Bamir Topi, aleati i Partisë Socialiste, ka sulmuar ashpër qeverinë dhe mazhorancën duke theksuar se gjërat nuk po ecin mirë, por ka mbajtur një qëndrim linear me kreun e Kuvendit Ilir Meta.
Ish-Presidenti që u fut në koalicionin qeveritar në zgjedhjet e 21 qershorit, nuk ka kursyer ironinë ndaj aleatëve: “jemi të detyruar me forcë të theksojmë se jo gjithçka po shkon në drejtimin e duhur. Nuk i referohem këtu sloganit të Partisë Socialiste, por drejtimit të duhur ku duhet të shkojë Shqipëria, për të prodhuar stabilitetin politik, qëndrueshmërinë e institucioneve dhe ekonomi më të mire”.
Kreu i FRD-së, i cili ka qenë viktimë e ndryshimeve kushtetuese në kohën kur drejtonte shtetin shqiptar ka bërë thirrje për të mos e përsëritur këtë pakt sërish.
“Po kalojnë 8 vite nga prilli i vitit 2008, kur brenda një nate – sikurse e mbani mend, – ndryshoi Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë me vullnet të deformuar mbi biseda klandestine, duke i sjellë një dëm demokracisë në Shqipëri.
Përgëzoj zërat që i referohen asaj date për efektet negative që pati ai ndryshim i befasishëm, në interes të dy individëve – siç e kam thënë gjithmonë, – por e rëndësishmja që konstatojmë ne është se ka pak përgjegjshmëri për të bërë një “mea culpa” publike për atë që ndodhi.
Jemi në pragun e nevojës për reforma të rëndësishme dhe FRD kërkon që të ketë ndryshime kushtetuese, por duke i marrë proceset në mënyrë paralele. Të diskutohet mbi bazën e konsensusit të gjerë dhe jo vetëm mbi interesat e dy-tre individëve”, tha Topi, duke përkrahur në mënyrë direkte Ilir Metën, i cili dje ka sulmuar ndryshimet kushtetuese.
/tesheshi.com/