Pas eksperiencave me Anderlehtin dhe Legian e Varshavës, Besnik Hasi është ulur në stolin e Olimpiakosit të Pireut, skuadrës kampione të Greqisë.
Për të ka një kontratë dyvjeçare, dhe objektivi kryesor është dërgimi i Olimpiakosit në fazën në grupe të Champions League-s.
Prezantimi i tij dje te Olimpiakosi ka zënë vend në faqet e shtypit të huaj sportiv, e jo vetëm.
“Olimpiakosi ka emëruar ish-mesfushorin e Shqipërisë, Besnik Hasi, si trajner të tij,” thuhet diku, ndërsa kujtohet më tej se ekipin grek e kanë drejtuar sezonin e shkuar tre trajnerë të ndryshëm.
E përditshmja greke Kathimerini ka zgjedhur të japë në versionin e saj në anglisht raportimin e Reuters-it mbi nënshkrimin e Hasit me Olimpiakosin.
Në të, ndër të tjera thuhet:
“Hasi, 45 vjeç, nënshkroi një kontratë dyvjeçare me klubin e Superligës pas disa ditësh bisedime, dhe zëvendëson teknikun e mëhershëm Takis Lemonis…. Olimpiakosi do të kërkojë më tepër stabilitet me Besnik Hasin.”
Në raportim theksohet se objektivi më i parë për teknikun e ri është arritja në fazën në grupe të Champions League-s, duke përcjellë njëkohësisht dhe fjalët e para të Hasit në prezantimin e tij te klubi i famshëm i Athinës.
“Jam shumë i lumtur që i bashkohem këtij klubi të madh… Vij këtu me ambicie të mëdha, më e para nga të cilat është kualifikimi për fazën në grupe të Champions League-s.” /tesheshi.com/