Afro 30 nxënës së shkollës së mesme në Shupenzë të Dibrës, administrativisht në Bashkinë Bulqizë, janë asfiksuar nga tymi i kaldajës.
Ja ç’thuhet në njoftimin policor:
Rreth orës 10.40, specialistët e postës së policisë Shupenzë, kanë marrë informacion se disa nxënës shkolle kanë shkuar për të marrë ndihmë mjekësore në qendrën spitalore në Shupenzë.
Menjëherë kanë shkuar në ambjentet e qendrës spitalore ku nga veprimet paraprake të kryera ka rezultuar se :
Në një shkollë të mesme në qendër Shupenzë, janë ndezuar kaldajat me lëndë drusore për ngrohjen e ambjentit, dhe në momentin e ndezjes oxhaku i shkollës ka qenë i bllokuar dhe për pasojë tymi është shpërndarë në ambjentet e brendshme të shkollës duke shkaktuar ndotje të ambjentit.
Për pasojë janë asfiksuar dhe ndjerë keq nga ana shëndetësore disa nga nxënësit e kësaj shkolle, ku 16 prej tyre të moshave 16-18 vjeç, po transportohen për ndihmë më të specializuar drejt spitalit të Bulqizës, jashtë rrezikut për jetën.
Grupi hetimor vijon hetimet për zbardhjen e kësaj ngjarje.
Sipas të dhënave më të fundit, gjendja më e rëndë shëndetësore paraqitet për 3 prej tyre. /tesheshi.com/