Kreu demokrat Basha startoi nga Elbasani të ashtuquajturin tur “bashkëbisedimi me Shqipërinë”, duke u fokusuar te rinia.
Me emigrimin e trajtuar si një plagë që po prek rininë, Basha tha se “po të investojmë tek rinia, do na kthehet shumë herë në benefite në të ardhmen. Duke investuar te rinia ndalet dhe emigracioni”.
“Nuk ndalet emigracioni duke shtuar policë në kufi”, theksoi Basha, duke ju referuar masave qeveritare për të penguar kalimet e paligjshme.
Më pas, interesit gazetaresk mbi natyrën e turit, ai iu përgjigj pa ndërfutur kërkesën për zgjedhje të parakohshme.
“Është fillimi i një turi bashkëbisedimi me shqiptarët. Një rrugëtim për Shqipërinë që nis duke i dëgjuar ata, si hallet dhe problemet, shqetësimet që kanë dhe shpresat për të nesërmen, në mënyrë që së bashku të hartojmë zgjidhje dhe ta nxjerrim vendin nga kjo krizë.
Kjo kërkon një bashkëbisedim të hapur me njerëzit, ku të kemi një vesh për të dëgjuar sugjerimet dhe pyetjet, ashtu edhe kritikat edhe propozimet. Kjo është ajo që po bëjmë sot. Kjo është ajo që po bëjmë me rininë e Elbasanit, do ta vazhdojmë nesër me rininë e qyteteve të tjera, të Korçës, të Shkodrës”,theksoi Basha.
Kjo deklaratë e “butë” e tij vjen pas mesazhit të Ndihmës Sekretarit të Shtetit Metthew Palmer, i cili ditë më parë i kërkoi PD-së e LSI-së që ta ndëpresin bojkotin e t’i kthehen normalitetit opozitar në rrugë institucionale. Diplomati amerikan e quajti të dështuar strategjinë e opozitës për ta rrëzuar qeverinë me bojkot e çuar vendin në zgjedhje të parakohshme më pas, duke lënë të nënkuptuar se të tilla nuk do të ketë. /tesheshi.com/