Isuf Sahiti, është një ndër miliona shqiptarë të Turqisë. Drenicak që në pamje, e padyshim në virtyte, ai ka mbetur po aq shqiptar në merakun dhe përkushtimin ndaj vendit të tij, edhe pse pjesa më e madhe e jetës i ka kaluar pra në tjetër vend, në Izmir.
Interesant është fakti ai ai, tek turku dhe mes turkut, nuk ka qenë tek armiku, pot tek miku, duke mbetur gjithnjë shqiptar, “me rranjë e me degë”. I dhemb fakti se prej turkut, shqiptarët janë njohur si njerëz të besës, por që sot, këtë virtyt duket se e kanë humbur.
Në një intervistë, ai flet për gjithë veprimtarinë e tij atdhetare dhe shpirtin që ende nuk i gjen rehat derisa t’i shoh bashkatdhetarët e tij, Kosovën e tij, si ma e mira….
Intervistoi: Bukurie Rrustemi*
Isuf Beqir Sahiti, jeni njëri nga shqiptaret e Kosovës që prej 60 vitesh jetoni në Izmir të Turqisë. Megjithëse 85-vjeçar mbani lidhje të vazhdueshme me të gjithë shqiptaret në Izmir duke përfshirë këtu edhe studentët nga të gjitha trojet shqiptare. A mund të thoni diçka për biografinë tuaj?
Kam lindur në vitin 1933 në Fshatin Pjetershticë të Drenicës. Në 1956 jemi shpërngulur nga Kosova për arsye që babai im Beqiri ndiqej nga regjimi i atëhershëm i Jugosllavisë. Kur e kemi lënë vendin jemi mërzitur shume si ne, ashtu edhe krejt fshati, sepse me vullnet nuk e kemi lënë fshatin. Babai im ka dal nga Kosova në vitin 1944, ilegal i ndjekur nga regjimi i atëhershëm, dhe me disa shokë ka kaluar nëpër Maqedoni, më pas në Greqi ku ka qëndruar nëpër kampe deri në vitin 1948. Më pas është vendosur në Izmir ku ka punuar dhe jetuar. Pas ardhjes sime dhe vendosjes këtu në Izmir, vazhdimisht kam jetuar dhe akoma jetoj me kujtime dhe me mendime për Kosovën dhe për shqiptaret në përgjithësi. Kjo ndjenjë atdhedashurie ndaj vendit më ka shtyrë që në shumë organizime dhe aktivitete, aty ku më është dhënë rasti t’i reprezentoj vlerat e kulturës sonë kombëtare. Dhe tash së fundi edhe pse në moshë të shtyrë kam botuar dy libra, njëra rreth trungut familjar, ndërsa pjesa e dytë rreth kujtimeve nga përjetimet e babës dhe shokëve të tij. Këtë e kam bërë që edhe në këtë formë të ndikoj sadopak tek brezat e rinj që t’i ruajnë dhe t’i bartin gjeneratë pas gjenerate vlerat kulturore dhe traditën tonë kombëtare.
Këtu në shtëpinë tuaj gjithçka është autoktone shqiptare, emblemat shqiptare janë të vendosura anekënd shtëpisë, flamuri shqiptar po qëndron përkrah ati të Kosovës afër bustit të Skënderbeut e Adem Jasharit…Cila ishte veprimtaria kryesore e juaja dhe e familjarëve tuaj pas vendosjes këtu në Izmir?
Qysh nga ardhja në Izmir, krahas përkujdesjes ndaj familjes, veprimtaria ime kryesore ishte dhe mbetet kontributi për çështjet kombëtare. Në Izmir zhvillon aktivitetet e saj edhe shoqata Kosova – Rumeli e themeluar me 1979 me aktivitet kulturor-artistik, pjese e së cilës jam qysh nga themelimi. Po ashtu, kjo shoqatë ka qenë derë e hapur për të gjithë shqiptaret këtu në Izmir dhe është një urë lidhëse mes shqiptareve kudo në diasporë. Vlen të theksohet se përveç shumë aktiviteteve, shoqata Kosova – Rumeli në bashkëpunim me 25 shoqata tjera, me datë: 24 Pill 1999, këtu në Izmir ka organizuar protesta kundër regjimit serb që në atë periudhë kohore po bënte asimilimin dhe shfarosjen e shqiptarëve.
