Pjesë nga libri “Kisha Ortodokse Shqiptare. Një histori politike (1878-1937)” me autor Ardit Bido, e botuar nga UET Press, si një studim i përpjekjes së shqiptarëve ortodoksë për tu ndarë nga ndikimi i Athinës dhe po ashtu përpjekjes së kësaj të fundit për të aneksuar pjesë të Shqipërisë përtej kufijve të 1913 përmes ndikimit të kishës. Më poshtë historia e përplasjeve në Korçë ku Mitropoliti i rekomanduar nga Athina u përpoq të prapësonte përpjekjet e ortodoksëve shqiptarë për meshimin në Shqip e mësimin e gjuhës në shkolla.
Shqipëria u gjend e papërgatitur për rrjedhën e re të zhvillimeve më 11 nëntor 1918, kur Matias Erzberger nënshkruante dorëzimin pa kushte të Gjermanisë, çka shënonte fundin e Luftës së Parë Botërore. Shqiptarët i kishin sytë në Paris, ku fituesit e Luftës ishin mbledhur duarlirë prej janarit 1919 për të përcaktuar fatet e Botës. Konferenca ishte vendimtare për vendin. Greqia, Italia dhe fuqitë bashkëluftuese kishin nënshkruar Marrëveshjen e Fshehtë të Londrës, që i kalonte Shqipërinë e Jugut Greqisë, Vlorën dhe rrethinat Italisë, Veriun Serbisë; ndërsa shteti i vogël i mbetur parashihej si nënzotërim italian. Shqiptarët u gjendën të pamundur, kur marrëveshja u botua nga bolshevikët e ardhur rishtazi në pushtet në Rusi. Shteti i ri ishte plagosur që në lindje, ndaj nuk kishte qeverisje përgjatë Luftës. Diplomacia mbetej e vetmja rrugëzgjidhje, në pamundësi për të ruajtur kufijtë prej armiqve të mirarmatosur. Mirëpo, Shqipëria çalonte edhe këtu. Përfaqësuesi zyrtar, Turhan Pasha, nuk mund të sfidonte hijeshinë që rrezatonte Kryeministri grek Venizelos në Paris. Shpresa mbetej te mëshira ose te mbijetesa e 14 pikave që Presidenti amerikan Udrou Uillson kishte parashtruar. Arsyetimet e palës greke në Konferencën e Paqes u shkuan për shtatbashkëluftueseve të saj, Britanisë dhe Francës. Italianët ishin të fundit që mund ta pengonin Greqinë në mëtimet tokësore. Ata nuk dëshironin fuqizimin as të Athinës e as të Beogradit, që në të ardhmen mund të zëvendësonin Austro-Hungarinë në baraspeshat e Adriatikut. Ndaj, Italia e kishte mbështetur lëvizjen kombëtare në trevat e pushtuara shqiptare, duke minuar përpjekjet greke të periudhës së autonomisë. Mirëpo, dy shtetet arritën ta gjenin gjuhën e përbashkët, bazuar në Marrëveshjen e Fshehtë të Londrës. Kryeministrat nënshkruan ujdinë që do të njihej me emrat tyre, Venizelos-Titoni, më 29 qershor 1919. Sipas saj, Greqia do të mund të përvetësonte viset e Gjirokastrës dhe Korçës, ndërsa Italia do të pushtonte Vlorën dhe do të përfitonte mbizotërim mbi Shqipërinë. Italia zotohej të lëshonte ujdhesat e Dodekanezit të banuara nga grekë, në të ardhmen, teksa i kishte pushtuar nga Perandoria Osmane, më 1912.
Qendra e kundërshtive shqiptaro-greke ishte Korça. Fuqitë e Mëdha nuk ishin bindur t‟ia dorëzonin trevën Greqisë. Mirëpo, francezët u prirën drejt Athinës dhe e zhbaraspeshuan gjendjen në dobi të grekëve. Vetëdrejtimi i Korçës u shpërbë dhe drejtuesi Themistokli Gërmenji u vra, si tradhtar. Gjithsesi, Greqia shihte nevojën e pranisë vetjake në Korçë për të mos u mbështetur vetëm te francezët. Treva nuk përmbante greqishtfolës dhe lëvizja kombëtare shqiptare ishte mjaft e përhapur. Elbasanasi Efrem Gjini ishte emëruar mbikëqyrës i shkollave të Mitropolisë. Ai këmbëngulte më 14 shkurt 1918 se ndalimi i shqipes në shkollat e Korçës dhe në trevat me gjendje të përafërt kombëtare ishte një masë e gabuar, që mund të shkaktonte vetëm vështirësi. Gjini e dinte se atdhetaria e korçarëve do të vendoste në vështirësi Greqinë, ndaj kërkonte që shteti grek të shfaqej përpara shqiptarëve si komb vëlla dhe jo si pushtues. Vëllazëria rrëfehej me lejimin e shqipes, duke qenë se ajo flitej nga mijëra njerëz akoma edhe në kufijtë e Athinës. Ndryshimi do të vinte më 3 nëntor 1918, dy vite pasi shqipja ishte e vetmja gjuhë në shkolla dhe kisha. Një meshë me rastin e armëpushimit u zhvillua në greqisht në Kishën e Shën Gjergjit. Drejtori i Shkollës Qytetase Greke, Krois, ishte përpjekur të vendoste nxënësit në rresht në oborrin e kishës. Shqiptari stërfalë Thanas Mano iu sul dhe e grushtoi në kokë, duke e hedhur në tokë. Kjo ishte si parullë, pasi atdhetarët e tjerë u sulën menjëherë ndaj mësuesve grekë. Meshimi në greqisht nuk u guxua të rikthehej, prej kësaj përplasjeje deri në dërgimin e Jakovit.
