Turqia po përjeton orë me lajmin kryesor, atë të vdekjes së Fetullah Gylenit, një figurë okulte dhe kontraverse, i cili themeloi një organizatë okulte me ndjekës besnikë deri në verbëri, duke u (vetë)trajtuar madje si me cilësi mesianike.
Prej vitit 2016, ai akuzohej nga Ankaraja si ideues i një grushti shteti, gjë do pasonte shumë arrestime të njerëzve të tij. Ndërsa organizata e tij FETO do shpallej si “terroriste”.
Për qasjen perëndimore, ai ishte një imam që promovonte Islamin e butë e të hapur, por bota islame, ajo klasike e tradicionale, as që e pati ndonjëherë referencë.
Për muslimanët tradicionalë, Gylen ishte një person me shumë hije për ta merituar titullin imam, si dhe shumë larg një mendimtari, aq më pak dijetari, për t’u marrë fetarisht në konsideratë.
Madje madje, gjykimi për të është se nuk i ka sjellë asgjë të dobishme Islamit e muslimanëve.
Në Shqipëri, ata menaxhojnë prej vitesh jetën fetare, pasi kanë marrë drejtimin e KMSH-së, gjë që i ka vënë përballë kritikave të ashpra nga figura islame tradicionale.
Po cila ishte karriera e Gylenit, me fund në tokën amerikane, aty ku jetonte prej gati çerekshekulli?
Fetullah Gylen lindi më 27 prill 1941, në Erzurum, Turqia qendrore. Ai filloi shkollën fillore në vitin 1946, në medresenë e xhamisë Kurshunlu në 1954.
Në vitin 1966, kur ishte 25 vjeç, ai u caktua diku në Izmir si imam dhe aty mendohet se themeloi lëvizjen e tij me emrin Hizmet(ose ndryshe FETO), e cila, siç shkuajnë mediat turke, përfundimisht do të evoluonte në një grup terrorist që organizoi një përpjekje për grusht shteti, duke vrarë të paktën 252 njerëz dhe duke plagosur mijëra në vitin 2016.
Nurettin Veren, njeriu që ndërtoi strukturën e lëvizjes në vitin 1966 së bashku me Gylenin dhe mbetën miq të ngushtë deri në vitin 1996, thotë se “Gyleni erdhi në İzmir nga Edreneja si një njeri që nuk kishte mbaruar as shkollën fillore. Diploma e tij ishte e falsifikuar që ai të mund të ishte imam”.
Veren u nda me Gylenin në vitin 1996, siç do pohonte, për shkak të “udhëheqjes si kult” të Gylenit dhe “lidhjeve të tij të thella me inteligjencën amerikane”.
Daily Sabah shkruan se deri në vitin 1971 Gyleni shërbeu në Izmir ku zyrtarizoi lëvizjen e tij dhe u takua me disa nga operativët e tij të lartë. Atë vit, Forcat e Armatosura Turke (TSK) lëshuan një memorandum ushtarak për të “rivendosur rendin” dhe Gyleni u arrestua nga junta e pas grushtit të shtetit dhe kaloi shtatë muaj në burg me akuzën e aktiviteteve reaksionare.
Megjithatë, ai u shpall i pafajshëm dhe mbeti i paprekur më vonë falë propagandës së tij antikomuniste.
Gyleni ishte themeluesi i Shoqatës Antikomuniste në qytetin e tij të lindjes në Erzurum në atë kohë. Pas kësaj, përfitoi nga ky ligjërim antikomunist. Ai filloi të bëjë propagandë shtetërore me mjete fetare në provincën perëndimore të Balikeshirit. Pavarësisht atmosferës shtypëse ushtarake që pengonte çdo aktivitet politik, Gyleni përfitoi nga mbrojtja dhe u përpoq të fitonte favorin e autoriteteve shtetërore. Gylen filloi të shkruante për revistën e përmuajshme islame Sizinti (Rrjedhje) në vitin 1979, e cila u botua nga ndjekësit e tij. Në vazhdën e grushtit të shtetit të përgjakshëm të vitit 1980 të udhëhequr nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Gjeneral Kenan Evren, i cili rrëzoi qeverinë e koalicionit të kryeministrit të qendrës së djathtë Suleyman Demirel, Gylen shkroi një editorial për Sizinti në të cilin ai lavdëroi përmbysjen e qeverisë. Pas grushtit të shtetit, Kushtetuta u pezullua, njerëzit u torturuan deri në vdekje, partitë politike u mbyllën dhe drejtuesit e tyre u morën në pyetje, u ndoqën penalisht dhe u burgosën.
