Edhe kreu demokrat Basha ka përshëndetur zgjedhjet në Kosovë, ku fillimisht veçon faktin se aty iu besua pushteti opozitës, atë që dhe Basha do e dëshironte të ndodhte në Shqipëri.
“Populli i Kosovës votoi për ndryshim duke mandatuar opozitën për të udhëhequr në rrugën e transformimit ekonomik dhe integrimit euro-atlantik. Urimet më të përzemërta LVV dhe LDK, Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit për fitoren”, shkruan Basha në mesazhin e tij.
Kreu demokrat vlerëson gjithashtu dhe standartet e këtyre zgjedhjeve te shqiptarët matanë kufirit.
“Përgëzime udhëheqësve të forcave të tjera politike garuese në këto zgjedhje që me qëndrimet e tyre europiane japin garanci për ecjen përpara të Kosovës.
Dje populli i Kosovës dha një shembull frymëzues me pjesmarrjen civile dhe masive në zgjedhje, Policia e Kosovës tregoi profesionalizëm të lartë në ndalimin e menjëhershëm të atyre që cënuan sekretin e votës së lirë duke e fotografuar atë. Kosova i dëshmoi botës se është një demokraci funksionuese dhe se meriton sa më parë vendin dhe rolin e saj në të gjitha institucionet dhe proceset ndërkombëtare. Urime Kosovë!”, shkruan njeriu në krye të opozitës në Shqipëri. /tesheshi.com/