Venizelosi gjykonte se Korça do të pushtohej herët a vonë. Çështja qëndronte gjetkë; Azia e Vogël dhe Stambolli ishin pikësynimi i politikës së jashtme greke. Venizelos ia doli qëllimit, gjatë qëndrimit në Paris. Fuqitë e Mëdha ngarkuan Greqinë të dërgonte trupat ushtarake për të mbikëqyrur rrethinat e Izmirit dhe gjithë Trakën, me përjashtim të qytetit të Stambollit. Venizelos dëshironte të arrinte vendim të ngjashëm edhe për Korçën dhe Gjirokastrën. Ai kishte lënë mëkëmbës në Athinë zëvendëskryeministrin Repuli. Kryeministri i parashtroi më 11 gusht 1919 si duheshin kryer përgatitjet: “Drejt Konstandinopojës po dërgoj telegram ku i kërkohet Patriarkut… të dërgojë ekzark në Korçë, [Mitropolitin e] Durrësit që është zgjedhje më e mirë. Do ta telegrafoni menjëherë në Athinë nga Korfuzi ku ndodhet të shkojë sa më shpejt në Korçë, gjithsesi përpara arritjes së ushtrisë sonë. Drejtuesit ushtarak do t‟i jepen udhëzime që të jetë në lidhje tëngushtë me Mitropolitin në fjalë, i cili ka mundësi të japë shërbime të mëdha”.
Patriarkana Ekumenike e Kostandinopojës njihej prej vitesh në skenën diplomatike si zgjatim i shtetit grek në Perandorinë Osmane. Ajo kishte emëruar ishepiskopin e Ardhameriut, Joakim Strumbis, si ekzark në Korçë. Mirëpo, kërkesa e Venizelosit ndryshoi menjëherë vendimin. Patriarkana u dërgoi telegram trupave bashkëluftuese nën drejtimin francez në Selanik, ku njoftonte shfuqizimin e vendimit të parë dhe emërimin e Jakovit. Mitropoliti i Durrësit u njoftua ngutshëm të paraqitej sa më shpejt në Ministrinë e Jashtme Greke për të marrë udhëzimet për detyrën e re. Venizelos e pati takuar Jakovin gjatë rrugës për në Paris, teksa Mitropoliti ndodhej në Korfuz. Vendtakimi qe caktuar një anije e ndaluar në skelën e Sarandës.
Kryeministri i kishte shprehur mirënjohjen e kombit e shtetit grek dhe i kishte dhënë një qese me napolona, vetëm për përdorim vetjak. Jakovi nuk e fsheh politizimin në jetëshkrimin e botuar vite më vonë. Kahkundërt, ai pohon haptazi se qëllimi i dërgimit në Korçë ishte tërësisht politik, në thyerje të rregullave të Kishës Ortodokse Lindore. Jetëshkruesi shënon se qeveria greke do të urdhëronte nisjen e ushtrisë drejt pushtimit të Korçës dhe ishte e domosdoshme të gjendej aty një përfaqësues i aftë, që i njihte çështjet shqiptare. Prandaj, Venizelos përzgjodhi Jakovin. Kalevras ishte emëruar qeveritar, me udhëzimin të vepronte në marrëveshje me kryepriftin. Jetëshkruesi i Mitropolitit shënon se Kalevras dërgohej në Korçë për të mbuluar detyrën e vërtetë të Hirësisë.