Në editorialin e titulluar “The Last Outpost”, Gylen vlerësoi grushtin e shtetit, duke shkruar se, “kjo është një fitore me të cilën armiku kapet, trupi (qeveria)] pastrohet nga viruset dhe kthehet në rrënjët e tij”. Me këtë artikull, ai la të nënkuptuar se ndërhyrja ushtarake e ndihmoi Turqinë në një farë mënyre të mbrojë demokracinë e saj.
Në vitin 1981, Gylen dha dorëheqjen si imam dhe u fokusua në rrjetin e tij me bashkëpunëtorë të ngushtë.
Në fund të viteve 1980 dhe në fillim të viteve 1990, lëvizja e tij u fokusua në biznes, arsim dhe media. Ndjekësit e tij, së bashku me operativët e gjyqësorit, ushtrisë, policisë dhe institucioneve të tjera shtetërore, mobilizuan të gjitha burimet e tyre, duke përfshirë gazetat dhe stacionet televizive që zotëronin për të sulmuar gjithçka që ata i perceptonin si kundërshtarë. Duke hapur gazetën Zaman në 1986 dhe televizionin Samanyolu në 1993, gylenistët po ndërtonin një perandori mediatike nga e para si një mjet për të rritur ndikimin e tyre politik. Në të njëjtën kohë, predikimet dhe artikujt e Gylenit u shpërndanë në mbarë vendin.
Në nëntor 1991, u morr inisiativa për të hapur një shkollë të mesme në republikën autonome të Nakhçivanit në Azerbajxhan. Së këndejmi, shkollat e tij do përhapeshin gjerësisht në shumë vende, deri dhe në SHBA. Ato u bënë një nga burimet kryesore të financimit për organizatën FETO. Fondet e mbledhura u kanalizuan në organizata mediatike dhe projekte të tjera për të ndihmuar në rekrutimin dhe zgjerimin e ndikimit të saj. Dëshmitë e mëvonshme tregojnë gjithashtu se ndjekësit filluan të rekrutohen për të depërtuar në institucionet shtetërore, si ushtria, administrata publike dhe gjyqësori. Por më shumë se kaq, figurat e FETO-s u vendosën brenda ushtrisë duke përdorur “taqiyya”-n, bazuar në fshehjen e identitetit të vërtetë për të arritur një qëllim; pra shfaqeshin si jofetarë për të shmangur përjashtimin. Në përputhje me këtë, Gyleni u kërkoi ndjekësve të tij të depërtonin në shtet në një predikim që u kap në video në fillim të viteve 1990. “Duhet të depërtoni në arteriet e sistemit pa u vënë re”, u thoshte ai ndjekësve. “Duhet të prisni momentin e duhur, derisa të keni kapur të gjithë pushtetin e shtetit”.
Një tjetër ndërhyrje ushtarake në politikë që pësoi Turqia ishte një lloj grushti i 28 shkurtit 1997, ku qeveria e zgjedhur në mënyrë demokratike u detyrua të jepte dorëheqjen. Megjithatë, Gyleni pati edhe një herë një qasje oportuniste dhe u përpoq të përfitonte, duke fajësuar qeverinë. Ai dha intervista për mediat pro grushtit të shtetit dhe tha: “Ju (qeveria) keni dështuar, tani largohuni” dhe “Ushtria është më demokratike”.
Gyleni lavdëroi hapur ndërhyrjen që çoi në regjimin më të ashpër dhe shtypëse me të cilin ishte përballur ndonjëherë Turqia dhe u bëri thirrje ndjekësve të tij që të respektojnë vullnetin e ushtrisë.
Ky rol e këto qëndrime, shtuan e përforëcuan gjykimet ndaj tij si një aktor okult i interesave po okulte në jetën islame në Turqisë e jo vetëm. /tesheshi.com/