Biznesmeni Edmond Bego ka vendosur të reagojë ndaj akuzave të lëshuara prej tij nga opozita, duke paralajmëruar dhe hapje procesi gjyqësor ndaj njerëzve të PD-së. Një paralajmërim të tillë ai ia bëri Gazmend Bardhit, njeriut që këto ditë është angazhuar me rastin e një hapësire toke për ndërtim në zonën e Unazës, ku sipas opozitës do ndërtojë kompania e Begos në mënyrë abuzive.
Te emisioni të “Pa ekspozuarit”, Bego ndërhyri në linjë telefonike duke thënë se po shpifet ndaj tij me akuza dhe se për këtë do t’i drejtohet gjykatës. Ai tha se e ka shlyer dënimin e tij, se i janë kryer tre hetime për pastrim parash në kohën e PD-së prej të cilave ka rezultuar i pastër, dhe se pjesën më të madhe të aktivitetit si biznesmen e ka po në kohën e qeverisjes se demokratëve.
Ndërsa PD e akuzon atë si përfitues tenderash nga qeveria socialiste, duke e lidhur këtë dhe me një raport të afërt miqësor me nr.2 Taulant Balla. E akuzon gjithashtu dhe si ish-anëtar i bandës së Lushnjës, pra të afërt me Aldo Baren, gjë të cilë Bego e ka mohuar kategorikisht. Ai iu është lutur njerëzve në studio, që ta lënë të qetë pasi ka fëmijë e familje.
Ndërkohë, ajo që nuk thuhet për Begon, siç dhe vetë ai nuk e thotë, është se vjen nga shtresa e të ish-të përndjekurve politikë – familja e tij është e internuar nga Berati në Lushnjë – dhe se vite me parë ka sponsorizuar fushatën e një figure të lartë të PD-së. /tesheshi.com/