Dy burrat i kërkuan qeverisë greke në fundgusht të urdhëronte hyrjen e trupave në Korçë për të rivendosur rendin dhe për të ndaluar veprimet kundër dobisë së tyre kombëtare. Udhëzimi u mor parasysh dhe Jakovi e Kalevras u nisën për në Korçë, duke prirë batalionet e ushtrisë greke, më 1 shtator 1919. Çasti vendimtar për ëndrrat e Greqisë kishte ardhur. Raste kur mitropolitë gjendeshin në krye të një ushtrie apo që zgjeronin perandori e shtete kishin qenë të pakta në të kaluarën. Aq më tepër, drejtimi i veprimtarive luftarake nga një mitropolit ishte e pashoqe. Jakovi dhe Kalevras u zhgënjyen vetëm pak kilometra larg kufirit. Nënprefekti i Follorinës, Stilianos Grigoriu, i lajmëroi se ushtria greke e kishte shtyrë hyrjen në Korçë në çastin e fundit. Gjendja nuk kishte ndryshuar rrënjësisht, por kundërshtitë e shqiptarëve kishin frikësuar francezët, të cilët dëshironin të krijoheshin kushtet përpara pushtimit grek. Francezët e drejtuar nga koloneli Lespina kishin thyer të drejtat e fituara nga “Republika e Korçës”. Mirëpo, ata nuk ia dilnin të bindnin popullin se ushtria greke do të hynte në emër të bashkëluftuesve deri në zgjidhjen përfundimtare të çështjes në Konferencën e Paqes të Parisit. Venizelos ishte i ndërgjegjshëm se kishte të bënte me një qendër të lëvizjes kombëtare shqiptare, të përbërë në veçanti nga shumica e ortodoksëve korçarë. Ai udhëzoi Kalevrasin të merrte një sërë masash për t‟i bindur shqiptarët. Kryeministri grek sugjeronte rritjen e rrogave të xhandarëve shqiptarë, t’u shpjegohej korçarëve vendi që zotëronin shqiptarët e Greqisë, t’u shpallej se mësimi i shqipes do të përfshihej në shkolla dhe se qeveria greke ishte e gatshme të jepte një vetëdrejtim të madh për Epirin e Veriut.
Ortodoksët korçarë ishin në krye të betejës për shqiptarizimin e kishës. Jakovi ishte përballur me ta jo pak herë, kur drejtonte Mitropolinë e Durrësit. Ata kishin nisur turbullira, kur u njoftua marrëveshja e forcave bashkëluftuese. Prandaj, Lespina kishte kërkuar shtyrjen e përkohshme të hyrjes së trupave greke pas tubimeve, përkujtesave dhe kundërshtive shqiptare. Kalevras nuk mund të hynte si drejtues zyrtar i trupave, ndaj qëndroi në Bilishtin e pushtuar prej kohësh nga Greqia. Ai u emërua Qeveritar i Përgjithshëm i Epirit. Mitropoliti i Durrësit ishte i vetmi nga ushtria që mund të mbërrinte në Korçë. Dërgimi i Jakovit ishte i thjeshtë, pasi ai de jure përfaqësonte Patriarkanën Ekumenike dhe jo Athinën zyrtare. Detyra i qe paracaktuar: krijimi i kushteve për pushtimin e Korçës me sa më pak humbje për ushtrinë greke. Mitropoliti mbërriti në qytetin e nderë dhe takoi menjëherë kolonelin francez Lespina. Ai dëshironte të dinte nëse thashethemi mbi kryengritje shqiptare ndaj ushtrisë pushtuese ishte i vërtetë. Lespina u shpreh se nuk do të ishte nevoja e një ushtrie aq të madhe greke për aq sa gjendej në Korçë. Përndryshe, u shpreh i sigurt se shqiptarët do të kundërshtonin.
Përgjigjja u shndërrua në pikënisjen e përplasjeve të vazhdueshme me Mitropolitin grek. Jakovi nisi punën, duke takuar njerëzit kyç të qytetit. Mitropoliti bisedoi me konsullin e Serbisë, disa grekomanë të paragjetur prej pushtimit të parë grek, zyrtarët shqiptarë që drejtonin Këshillin dhe Bashkinë e Korçës thjesht për emër, por pa fuqi zbatuese, dhe drejtuesit e përfaqësisë protestante amerikane. Ai njoftoi menjëherë eprorët pas takimeve: jo Patriarkanën Ekumenike, por qeverinë greke. Jakovi përshkruante gjendjen e njësive shqiptare, duke i cilësuar të zmadhuara të dhënat për çetën e Ali Butkës, ku ishin përfshirë edhe pjesëtarët e trupave të dikurshme të Themistokli Gërmenjit, nën drejtimin e Leonidha Frashërit. Ai parashtronte se shkolla protestante kishte përfshirë greqishten si gjuhë të huaj në pritje të pushtimit grek. Gjithsesi, Jakovi korri fitoren e parë të madhe në fushën e vet. Ai bindi zyrtarët francezë se gjuha e Mitropolisë së Korçës nuk mund të ishte shqipja. Korçarët kishin arritur meshimin në gjuhën amtare prej vitit 1914. Mirëpo, gjendja ndryshoi me vajtjen e Jakovit. Greqishtja në kishë e më pas në shkolla u kthye sikurse përgjatë pushtimit otoman. Mitropoliti meshoi në gjuhën e tij dhe ligjëroi në greqisht e shqip gjatë shërbesës së parë në Kishën e Mitropolisë. Jakovi foli për vëllazëri dhe kërkoi që dashuria dhe çiltërsia të mbretërojë ndërmjet grekëve dhe shqiptarëve. Mirëpo, ai pranon në kujtime se kjo ishte shtirje. Gojëtaria shërbente si mjet për të bindur popullsinë, se të qëndruarit në Korçë kishte natyrë thjesht fetare dhe jo kundërshqiptare.
