Për shumë vite punoj si gazetar dhe më pas dha kontribut të çmuar në shoqërinë civile, konkretisht në fushën anti-korrupsion. Si jo pak kolegë të tij vendosi t’i hyjë ujërave të politikës ku u bashkua me Lëvizjen Vetëvendosje. Është ky Avni Zogiani, që synon ta thyej LDK-në në Fushë Kosovë çka se ka bërë asnjë parti nga paslufta.
Ai në një intervistë për tesheshi.com flet për keqpërdorimet që janë bërë në këtë komunë gjatë qeverisjes së LDK-së, për ndryshimin që synon ta bëjë në të gjitha fushat nëse qytetarët ia besojnë postin e kryetarit, si dhe tregon ç’dallon prej kundërkandidatëve të tij…
Intervistoi: Blendi Gashi
Së pari a mund të na flisni pak për vetën tuaj, një CV të shkurtër?
Jam Avni Zogiani. Për një kohë të gjatë, saktësisht tetë vite kam punuar gazetar, më pas kam themeluar organizatën “ÇOHU” brenda së cilës kemi themeluar edhe një qendër për gazetari hulumtuese.
Kam studiuar në “Indiana University” në SHBA, përkatësisht në shkollën e gazetarisë aty, dhe në Universitetin “Sussex” në Angli ku kam bërë studime kontoperane evropiane.
Ju synoni të fitoni një bastion të LDK-së. Ç’gjasa keni që të thyeni këtë parti dhe të merrni udhëheqjen?
Së pari unë mendoj se është perceptuar gabimisht se Fushë Kosova është bastion i LDK-së. Fushë Kosova është bastion e kryetarit aktual (Burim Berisha) edhe i PDK-së. Kryetari aktual në shumë momente thotë vetëm vulën e marrë në LDK por nuk kam asnjë gjë të përbashkët me LDK-në.
Nëse shihet në terren ajo çka ndodhë, bizneset e PDK-së marrin toka komunale, ndërtojnë dhe kanë interesa ekonomike që ju mbrohen në Fushë Kosovë.
Shembull, komuna paguan mbi 16 mijë euro në muaj qira për një person fizik i cili është një nga të akuzuarit në grupin e famshëm të Azem Sylës. Pra kemi të bëjmë me një skemë tipike ku një kryetar që pretendon të jetë i LDK-së shfrytëzohet nga interesat e PDK-së. Në këtë situatë pra ne thyejmë një qeverisje lokale që formalisht është LDK, por para se gjithash duhet të merremi me interesat në teren janë interesa mafioze të afërta me LDK-në e PDK-në por më shumë me këtë të fundit.
Si do arrini t’i thyeni këto interesa mafioze që po i quani? Ç’plan keni? Sa jeni i gatshëm të ballafaqoheni me këta individë?
Së pari nuk kam nevojë me u ballafaquar me individë, por me ligjin, rregullat, institucionin.
Vetëvendosje do të ndërtojë institucion, nuk ka institucione në Fushë Kosovë, por klane që e kanë emrin institucion, por nuk funksionojnë në bazë të asnjë rregulli institucional.
Në Fushë Kosovë vendoset prej kryetarit secili vendim, pasi asambleja komunale është formale.
Kaq i pushtetshëm është kryetari aktual Burim Berisha?
Është shumë i pushtetshëm. Mund të jetë njeriu më i pushtetshëm në Kosovë, edhe ndoshta Hashim Thaçi e Kadri Veseli e ndajnë pushtetin me të.
Kush e fuqizoi kështu sipas jush?
E ka fuqizuar mafia në disa fusha, si në atë të ndërtimit por edhe në atë të riciklimit. Pra ekziston një mafia mbrapa administratës së Fushë Kosovës e cila e shfrytëzon kryetarin aktual për parimin e interesave të veta.
Të kthehemi pak tek fushata, tek terreni. Si po ju ecën? Ç’brenga ju kanë qytetarët gjatë takimeve? A mund ta përmendni një që ju ka ngelur më shumë ne mendje?
