Nga Eva Gjura
E nisa këtë mëngjes punën si gazetare për të parë nga afër një ndryshim epokal që ka ndodhur me një komunitet romësh, atë të Shkozës në Tiranë, ku pak ditë më parë gati dhjetë çadra të tyre, të cilat i përdorin për të banuar u përfshinë nga flakët duke i nxjerrë në rrugë të madhe dhjetë kryefamiljarë bashkë me fëmijët e tyre. Në vend të çadrave të pista dhe të grisura tashmë aty ishin ndërtuar disa baraka druri shumë më të bukura dhe që përçonin pastërti.
Nisa të flas me banorët e atyshëm, pasi doja të merrja prej tyre përshtypjet, ndjesitë për shtëpitë e reja, të cilat tashmë dukeshin qartazi se ishin shumë më të mira sesa çadrat ku kishin jetuar deri më tani.
Ashtu siç e kisha menduar, një pjesë ishin shumë të kënaqur, por kishte edhe shumë të tjerë që nuk reshtin së shari dhe akuzuari shtetin se ju kishte ndërtuar baraka, të cilat sipas tyre nuk ju plotësonin kushtet për jetesë. E habitur i pyes sërish se çfarë kushtesh kishin pasur më shumë sesa ajo baraka prej dërrase, e pastër, ambienti rreth e rrotull barakave ishe po ashtu shumë i pastër, ndërkohë që pak metra më tej ishin disa çadra të pista po ashtu edhe ambienti për rreth.
“Nuk kemi veshmbathje, brekë nuk kemi mi zoje, nuk kemi ushqime, kemi ftohtë, shteti s’ka bërë asgjë për ne, na kanë lënë në mëshirë të fatit”, ishin disa nga deklaratat e banorëve të komunitetit rom, por në fakt ajo që unë shikoja më sytë e mi ishte një panoramë krejt tjetër. Pa i ndërprerë vazhdoja t’i dëgjoja, por në fakt këtë herë nuk di pse nuk ndaja të njëjtin mendim me ta.
Një tjetër banore, një zonjë rreth 40 vjeç erdhi mjaft e revoltuar duke mu ankuar se në çadër i ishin djegur gjithçka kishte pasur, veshjet, orenditë dhe mbi të gjitha mbi 2 mijë euro kursime. E habitur e pyes edhe njëherë: “2 mijë euro?!”
Dhe me vendosmëri më përgjigjet: “Po, po, kisha 2 mijë euro, pasaportat dhe dokumente të tjera.”
Pa u menduar gjatë i them se t’i paske qenë e pasur, pasi unë punoj bashkë me bashkëshortin dhe nuk i kam 2 mijë euro mënjanë.
“Ti, kur i paske pasur pse ke pranuar të jetosh në këtë fëlliqësirë, në këto kushte mizerje, pse si ke krijuar vetes kushte më dinjitoze?”
Nuk pranoi të më ktheje përgjigje, por u largua e mërzitur, sepse unë nuk i kisha shkuar pas fijes. Në gjuhën e saj shau nëpër dhëmbë dhe iku duke kthyer kokën edhe njëherë pas për të më parë.
Teksa ajo ikte mua mu kujtuan një tjetër episod me të cilin isha përballuar pak muaj më parë, por që nuk i dhashë shumë rëndësi në atë kohë. Kalova shumë ditë me familjet që u shpërngulën nga liqeni artificial në Tiranë, gjatë bisedës me disa prej tyre më patën thënë se vinin nga Elbasani, atje kishin shtëpi shumë të mira dhe kushte më të mira se këtu , por preferonin të jetonin në çadrat e ngulura në Parkun e Liqenit.
Tashmë, teksa zonja e revoltuar së cilës i ishin djegur 2 mijë euro largohej dhe dëgjoja nga banorët e tjerë se ishin të pakënaqur nga kushtet e krijuara mu kujtuan me dhjetëra familje të tjerë jo rome, të cilat jetojnë në kushte mjaft të vështira dhe shteti vërtet nuk ju ka vënë dorë dhe nuk po interesohet për ta.
Mos vallë bashkia dhe qeveritë që ikin e vijnë investojnë më shumë për një komunitet, i cili nuk do të integrohet, një komunitet i cili nuk do të shkollohet, një komunitet i cili do të përfitojë sa të mundet nga kushdo dhe sërish të vazhdojë të jetojë në ato çadrat e ndyra?!
Një komuniteti, të cilit i janë dhënë edhe shtëpi në pallate shtetërore ku jetojmë edhe ne të tjerët, dhe ata i kanë shndërruar ato pallate në fole minjsh apo siç më tregojnë shumë raste duke ndezur zjarr në mes të shtëpisë.
Mirë ne si vend i varfër nuk kemi bërë sa duhet për këtë komunitet, po vendet e tjera të zhvilluara si Italia, Gjermani, Franca edhe Norvegjia nuk kanë bërë aq sa duhet për ta. Sepse ne të gjithë dimë se ata vazhdojnë të jetojnë poshtë urave dhe në çadra në mënyrë kolektive edhe në këto shtete.
Ky komunitet nuk u integrua në vitet kur vendi drejtohej nga sistemi komunist, kjo gjë nuk u arrit as për 25 vite demokraci, a nuk ka ardhur koha që të mos merremi shumë me ta? Nëse doni të ndihmoni dikë ndihmoni ato familje të varfra, të cilat do t’jua dinë vërtet për nder për batanijen, dyshekun, rrobat e dërguara dhe shtëpinë që mund t’ju riparojë shteti por edhe individi.