Mitropoliti shkonte shpesh në Bilisht, ku merrte udhëzimet e Venizelosit nëpërmjet Kalevrasit. Korça ishte trevë e frytshme politikisht për dy burrat, edhe pse pa prani grekësh, teksa zyrtarët francezë lehtësonin veprimtarinë e tyre. Fushëgropa e Korçës shtrihet në pjesën lindore të Maqedonisë. Treva e gjerë kishte pakicë greke akoma edhe në pjesën e përvetësuar nga Greqia. Prefekti i Kozani-Follorinës, Iliaqis, lajmëronte më 17 shtator 1919 se shumica e banorëve në Follorinë dhe Kostur ishin jogrekë, e jo më në Korçë e Bilisht, ku jetonin vetëm shqiptarë. Zyrtarët shtetërorë ishin ata që e mbanin në këmbë rrymën kombëtare greke. Qeveritarët vendorë në pjesën greke të Maqedonisë pohonin se punonin për përshtatjen e popullsisë me kombin grek. Ndërkaq, zyrtarët francezë ndihmonin në plotësimin e detyrave të Mitropolit Jakovit në anën shqiptare. Fushata greke u fuqizua pas ikjes së kolonel Lespinës nga Korça. Ai kishte arritur të mundësonte bindje të popullsisë, si drejtues i regjimentit “Kufijtë Shqiptarë”. Mirëpo, Franca mendonte seriozisht kalimin e Korçës nën sundimin e përkohshëm grek, deri në vendimin përfundimtar të Konferencës së Paqes në Paris. Lespina nuk përbënte një gur të mirë në shahun e Ballkanit. Ai kishte krijuar lidhje shpirtërore me çështjen e korçarëve, çka do ta vështirësonte, në mos pamundësonte, animin në dobi të Greqisë. Jakovi i vesh vetes merita në dëbimin e kolonelit. Ai kujton se këmbëngulja te Venizelosi dhe ndërhyrja e këtij të fundit te zyrtarët francezë mundësoi zëvendësimin e Lespinës me një nënkolonel francez progrek, të quajtur Kreten. Lespina u largua në fillimtetor 1919. Jakovi e ndiqte nga Mitropolia shprehjen e fundit të mirënjohjes së shqiptarëve. Kryeprifti parashtronte se shqiptarët e përcollën duke qarë, i dhanë drekë në Bashki, emërtuan rrugë Lespina dhe i dhanë dëshminë e shërbimeve të veçanta. Jakovi nuk mori pjesë. Ai kishte shkëmbyer vizita një ditë më parë dhe i kishte uruar rrugë të mbarë drejt Gymylcines, ku do të drejtonte ushtrinë franceze. Mitropoliti mendonte se qëndrimi pro kërkesave të korçarëve ishte njollë e keqe mbi Lespinën. Ai iu lut që të mbronte grekët në Gymylcines, të cilët kishin pësuar shumë nga bullgarët dhe turqit. Jakovi rrëfente se Lespina iu zotua, çka për kryepriftin grek ishte mënyra e vetme e heqjes së “njollës së këtushme.”
