E diela e 11 majit do jetë ditë zgjedhjesh në Shqipëri. Kjo u vendos me dekret të presidentit Begaj, kontestuar nga opozita, e cila pretendon se kjo datë shkon në favor të mazhorancës. Pse? Sepse dy ditë para, pra më 9 maj, në Tiranë mbahet samite i 6-të i Komitetit Politik Evropian (EPC), gjë që mund të shfrytëzohet nga Rama, sipas gjykimit të opozitës, për t’iu imponuar zgjedhësve si i mbështetur fort nga ndërkombëtarët.
Për këto zgjedhje, kreu i shtetit kishte në dispozicion katër ditë të diela, midis dative 15 prill dhe 15 maj 2025.
Përmes një njoftimi zyrtar Begaj thekson se shkaku themelor për caktimin e datës 11 maj 2025 si datë për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve, qëndron në nevojën e shprehur nga KQZ-ja për të shfrytëzuar të gjithë kohën në dispozicion për përgatitjen e infrastrukturës ligjore dhe organizative, me qëllim që të bëhet i mundur votimi i sukseshëm dhe rezultativ i shqiptarëve nga jashtë vendit.
Ndër të tjera, presidenti ka shprehur bindjen se sfida madhore e këtyre zgjedhjeve është votimi nga jashtë vendit dhe përfshirja masive e zgjedhëve me banim jashtë shtetit në këtë proces thelbësor për demokracinë.
Paçka mospajtimit opozitar, elektorati shqiptar do votojë atë ditë ose për t’ja zgjatur ose për t’ja ndëprerë pushtetin qeverisjes socialiste. Thënë kjo, ngase ende nuk shfaqet në horizont ndonjë prirje për ta sjellë sërish në pushtet PD-në. /tesheshi.com/