Skënder Bruçaj, kreu prej 5 vitesh i KMSH-së, siçx dihet vendosi të tërhiqet dhe mos kandidojë më për të qenë sërish në drejtim të këtij institucioni.
Në një mesazh publik, krahas një rezymeje mbi arritjet e KMSH-së nën drejtimin e tij, në fund të mesazhit ai ofron dhe arsyet se pse vendosi të mos rikandidojë. “Ka dhe më të mirë se unë…”, ka qenë fraza sqaruese e aktit, duke i dhënë kështu një dimension moral vetlargimit të tij.
“Në përfundim të këtij mandati 5-vjeçar edhe pse mundësia dhe tradita e mëparshme legjitime, si dhe mbështetja e Kryesisë dhe e shumicës suaj mund të bënin, që të vazhdoja edhe të paktën një mandat, jam i mendimit që mes jush, siç janë dhe kandidatët sot ka edhe më të mirë se unë për ta kryer këtë detyrë të rëndë dhe me përgjegjësi. Prandaj vendosa mbrëmë tërheqjen nga një rikandidim për të hapur dhe një rrugë të re, jo vetëm dhe një rotacioni, por tashmë edhe teologëve të nderuar, që kanë mbaruar universitet më të mira islame në botë.
Unë ju falenderoj shumë për interesimin tuaj, mesazhet dhe telefonatat e pafund që më erdhën mbrëmë, duke e vlerësuar këtë gjest. Unë jam vetëm se njëri prej jush dhe dëshiroj të vazhdoj i tillë edhe në vazhdim.
Duke ju uruar kandidatëve suksese në garë, u drejtohem juve anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm, që votimi për kryetarin është i fshehtë, pra mes ndërgjegjës tuaj dhe Zotit. Votoni për kë mendoni se mund të bëhet më e hajrit për institucionin në raport dhe me pergjegjësinë që do të marrë dhe mos harroni, që nesër do t’ju pyesë Zoti edhe për këtë zgjedhje që do të bëni”, shprehet në fund të mesazhit z.Bruçaj. /tesheshi.com/