Gjendja ndryshoi katërcipërisht pas mbërritjes së nënkolonel Kretenit në Korçë. Ai kishte marrë udhëzime të qarta nga Parisi për të mbështetur synimet greke dhe për të dëgjuar me kujdes Jakovin. Kryeprifti grek do ta tepronte me kërkesa, duke u kthyer në pengesë edhe për drejtuesit e rinj francezë. Nënkoloneli Kreten parashtronte fillimnëntorin 1919 se kishte çelur katër shkolla greke në Ziçisht, Qytezë, Tërovë dhe Boboshticë. Ai shkruante se vendimi kishte shkaktuar shqetësim në qarqet shqiptare, që nuk kishte si të mos shihnin fuqizim të fushatave greke. Jakovi iu përvesh punës për shtimin e ndikimit. Ai lejoi mësim shqip dy orë në javë, duke qenë se të gjithë nxënësit ishin shqiptarë dhe vetëm një pjesë e vogël vllehë. Arsyetimi ishte i thjeshtë: pasi shqipen e dinin. Veprimtaria e Mitropolitit ishte dyzuese për grigjën, por e madhërishme për shtetin nga paguhej. Komandanti ushtarak i Kozanit dhe Follorinës, Kaklamanis, parashtronte më 5 nëntor 1919 se përmirësimi i gjendjes në Korçë në dobi të Greqisë u krye falë bashkëpunimit të komandantit Kreten me Hirësinë. Jakovi printe fushatat progreke, ndaj ishte në shënjestrën e atdhetarëve shqiptarë, duke ndier rrezik për jetën. Kreteni rrëfente se Mitropoliti i Durrësit u frikësohej orvatjeje për ta vrarë. Koloneli nuk besonte se diçka e tillë do të ndodhte, por vlerësonte se çështja e shkollave greke kishte tërhequr vëmendjen e njerëzve që shihnin te kryeprifti një vegël të Greqisë. Kreteni kishte vendosur për sigurinë e Jakovit tre roja dhe shumë xhandarë të fshehtë nga grekët që ishin në shërbim të tij. Drejtuesi francez ia vishte fajin Jakovit, teksa diçka e tillë nuk do të ndodhte, në rast se ai mbante qëndrimin e paanshëm që i takonte. Mërzia e popullsisë vendase vlerësohej e natyrshme dhe e pritshme. Mitropoliti kishte shkuar në Korçë në çastin kur pushtimi nga ushtria greke dukej shumë i afërt dhe familje të shumta të lemerisura braktisnin trevat amtare. Kreteni rrëfente se prania e Kryepiskopit në Korçë dukej e përligjur asokohe nga detyra e paqtimit dhe sigurimit të popullsisë mbi qëllimet e qeverisë greke. Mirëpo, kalimi i kohës kishte bërë që Jakovi të kthehej në pengesë serioze akoma edhe në zbatimin e politikës progreke, që Kreteni zbatonte sipas udhëzimit të eprorëve. Kreteni parashtronte më 1 dhjetor se popullata prekej shumë lehtë për fatin që do t’i caktonte Konferenca e Paqes. Ai vlerësonte se politika e atdhetarëve nuk kishte ndryshuar dhe masa do ta kundërshtonte me dhunë hyrjen e grekëve. Nga ana tjetër, ai dallonte se partia grekomane lëvizte, edhe pse ishte shumë më e vogël në numër. Kreteni tregonte se udhëzimet vinin nga Mitropolia dhe Jakovi ishte bërë kreu i gjithë organizimit të propagandës; mjeti kryesor i të cilave ishin shkollat greke, që kërkoheshin gjoja për qëllime humanitare, por në të vërtetë për qëllime politike. Jakovi kishte arritur të ngrinte kudo shkolla greke dhe të përthithe shumë nxënës, të cilët gjendeshin në pamundësi për të vijuar dy shkollat e vetme shqiptare, deri në fund të pushtimit francez. Ai ia doli të ngrinte gjimnazin me 8 mësues dhe 50 nxënës; shkolla qytetëse gjashtëvjeçare kishte 18 mësues dhe 700 nxënës; shkolla e vajzave kishte 15 mësues dhe 515 nxënëse; dy çerdhe me 12 mësues dhe 950 fëmijë dhe 30 shkolla djemsh dhe vajzash, me 37 mësues dhe 1800 nxënës në 22 fshatra. Ushtria greke pritej të vinte nga çasti në çast. Jakovi kishte përfunduar përgatitjet: shkollat ishin hapur, meshat mbaheshin në greqisht, një pjesë e korçarëve, ndonëse shumë e vogël, ishin përfshirë në oborrin e tij dhe në përgjithësi, ushtria nuk do të haste pengesa me gjithë kundërshtitë. Mirëpo, gjendja nuk ishte siç dukej fillimvitin 1920.
Ushtria e lavdishme që ai priste ndodhej gjetkë; Azia e Vogël dhe Traka kishin mbërthyer fuqinë luftarake, me të vërtetë të madhe për Siujdhesën Ballkanike. Gjendja ndryshonte afër Korçës. Greqia kishte asokohe vetëm një divizion në mbarë hapësirën e Epirit dhe Maqedonisë Perëndimore. Njësia krekosej vetëm prej emrit, teksa në të vërtetë përfshinte pak njerëz dhe armatime, për shkak të dërgimit në masë të trupave në Lindje. Divizioni VIII kryesohej nga gjeneral Orfanidhis. Ai njoftoi Ministrinë e Luftës së Greqisë për të vërtetën e hidhur për të, më 7 mars 1920. Orfanidhis shkruante se divizioni e kishte të pamundur të përballej me një kryengritje shqiptare. Trazirat mund të quheshin të mirëqena në rast ndërhyrjeje, teksa paria po përgatitej për luftë si në Korçë edhe në Gjirokastër. Ndërkaq, njoftohej se edhe në Çamëri po ziente një kryengritje. Orfanidhis shihte me paanshmëri: “Shpëtimi i helenizmit” të Korçës mund të kryhej nëse ai lejohej të mësynte “Epirin e Veriut”. Mirëpo, kjo mundësohej vetëm me “plotësimin e nevojave të divizionit” përpara urdhrit për ndërhyrje ushtarake.
