Në ditën e 38 të protestës nën çadër, kreu i PD-së, Lulzim Basha ka këmbëgulur se ka mbështetjen e Uashingtonit, një reagim që vjen pas deklarimit të ambasadës amerikane në Tiranë, ku thuhej se opozita duhet të kthehej në parlament.
“Për këtë betejë për këtë kauzë të zgjedhjeve të lira e të ndershme, largimit të krimit nga politika dhe luftën pa kompromis kundër drogës, po kam marrë mbështetje totale në Washginton dhe këtë mbështetje e përkthejmë në këtë aksion politik që ka synim Shqipërinë, standardin europian. Nuk ka tërheqje sepse do të thotë rënie të zgjedhjeve të lira e të ndershme, tërheqje do të thotë Shqipëri të republikës së drogës. Do të ketë luftë të vendosur deri në fitore”, tha Basha, sërish pa artikluar asnjë emër konkret zyrtari amerikan prej së cilit ai të kishte marrë sinjalet e një mbështetje reale dhe zyrtare po ashtu, mbi aksionin e pazakontë politik të ndërmarrë prej tij.
Më pas, ai ka folur dhe për një mafia ndërkombëtare, jo ordinere por diplomatike, që sipas tij po i shërben Ramës.
“Kjo që po zhvillojmë është jo më pak se një luftë për jetë a vdekje për Shqipërinë euroatlantike. Mafia ndërkombëtare e narkomafia shqiptare të bërë njësh me Edi Ramën, po bëjnë dhe do të bëjnë gjithçka për të mbrojtur milionat e aferave korruptive që janë luajtur në kurriz të popullit shqiptar, do të bëjnë gjithçka për të ruajtur miliardat e kanabisit, kokainës e herinës me të cilën financojnë politikë dhe lobistët e tyre”, theksoi kreu i opozitës në deklarimet e tij të ashpra nga brenda çadrës. /tesheshi.com/