Aktiviteti im kushtuar çështjes kombëtare ka qenë i vazhdueshëm. Kështu, në vitin 1989-90, atë kohë kur në Kosovë u themelua Lidhja Demokratike e Kosovës, si një lëvizje e cila kundërshtonte regjimin e atëhershëm jugosllav, ne këtu në Izmir jemi mobilizuar për ta mbështetur këtë lëvizje qytetare dhe në këtë drejtim ne kemi mbledhur vazhdimisht ndihma materiale dhe i kemi dërguar në Kosovë; kemi organizuar manifestime dhe koncerte të ndryshme me nga 12 mijë njerëz dhe paratë e mbledhura i kemi dërguar në Kosovë. Organizime të ndryshme dhe protesta kundër regjimit serb ka pasur edhe në qytete të tjera të Turqisë, protesta këto që janë përcjell nga mediat të cilat kanë ndikuar në kthimin e vëmendjes së perëndimit për t’i ndihmuar popullit shqiptarë në Kosovë.
Bashkëpunimi im dhe i shoqatës Kosova – Rumeli nuk ishte vetëm në Turqi. Unë kam pasur bashkëpunim me të gjitha shoqata në mërgim, po ashtu të gjitha gazetat që në atë kohë botoheshin në mërgim si: Atdheu në Neë York, organ i Organizatës Kombëtare ‟Lëvizja e Legalitetit”, Shqiptari i Lirë në Neë York, komiteti ‟Shqipëria e Lirë”, Flamuri në Romë, organ i ‟Ballit Kombëtar”, Besa në Stamboll, organ i grupit Shqiptar Demokrat-Independent në Turqi, Biblioteka e Mërgimit në Izmir etj, numrat e të cilëve kanë ardhur në adresën time dhe unë pastaj e kam bërë shpërndarjen e tyre tek shqiptarët e tjerë në Turqi. Po ashtu duhet theksuar se kjo veprimtari ishte sa e vështirë aq edhe e rrezikshme, sepse çdo aktivitet i yni përndiqej nga pushteti jugosllav. Megjithatë, ne nuk jemi ndalur asnjëherë dhe vazhdimisht kam shkëmbyer gazeta dhe letra me të gjithë shqiptartë nëpër botë që u merreshin me çështjen kombëtare. Po ashtu, unë kam qenë drejtues i Lidhjes se Prizrenit në mërgim dega në Izmir, dhe isha përfaqësues për të gjithë Turqinë duke bashkëpunuar me Lidhjen e Prizrenit në të gjitha vendet nëpër botë. Në arkivën time përfshihen letërkëmbime të personaliteteve të shquara të diasporës shqiptare në SHBA dhe shtete të ndryshme të botës. Këto letra, foto, dorëshkrime, etj, janë ruajtur dhe ruhen prej shumë dekadash në bibliotekën e shtëpisë sime. Në fondet e arkives sime bëjnë pjesë letërkëmbimet e kryetarit të parë Ing. Xhafer Devës, me kyetarin e mëvonshëm Ismet Berisha dhe personalitete të tjera të diasporës në Amerikë dhe shtete të tjera të botës.
Dhe për shkak të angazhimit tim dhe familjes sime për gjatë tërë asaj kohe, deri pas çlirimit të Kosovës ne si familje e kemi pasur të ndaluar që të shkojmë në Kosovë për shkaqe të veprimtarisë kombëtare.
A mund të na tregoni a kishte shqiptarë të tjerë kur erdhët në Izmir dhe në cilën situatë ndodhej komuniteti shqiptar në këtë qytet?
Po kishte edhe shqiptarë të tjerë, punonin dhe jetonin të lirë, por nuk kishin të drejta për shfaqjen e nacionalitetit me simbole ose praktika tjera. Ne si familje dhe unë personalisht kam pasur kontakte më shumë me emigrantët shqiptarë, shokët e babës. Shqiptarët këtu në Izmir dhe në Turqi në përgjithësi kanë pasur të drejtë pune, por jo edhe të drejtë të mësimit në gjuhën shqipe, qysh nuk e kemi edhe sot e kësaj dite. Për shkak ndoshta edhe të përkatësisë fetare të njëjtë me turqit dhe disa praktikave tjera të njëjta, ne nuk kemi qenë të penguar që t’i festojmë dhe praktikojmë traditat dhe festat tona. Madje edhe festat kombëtare si: Festën e 28 Nëntorit ne e kemi festuar qysh nga viti i ardhjes në Turqi me leje nga komunat, ndërsa sot pa asnjë problem e festojmë edhe Pavarësinë e Kosovës dhe festat tjera shqiptare.