Ministria Greke e Luftës i dha rëndësi kërcënimit nga Shqipëria. Parashtresa e Orfanidhisit përputhej me njoftime që vinin prej dhjetorit të vitit të kaluar. Mund të quhej e sigurtë se shqiptarët kishin mundësi të shkaktonin humbje të trupave të mirëradhitura greke. Mirëpo, zgjidhja duhet të ishte më shumë e zgjuar sesa e vrullshme, në kushtet kur Traka dhe Azia e Vogël përthithnin pjesën e luanit të ushtrisë. Ministria e Luftës shpalli risinë më 19 mars: ajo do të dërgonte në Korçë ushtarë nënshtetas grekë me prejardhje shqiptare. Pasja e ushtarëve shqiptarë besnikë ndaj Athinës vlerësohej se do t’i jepte ushtrisë greke përparësi. Parashtresa e Ministrisë së Luftës përcaktonte domosdoshmërinë që të çoheshin ushtarë shqiptarë në Divizionin VIII për të mundësuar arritjen e një kënaqësie në popullsi, duke nënkuptuar shqiptarët arbërorë të Atikës, Viotisë, Eubesë, Peloponezit e ishujve, që vetëm më vonë do të merrnin emërtimin “arvanitas”. Plani nuk u zbatua për dy arsye. Lëvizjet e ushtarëve grekë nga Traka dhe Azia e Vogël ishin thuajse të pamundura, ndërkaq frika se një divizion vetëm me shqiptarë nga ata të Greqisë mund të kthehej në dobi të shqiptarëve të Shqipërisë e bëri Ministrinë të tërhiqej.
Në të vërtetë, Greqia luante blofin muajt e parë të vitit 1920. Ajo lëshonte kushtrimin në Korçë se ushtria do të hynte sapo të iknin francezët, ndërkaq u kërkonte francezëve ta shtynin largimin. Kjo lutje nuk vinte hapur. Kështu, data për zëvendësimin e trupave të Kretenit u caktua dy herë dhe të dyja herët u shty. Jakovi pasqyronte gjendjen në qytet në një nga rastet më 2 maj. Ai shprehej se shqiptarët ishin ngazëllyer me zhvillimet, ndërsa grekomanët u mërzitën prej shtyrjes së hyrjes së ushtrisë. Mitropoliti njoftonte se Pandeli Cale ishte vendosur në krye të shqiptarëve në Korçë dhe atdhetarët shqiptarë shtoheshin gjithnjë e më shumë.
Hera e tretë dukej vendimtare për ata që nuk e dinin se çfarë ndodhte në ushtrinë greke. Ushtria franceze nuk dukej e gatshme të vononte largimin. Prandaj, Greqia vuri në veprim dredhinë ushtarake. Jakovi priti një lajmëtar nga Follorina më 21 maj 1920. Ai i dha lajmin se marrëveshja me francezët u arrit dhe trupat greke do të pushtonin Korçën. Jakovi takoi Kretenin dhe i tha se pushtuesit grekë do të bënin çmos për të mos zemëruar popullsinë dhe kishin për qëllim të pranonin gjendjen e krijuar dhe të linin të hapura shkollat shqiptare që vepronin. Nënkoloneli e udhëzoi të mos e përhapte lajmin dhe Jakovi u largua nga zyra. Menjëherë shkoi në Mitropoli, thirri mbështetësit dhe u kërkoi të njoftonin popullin për pushtimin. Moszbatimi i udhëzimit të Kretenit për shmangien e rrëmujës vinte pikërisht prej rrengut që po luhej. Nevoja greke ishte e kundërta: shqiptarët të mendonin se pushtimi ishte i pashmangshëm dhe të dëshpëroheshin. Nga ana tjetër, fushata e Jakovit u kujdes të përhapte se zëvendësimi i francezëve do të zgjaste deri në vendimin përfundimtar të Konferencës së Paqes në Paris. Ndërthurja e dy arsyetimeve mund të sillte moskryengritjen e korçarëve. Paria e Korçës u zemërua kur mësoi lajmin. Jorgji Raçi, kryetar i Këshillit të Parësisë, dhe kryebashkiaku Koço Kota i dorëzuan Kretenit një lutje për dëbimin e Mitropolitit, që përmbante kërcënime jo shumë të fshehura. Ndërkaq, nënkoloneli parashtronte se përgatiteshin mbledhje për t’u bërë ballë zhvillimeve. Paria vendosi t’i dorëzonte qytetin qeverisë së Tiranës, të dalë nga Kongresi i Lushnjës. Njëkohësisht, nisi përgatitjet ushtarake. Zyrtarët francezë pohonin se ushtarë nga të gjitha anët po grumbulloheshin për t’i bërë ballë pushtimit grek. Ata vlerësonin se ishin mbledhur shtatë mijë luftëtarë deri në atë çast. Venizelos e peshoi gjendjen. Ai mundohej të shmangte përplasjen e armatosur, por bëri përpjekjen e fundit për përgatitje ushtarake. Kryeministri grek kërkoi nisjen e një divizioni nga Izmiri më 22 maj. Ai arsyetoi se Greqia rrezikonte të humbiste përfundimisht Korçën, nëse ushtria greke nuk hynte pas ikjes së francezëve. Ndërkaq, udhëzoi Jakovin të lajmëronte popullsinë se ushtria greke nuk ishte pushtuese, por zëvendësuese e francezëve deri në vendimet e Konferencës së Parisit. Mirëpo, ushtria nga Izmiri nuk vinte dot në aq kohë të shkurtër. Francezët kishin përcaktuar 26 majin si ditë largimi dhe nuk pranonin ta shtynin përsëri. Prefekti i Kozani-Follorinës, Iliaqis, vlerësonte ato ditë se ushtria greke do t’ia kishte dalë të pushtonte Korçën, nëse ikja e francezëve do të shtyhej me një ditë të vetme.
