Kalimi i orëve dhe ditëve po sjell rëndimin e bilancit të shpërthimit të vullkanit Fuego, prej së cilit iu përcollën botës pamje rrëqethëse.
Numri i të vdekurve ka shkuar në 75, bëjnë me dije autoritetet e Guatemalës, ndërkohë që një tjetër shpërthim të martën u pasua me evakuime të reja të popullsisë nga zonat e prekura.
Agjencia e katastrofave në vend, CONRED, pohon gjithashtu se 192 persona rezultojnë të humbur, me prirjen kësisoj që numri i viktimave të pësojë rritje.
Shpërthimi i vullkanit Fuego në më shumë se katër dekada u shoqërua të dielën me një rrëke llave të nxehtë në dhjetë kilometra, me tym të zi e me hi, të shpërndarë gjer në kryeqytetin e vendit.
Kërkimi për gjetjen e trupave në fshatrat malorë po ecën mjaft ngadalë për shkak të kushteve dhe terrenit.
Zyrtarët thonë se vetëm 17 prej viktimave janë identifikuar gjer tani; pjesa më e madhe është e pamundur të identifikohet. /tesheshi.com/