Por jo pavarësisht kësaj që them unë, sërish për shtetin janë të gjithë njëlloj. Ndaj bashkia dhe qeveria vazhdon të investojë për integrimin e tyre. Por për mua ky është një mision i pa mundur dhe një mund i shkuar dëm. Siç thotë një shprehje popullore, “iriqi ferrën do”, kështu edhe këta sado të investosh sërish çadrat e qelbura preferojnë për të jetuar.
Energjia elektrike
Gjatë kohës që po vizitoja barakat e ndërtuara nga bashkia për komunitetin rom, aty kishte punëtor të shumë të OSHEE-së, të cilët po punonin megjithëse binte pak shi për t’ju lidhur këtyre shtëpizave energjinë elektrike. Po vendosnin një transformator dhe më pas do të shpërndanin në çdo barakë linjën elektrike. Sërish nuk mund të rrija pa pyetur. Kush do ta paguajë faturën e energjisë që ata do të konsumojnë? Sepse unë si taksapaguese nuk kam pse paguaj taksa për një komunitet që nuk më jep asgjë, por vetëm merr dhe sërish nuk është i kënaqur. Ashtu siç e mendoja, ata nuk do të paguanin energji elektrike, por vetëm do ta konsumojnë ata,sërish fatura i kalon shtetit dhe neve si qytetar. A nuk është ky një favor që mua, ty dhe çdo shtetasi të këtij vendi nuk i bëhet.
Bashkia e Tiranës
Pasi iki nga ky komunitet nuk mund të rrija pa marrë edhe një reagim nga bashkia e Tiranës. Komunikoj me Drejtorin e Strehimit dhe Monitorimit z. Elton Kacidhja. E pyes sesa familja janë gjithsej në zonën e Shkozës, sa baraka ka ndërtuar bashkia, çfarë ju ka ofruar ky institucion tjetër dhe çfarë do të bëjnë për ta në të ardhmen. Z. Kacidhja më përgjigjet pa hezitim duke më treguar se, “janë 60 familje.
Brenda pak orëve janë ndërtuar 10 baraka dhe përveç ndërtimit të tyre bashkia ju ka ofruar edhe, dyshekë, batanije, rroba për të rritur dhe fëmijë, si dhe soba për ngrohje”. Gjithashtu ai më tregon se, “në një kohë të shkurtër Bashkia do të ndërtojë 60 shtëpi me kontenier, të cilat do të jenë të strukturuara si shtëpi, me kanalizime të ujërave të bardha dhe ujërave të zeza, me energji elektrike, banjo të përbashkët dhe qendër shëndetësore”. Zoti Kacidhja sqaron se qendra që do të ndërtohet do të menaxhohet nga bashkia dhe punimet pritet të fillojnë në muajin maj.
Çfarë ndodhi ditën që u dogjën çadrat
Djegia e çadrave shkaktoi një zemërim të madh tek komuniteti rom, i cili zemërimin dhe shqetësimin e tyre vendosën ta shfryjnë duke thyer me gurë xhamat e banesave sociale që janë aty pranë. Sipas tyre kjo ishte mënyra për të bërë shtetin të kthejë sytë nga ata. Ndoshta edhe ia arritën, sepse aty në një kohë mjaft të shkurtër thua se kishin qenë pas çadrave mbërritën përfaqësues të shoqatave jo qeveritare, në mbështetje të tyre. Përfaqësues që deri më tani kanë përvetësuar qindra mijëra lekë për t’ju ardhur në ndihmë këtij komunitetit, por deri më sot asnjë lek nuk ka vajtur tek ata. Nuk ka dalë ndonjë shoqatë që të tregojë një shtëpi, të ndërtuar për banorët e këtij komuniteti, një barakë apo t’ju ketë krijuar një kusht për jetesën e tyre. Kjo pak rëndësi ka, ata i kanë marrë paratë, kanë mbushur formularët duke justifikuar sesi i kanë shpenzuar paratë e marra dhe atë ditë ishin aty duke bërë fotografi dhe duke ngritur zërin se shteti i ka i harruar këta njerëz.
Po kaq shpejt mbërritën edhe zyrtarë të Avokatit të Popullit, edhe këta shumë të shqetësuar për këtë komunitetit, sipas tyre të harruar nga shteti.
Në këtë situatë nuk kishte si të mungonte as Partia Demokratike, e cila shpejt e shpejt në media kritikoi edhe ajo punën e qeverisë, por nuk mbajti asnjë përgjegjësi se ka vetëm pak kohë që ka ikur nga pushteti dhe ky komunitet aty ishte, në këtë gjendje të mjerë dhe askush nuk bëri gjë për ta. Por kjo s’ka rëndësi, bënë deklarata kundër, ngritën gishtin duke treguar fajtorët dhe ikën pa i bërë pis këpucët.
Gjithashtu aty mbërritën edhe ato që ndihen si të zotët e shtëpisë, përfaqësues të bashkisë së Tiranës, të cilëve mirë apo keq kanë për detyrë ti ndihmojnë këto njerëz për t’i nxjerrë nga mizerja ku jetojnë dhe pa e zgjatur shumë tek vendi ku më parë kishin qene çadrat e pista dhe të grisura u ndërtuan disa baraka dërrase, të cilët për hir të së vërtetës duken mjaft të mira, të pastra dhe të rregullta duke ju dhënë kështu mundësinë këtyre njerëzve të jetojnë në kushte shumë më të mira sesa ishin më parë në çadrat e tyre. /tesheshi.com/