Por, një shqetësim dhe brengë për komunitetin shqiptar këtu në Turqi mbetet pamundësia jonë për të ruajtur gjuhën dhe traditën tonë shqiptare. Në secilën ditë e më shumë gjuha dhe tradita jonë po venitet fatkeqësisht. Edhe pse ne të moshuarit vazhdimisht jemi munduar dhe e kemi ruajtur gjuhen dhe traditën, sepse edhe sot e kësaj dite në shtëpitë tona brezi im e flasim gjuhën shqipe, por pasardhësit tanë kanë filluar të asimilohen dhe deshëm ne, apo jo, megjithatë ky është një proces normal për fëmijët tanë.
Cilat kanë qenë raportet, marrëdhëniet e shqiptarëve dhe turqve në të kaluarën dhe si qëndrojnë këto raporte tani?
Të themi të drejtën se me turqit nuk kemi pasur asnjëherë probleme, sa herë që kemi thënë jemi shqiptarë, menjëherë na kanë identifikuar me ‟besën” pra besnikë, të ndërgjegjshëm, atdhetarë dhe të moralshëm. Ndërsa sot, fatkeqësisht këto dhe shumë vlera të tjera populli shqiptar ka filluar t’i braktisë dhe t’i harrojë. Duhet thënë se shqiptarëve asnjëherë Turqia nuk ua ka pa sherrin, sepse ne asnjëherë nuk kemi ndërhy në politikat e shtetit të Turqisë. Përkundrazi, komuniteti shqiptar ka qenë vazhdimisht faktor kyç dhe mjaft i rëndësishëm në zhvillimin e Turqisë, duke u sjellë kështu vazhdimisht drejt dhe korrekt me politikat zhvillimore të saj.
Kjo besoj është ndoshta edhe faktori kryesor që Shqipëria dhe shqiptarët vazhdimisht i kanë ruajtur marrëdhënie e mira me Turqinë, kurse sot bashkëpunimi dhe marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve janë edhe më të mira se sa në të kaluarën. Po ashtu tash së fundi, sidomos pas shpalljes së pavarësisë edhe Kosova si shtet ka filluar një bashkëpunim në shumë sfera, e sidomos në sferën e kulturës, të arsimit, të shëndetësisë dhe veçanërisht në sferën e ekonomisë, të ndërtoj marrëdhënie të mira me shtetin e Turqisë. Dhe në këtë drejtim Turqia ka shprehur vazhdimisht gatishmërinë e saj për ta ndihmuar Kosovën dhe popullin e saj.
Në çdo cep të Izmirit por edhe të Turqisë hamendësoj, takon shqiptarë. A keni informata, të dhëna, të përafërta sa shqiptar kanë jetuar në të kaluarën dhe sa jetojnë aktualisht tani në Izmir?
Edhe pse është ndoshta Turqia vendi ku më së shumti ndodhen emigrantët shqiptarë, duke mos harruar këtu format dhe historikun e dëbimit me forcë të shqiptarëve nga viset etnike për në Turqi. Megjithatë edhe përkundër faktit që përpjekjet nuk kanë munguar për ta ditur numrin e saktë të shqiptarëve që kanë emigruar dhe sot akoma jetojnë Turqi, prapë së prapë ende nuk ka asnjë statistike zyrtare se sa shqiptarë jetojnë apo kanë jetuar në Turqi. Por, nga të dhënat jozyrtare dhe nga ajo çka kam dëgjuar, në tërë territorin e Turqisë jemi diku rreth 6 milion shqiptarë, e theksoj një shifër kjo jozyrtare. Ndërsa sa i përket jetës, veprimtarisë dhe aktualitetit të shqiptarëve këtu në Turqi, them me përgjegjësi se edhe në të kaluarën ka pas, por edhe sot ka, madje në numër më të madh të shqiptarëve që kanë lënë gjurmë në jetën sociale dhe politike në Turqi. Fjala vjen Ahmet Prishtina me të cilin kemi pasur lidhje familiare. Ahmet Prishtina ka qenë kryetar i përgjithshëm në dy mandate në Izmir. Tash djali tij është kryetar i një komune të Izmirit.
Cili është roli i shqiptarëve sot në shoqëri dhe sa është i përfshirë sot komuniteti shqiptar në jetën shoqërore dhe institucionale të Turqisë?