Ka shumë. Janë disa sektorë në Fushë Kosovë që janë alarmante dhe duhet një plan emergjent për ta parandaluar së paku këtë që po ndodh.
Arsimi është në gjendje të mjerueshme, poashtu shëndetësia e urbanizmi. Fshatrat janë të braktisura, ato vazhdojnë të kenë probleme themelore siç është furnizimi me ujë, një pjesë e konsiderueshme e qytetit vazhdon të mos ketë ujë. Me një fjalë sektorët kryesorë për çka ekziston komuna si e tillë nuk funksionojnë në Fushë Kosovë. Këtu ekziston vetëm biznesi i ndërtimeve dhe asgjë tjetër.
A keni një plan konkret si do përmirësoni gjendjen në sistemin arsimor, pasi Auditi ka gjetur se në punësohet staf jo adekuat, veçojmë këtu punësimin e një sociologu si mësimdhënës të matematikës?
Së pari arsimi ka dy lloje të problemeve. i pari është infrastrukturor, pra ka mungesë hapësirash, mungesë të ujit të pijshëm, mungesë laboratorësh etj.
Kurse problemi tjetër është mungesa e mësimdhënësve të kualifikuar në arsim. Unë kam takuar rastësisht një prej prindërve që ishte shumë i shqetësuar se fëmija i tij duhet me përfunduar shkollën e mesme në Fushë Kosovë, sepse nuk jep kurrfarë perspektivë, pasi janë tepër të dobëta.
Sektori i arsimit në Fushë Kosovë ka shërbyer kryesisht si një sektor në të cilin militantët që e rrethojnë kryetarin kanë gjetur punë.
Për shembull, Fushë Kosova ka vetëm një çerdhe e cila mbanë 120 fëmijë e kjo çerdhe ka 21 apo 22 edukatorë. Pse ndodh kështu? Sepse kushdo që ka pas dikë me punësuar prej administratës së komunës e ka punësuar në çerdhe. Në këtë çerdhe pra kemi pesë fëmijë me një edukatore, kuotë të cilën as Zvicra nuk e ka.
Kurse në shkolla brenda një klase kemi 40-45 deri 50 nxënës.
Ju më shumë përmendet defektet. Po cili është plani juaj për arsimin?
Në fakt fola për një plan. Krijimi i infrastrukturës që nënkupton ndërtimin e shkollave të reja, hap tjetër do jetë rikualifikimi i mësimdhënësve edhe eventualisht vlerësimi i tyre pasi ka mësimdhënës që nuk e kanë vendin në shkollë.
Unë mendoj se brenda mandatit do të ndërtohen tri apo katër çerdhe pasi ka shumë nevojë, pasi çerdhet kryesisht janë private dhe nuk ka mundësi kontrolli të nivelit të edukimit.
A do të merrni modelin e Komunës së Prishtinës për përzgjedhjen e mësimdhënësve?
Natyrisht se për konkurset do të ketë transparencë radikale, pasi në rast se punësimet bëhet në mënyrë të mbyllur sigurisht se nuk do të vijë kualiteti në sektorin e arsimit.
Hapi i parë do jetë përmirësimi i konkurseve publike, përzgjedhja do jetë në bazë të kritereve. Natyrisht se do ndërtohet shkolla dhe çerdhe.
Më herët përmendet edhe planin urbanistik. Në Fushë Kosovë është ndërtuar shumë viteve të fundit, , cili është plani juaj për këtë sektor?
Së pari i kemi dy orientime kryesore në fushën e urbanizmit. Gjendja e rëndë në fushën e urbanizmit duhet të përmirësohet për aq sa është e mundshme.
Fushë Kosova nuk mund të kthehet në një qytet tërësisht funksional sepse është ndërtuar në mënyrë të mbrapshtë, por mund të përmirësohet duke gjelbëruar hapësirat që janë të mundshme me i gjelbru.
Mund të përmirësohet duke e riorientua tërësisht trafikun brenda, mund të përmirësohet duke insistuar në një balancë mes interesave të biznesit dhe qytetarit.