Venizelosi e përligji pamundësinë ushtarake greke si lojë politike. Ai i tha Qeveritarit të Përgjithshëm të Epirit se pushtimi i Korçës ishte vendosur me njëmendësinë e italianëve e francezëve, por anglezët këshilluan të kundërtën për të shmangur kundërveprimin shqiptar. Përligjja ngjan si arsyetimi që Venizelos dëshironte t’i përcillej popullsisë, pasi Kryeministri grek i shprehej Ministrisë së Punëve të Jashtme se asnjë mendim për pushtimin e Epirit të Veriut nuk mund të bëhej në atë çast, për shkak të mungesave që kishin prej pushtimit të Trakës Lindore. Lëvizja ishte e mirëmenduar. Traka Perëndimore dhe Azia e Vogël duheshin pushtuar sa më shpejt, përpara se një shtet i ri të ngrihej nga hiri i Perandorisë Osmane. Korça dhe Gjirokastra le të prisnin; Shqipëria e dobët mund të mposhtej në një çast të dytë. Mirëmendimi i Venizelosit lypte/kërkonte një ndryshim të vetëm. Edhe pushtimi i Korçës, edhe qëndrimi i mëtejshëm i trupave franceze ishin të pamundura për arsye të dukshme. Po ashtu, Korça nuk mbarte mjaftueshëm grekomanë që të nxisnin “kryengritje ushtarake”, qoftë edhe me mbështetjen e plotë të Divizionit VIII. Parashtresat e shqiptarëve, grekëve dhe francezëve ishin njëmendëse se Korça numëronte fare pak grekomanë. Rrjedhimisht, treva kishte mbetur në vullnetin e banorëve, të cilët ishin shprehur qartë për varësi nga Tirana. Ajo çka i mbetej Venizelosit ishte të krijonte parakushtet e pushtimit në një të ardhme, pasi të kishte mbyllur përfundimisht çështjen turke. Kjo kërkonte vazhdimësinë e rrjetit të përgjuesve të ngritur pranë Jakovit. Po ashtu, shkollat dhe kishat duhet të ruanin grekësinë, qoftë edhe vetëm për shfaqje epërsie. Ndërlidhësi mes Jakovit dhe Venizelosit, prefekti Iliaqis, rrëfente se kalimi i Korçës nën varësinë e qeverisë së Tiranës detyronte qeverinë greke të lidhej me palën shqiptare, pasi ndalimi i marshimit të ushtrisë do të shihej si frikë dhe do të krijonte një gjendje të frikshme për grekomanët dhe Mitropolitin. Njëzetegjashtë maji 1920 ishte mbyllur me dy vendime. Korça iu dorëzua qeverisë së Tiranës. Drejtori i Punëve të Përgjithshme, Eshref Frashëri, dhe prefekti i Korçës, Pandeli Cale, morën drejtimin e qytetit nga paria e zgjedhur, të përfaqësuar nga kryekëshilltari Jorgji Raçi dhe kryebashkiaku Koço Kota. Kreteni ishte ende në Korçë, edhe pse tashmë pa detyrë. Ai priste për ndonjë urdhër të çastit të fundit që nuk erdhi kurrë. Padija e korçarëve dhe qeverisë së Tiranës për pamundësinë ushtarake greke solli zbatimin e rrengut të emërtuar “Protokolli i Kapshticës”. Rrengu përmblidhet më së miri në shkresën pikënisëse: Venizelosi i kërkoi nënprefektit të Follorinës të lidhej me Mitropolitin e Durrësit dhe t‟i përcillte një tjetër udhëzim, menjëherë pasi kishte urdhëruar mospushtimin e Korçës. Sipas tij, Jakovi duhet të merrte përsipër përpara shqiptarëve të bindte qeverinë greke të mos vijonte me marshimin e trupave ushtarake, me kusht që shqiptarët të ruanin grekomanët dhe ngrehinat e tyre në Korçë.