E theksoj me bindje të plotë se fakti që vjen nga komuniteti shqiptar nuk të pengon dhe nuk ta ndalon që të kesh punë edhe të përfshihesh në jetën sociale, politike dhe në të gjitha institucionet e Turqisë. Sot aktualisht janë bërë binjakëzime të komunave turke me ato shqiptare dhe ka vizita të shpeshta ndëretnike për çështje ekonomike dhe politike. Po ashtu gjeneratat e reja të cilët kanë studiuar brenda dhe jashtë Turqisë, me përgatitjen e tyre janë konkurrent të barabartë me gjithë të tjerët, madje shumë djem dhe vajza shqiptare sot janë zyrtarë të lartë shtetëror dhe mbajnë punë me përgjegjësi të lartë shtetërore këtu në shtetin e Turqisë.
Sot Turqia është shteti që ka investuar më së shumti në ngritjen e zhvillimit ekonomik në Kosovë. Cili ka qenë roli i juaj si komunitet në këtë proces për t’i orientuar investimet e Turqisë në Kosovë?
Ishte Turqia njëra nga vendet e para që e njohu Pavarësinë e Kosovës, dhe sot është prapë Turqia shteti që po investon më së shumti në Kosovë dhe duhet të investoj edhe më shumë në mënyrë që të ngitet zhvillimi i Kosovës, sepse Kosova po përballet me probleme ekonomike e politike. Institucionet e Kosovës dhe Shqipërisë në Turqi nuk po punojnë sa duhet. Ambasadorët mblidhen për festat kombëtare por ka shumë për tu bërë. Ndërsa ne si komunitet shqiptar edhe në të kaluarën në forma të ndryshme kemi bërë përpjekje, qoftë individualisht, qoftë nëpërmjet shoqatave dhe organizimeve të ndryshme që t’i tërheqim investitorët dhe kompanitë e ndryshme që të investojnë në Kosovë. Madje ka të atillë nga komuniteti shqiptar që udhëheqin kompani të mëdha dhe vazhdimisht janë të interesuar të investojnë dhe të bashkëpunojnë me shqiptaret atje në Kosovë.
Si e vlerësoni gjendjen aktuale të shtetit të Kosovës dhe të shqiptarëve në përgjithësi? Cilat janë të arriturat dhe cilat janë ngecjet në këtë proces të shtet ndërtimit?
Si të them, si komb shqiptar që e kemi dashtë mbi të gjitha atdheun dhe që kemi sakrifikuar shumë si komb për të qenë të lirë, e me gëzim e kemi pritur lirin.ë Megjithatë fatkeqësisht punët nuk po shkojnë si duhet. Sot shqiptaret si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri, e mos të flasim për shqiptaret jashtë viseve etnike, po kalojnë një periudhë mjaftë të vështirë. Gjendja e rëndë ekonomike, papunësia dhe shumë faktor tjerë si korrupsioni dhe krimi i organizuar, po e pengojnë forcimin e Kosovës si shtet dhe si shoqëri. Mendoj është koha dhe momenti i fundit që liderët dhe partitë politike t’i lajnë anash probleme dhe konfliktet mes veti. Dhe përfundimisht të punojnë për shtetin, sepse Kosova duhet sa më shpejt të orientohet drejt zhvillimit ekonomik dhe integrimit evropian, e jo të udhëhiqet nga korrupsioni dhe nga krimi i organizuar.
A mendoni se e vetmja alternativë për forcimin e shqiptarëve si shtet dhe si shoqëri në Ballkan, është alternativa e Bashkimit Kombëtar?
Bashkimi Kombëtarë është realitet i hershëm, projekt i hershëm për të cilin kanë sakrifikuar breza tërë, por që fatkeqësisht akoma ka mbetur një projekt i pa realizuar. Në fakt ne nuk kemi punuar për Kosovën Republikë, po për Shqipërinë Etnike. Mirëpo ndodhi si ndodhi Kosova u shpall shtet i pavarur, por Bashkimi Kombëtarë duhet me ndodh dhe është i pashmangshëm. Sepse kjo nuk është vetëm një ndjenjë emocionale e secilit nga ne, është shumë më shumë se kjo, dhe mendoj që vetëm me realizimin e Bashkimit Kombëtarë do të përmbushet projekti për fuqizimin e shqiptarëve si popull, si shtet, si komb në rajonin e gadishullit ballkanik. /tesheshi.com/
*Bukurije Rrustemi, absolvente në studimet master për Marrëdhënie me Publikun dhe Publicitet në Universitetin Ege te Turqis ne Izmir, ka përfunduar masterin për Sociologji dhe ka bachelor për Gazetari dhe Sociologji në Universitetin e Prishtinës. Ajo është aktiviste e shoqërisë civile.