Momentalisht administrata komunale për shkak të lidhjeve me biznese që ndërtojnë në mënyrë të egër ka krijuar hapësirë vetëm për bizneset dhe ka shkelur hapësirën e qytetarit.
Komuna nën udhëheqjen time do ta bëjë një balancim të këtyre interesave, do të mendoj edhe për qytetarin edhe për biznesin, ama jo vetëm për njërën palë.
Si e vlerësoni fushatën gjatë këtyre njëzet ditëve, ç’gjuhë është përdorur dhe ju si ju ka ecur?
Unë kam një problem shumë të madh me mënyrën se si bëhen debatet sidomos nëpër televizionet tona sepse ka kandidatë që nuk kanë as qëllimin as vullnetin me sfiduar pushtetin, janë thjesht sa me qenë.
Këta kandidat e lëshojnë shpesh për toke debatin, flasin për sende triviale, të parëndësishme, ndonjëherë bëjnë zhurmë dhe unë i kam quajtur “mançurian kandidat”. Kandidat mançurian janë ata kandidat që në aparenc janë opozitarë por në fakt i ndihmon pushtetit për të vazhduar regjimin e vet pasi kanë interesa të përbashkëta.
C’dallim keni nga kundër kandidatët tuaj?
Asnjë lidhje me këto bizneseve e allashverishe, asnjë lidhje me maskarallëqet që kanë ndodh deri sot në Fushë Kosovë nuk ka Vetëvendosje dhe kjo është përparësia e parë.
Përparësia e dytë është kualifikimi, eksperienca. Jam marrë me sektorin publik nga viti 1997 dhe e njoh thellësisht institucionin, ligjin dhe praktikat e mira në këtë fushë.
Duke parë këto përparësi , a pritni të dilni fitues me apo pa balotazh?
Unë po frikësohem që po na çojnë në balotazh. Kam menduar se mund dalim fitues edhe pa balotazh por përdorimi i pushtetit në mënyrë të pakufizuar nga kryetari aktual, i parasë së komunës për qëllime elektorale, i kapaciteteve, rrjetit kriminal që e ka rrezikon të na dërgon në balotazh.
Krejt për fund, plani juaj për përkrahjen e personave me aftësi të kufizuara, sportin e kulturën?
Është fatkeqësi e madhe si janë injoruar personat me aftësi të kufizuara në Fushë Kosovë. Ne kemi një aktivit shumë profesionist që ka studiuar në Amerikë që është me aftësi të kufizuara dhe që kemi probleme kur e marrim në zyrë pasi shkallët nuk kanë qasje për karroce dhe pothuajse asnjë objekt nuk ka qasje të tillë.
Në 2004 ju ka dhënë çelësi kulturës dhe sportit në Fushë Kosovë. Janë mbyllur teatri “Qëndresa”, janë mbyllur dhjetëra klube të rëndësishme sportive.
Prej 2004-tës gjithçka çfarë ka ndodh në Fushë Kosovë ka qenë biznes i zyrtarëve komunal dhe asgjë tjetër nuk ju ka interesuar.
E kanë mbajtur një lloj ansambli si me zor sepse ju ka nevojitur për të udhëtuar jashtë. Do të thotë kryetari udhëton jashtë në emër të ansamblit valltar dhe tjetër gjë nuk funksionon.
Vetëvendosje si të vije në pushtet do ta marrë shtëpinë e kulturës do ta shndërron në një qendër kulturore të rëndësishme ku do të riaktualizohet teatri, kinemaja, bibliotekën dhe do bëjmë edhe qendra tjera që do t’i shërbejnë komunitetit.
Madje unë jam duke e përpunuar një ide që Fushë Kosova të ketë një kalendar kulturor ku do të tërhiqnim artist në fusha të ndryshme të cilët do ta kenë paraprakisht të planifikuar ngjarjen dhe vetëm do bëjnë performancat e veta.
Me Vetëvendosjen-n në qeverisje do të riaktivizohen klubet sportive të cilat kanë qenë shumë të rëndësishme në Fushë Kosovë. Për shembull kemi pasur kampionë Jugosllavije në ping-pong, por klubet e tilla janë mbyllur. /tesheshi.com/