë që kërkon pushtet për të vjedhur.
Video-skandali i Tom Doshit, deputet i PS-së, sipas të cilit Ilir Meta kishte paguar dikë që ta vriste, ishte një tjetër çështje që e theu besimin reciprok mes tyre. Në këtë lojë u përfshi dhe Tahiri, i cili e thirri “vrasësin e supozuar” në një takim kokë më kokë.
Çështja e Klement Balilit, një zyrtar i LSI-së, që kërkohet për trafik ndërkombëtar droge, gjithashtu i uli Metës shumë kredibilitet në publik si mbështetës i trafikantëve, pavarësisht se ai u mundua ta veshë me një mjegull duke kërkuar përgjegjës tek PS-ja për mosarrestimin e tij.
Mosbesimi është reciprok, pasi dhe LSI disa herë nuk është treguar koherente dhe një aleate që do të donte të kishte PS-ja. Ajo ka sulmuar fort reformën në Arsim, një nga mburrjet më të mëdha të PS-së, ka folur për kanabizimin e vendit dhe arrogancën në qeverisje duke e nxjerrë veten jashtë qeverisjes. /tesheshi.com/