Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ftoi qytetarët që të marrin pjesë masivisht në votimet e së dielës, duke thënë se PD ka marrë të gjitha masat për ruajtjen e votës dhe për të garantuar që çdo qytetar të shprehë vullnetin e lirë.
Deklarata e kreut të opozitës u bë në përfundim të një takimi me përfaqësues të vëzhguesve të Këshillit të Europës mesditën e sotme, ku tha se vëzhguesit e KiE, bashkë me ata të OSBE-ODHIR dhe Bashkimit Europian do të bëjnë një trupë të fuqishme për procesin zgjedhor të së dielës.
“I informova për përpjekjet e mazhorancës për të zhbërë standardet zgjedhore si dhe për vullnetin e opozitës për të mos lejuar diçka të tillë. Më garantuan se do jenë në çdo bashki të pranishëm, të vendosur për të monitoruar dhe ruajtur standardet zgjedhore. U bëj thirrje qytetarëve që të votojnë masivisht të dielën, askush nuk e cenon votën tuaj”, u shpreh Basha.
Ai ftoi qytetarët që të votojnë kandidatët e djathtë në gjithë bashkitë e vendit dhe Halim Kosovën për Tiranën.
Në vijim kreu i opozitës tha se me vëzhguesit e Këshillit të Europës u fol për gjithçka dhe u informoan për masat e marra. Sipas kryedemokratit nuk do të lejohet askush të votojë nëse nuk është regjistruar sipas ligjit, duke përmendur si zonat më problematike Durrësin dhe Kavajën.
Basha deklaroi se komisionerët e djathtë nuk do ti lejojnë votuesit fiktiv, ndaj kërkoi që ata të votojnë në zonat e tyre. /tesheshi.com/