Jakovi takoi përfaqësuesit e qeverisë shqiptare dhe u tha troç se gjithçka kishte marrë fund dhe Korça do të pushtohej nga ushtria greke. Mitropoliti tha se e tëhuante gjakderdhjen si prift, ndaj mund të ndërmjetësonte për ta parandaluar. Përfaqësuesit shqiptarë pranuan, të sigurtë se ushtria greke ishte duke marshuar drejt qytetit. “Pa pandehur, luani i frikshëm shfaqet përpara shqiptarëve si qëngj i urtë, duke mbajtur në duar degë ulliri! Nëpërmjet Riza beut, të cilin arriti ta çonte në qëllimet e tij me shpirt e trup, udhëzon paqe politike ndërmjet “dy popujve miq”! Merr përsipër, u thotë, që të ndalojë pushtimin e Korçës nga ushtria greke, me kushtin që të njohin “vëllezërit” shqiptarë “të drejtat e ndaluara kishtare dhe shkollore të të krishterëve shqipfolës”, – përshkruan jetëshkruesi i kryepriftit. Jakovi i dërgoi te gjeneral Trikupi, udhëheqës i njësisë së ngarkuar me pushtimin e Korçës. Njëherazi, Mitropoliti i shkroi drejtuesit ushtarak se Pandeli Cale, Qani Dishnica dhe Nikollaq Zoi po shkonin si përfaqësues të Këshillit Shqiptar për të biseduar me palën greke. Ai lutej të shmangej çdo gjakderdhje për të shkëmbyer mendime.
Mitropolia vërtetonte se kishte dijeni për takimin, duke i përcjellë tre përfaqësuesit shqiptarë oficeri francez, Vo, edhe Ikonomi Atë Petro.
Takimi me Trikupin u bë në fshatin Smardës. Dërgata shqiptare i kërkoi gjeneralit grek të ndalonte ndërhyrjen ushtarake, sepse banorët e Korçës kishin vendosur të kundërshtonin me armë dhe do të derdhej shumë gjak. Ata u shprehën të gatshëm për marrëveshje. Trikupi u përgjigj se kishte urdhër të prerë të pushtonte Korçën dhe duhej të zbatonte. Prandaj, e përcolli dërgatën për në Follorinë, ku e priste prefekti Iliaqis për bisedime të mëtejshme.
Iliaqis i njohu përfaqësuesit shqiptarë me vendimin për pushtim, por tha se do të merrte përsipër detyrën t’i kërkonte Kryeministrit ta ndalonte, meqenëse Mitropoliti i Durrësit lutej kaq shumë nëpërmjet përfaqësuesit të tij. Dërgata shihte ndarjen mes luftës dhe paqes në shfaqjen skenike të zyrtarëve grekë. Ata ishin nisur të pashpresë, thjesht për të mos e çuar dëm një përpjekje të fundit. Asnjëri prej përfaqësuesve shqiptarë nuk besonte se ndërhyrja e një prifti, qoftë edhe e natyrës së Jakovit, mund të ndryshonte të paracaktuarën. Ndaj, përgjigjja e Venizelosit i kapi në befasi. Dëshmitari Atë Petro vërente shtangien e Pandeli Cales, kur Iliaqis shqiptoi se pushtimi nuk do të kryhej. Palët vendosën zhvillimin e një takimi në Kapshticë të nesërmen, ku duhet të shkonte një përfaqësi dyanëtarëshe me Mitropolitin e Durrësit. Iliaqis theksoi se marrëveshja u bë e mundur prej Jakovit dhe palët duhet t’i ishin mirënjohës Hirësisë.
Mitropoliti hartoi protokollin dhe dy dërgatat u takuan në Kapshticë për ta nënshkruar. Pala shqiptare u përfaqësua nga Eshref Frashëri, Jorgji Raci, Pandeli Cale, Nikollaq Zoi dhe Selaudin Blloshmi, ndërsa pala greke nga gjenerali Trikupi dhe prefekti Iliaqis. Jakovi dhe grekomani Riza Hrushiti ishin dëshmitarë nënshkrues të marrëveshjes. Ajo caktonte se ushtria greke nuk do të hynte në Korçë. Pala shqiptare merrte përsipër mbrojtjen e grekëve të atyshëm. Shkollat dhe kishat greke nuk do të cenoheshin, ndërsa xhandarmëria shqiptare nuk do të tejkalonte kufijtë e përcaktuar, derisa kufiri shqiptaro-grek të vendosej në Konferencën e Paqes. Disa fshatra shqiptare rreth Bilishtit mbetën nën sundimin e përkohshëm grek. Marrëveshja vlerësonte Mitropolit Jakovin dhe Riza Hrushit Beun si frymëzues dhe dëshmitarë të vëllazërisë mes dy popujve. /tesheshi.com/