Sot kur Kosova feston 7-vjetorin e paparimit, sllogani “Bac, u kry” që pati dalë më 17 shkurt 2008 – si mesazh se kosovarët e bënë shtetin – vihet në pikëpyetje. Madje, pa asnjë hezitim, politikanë e deputetë, analistë politikë e gazetarë, pohojnë se tash e shtatë vjet Baci “është mashtruar” ngase shteti nuk është kryer…
Nga: Jeton Llapashtica
Prishtinë – Republika e Kosovës sot feston datëlindjen e shtatë, ndonëse, për shumëkënd shteti i kosovarëve ishte bërë kaherë – ndërsa u zyrtarizua me 17 shkurt 2008, kur deputetët e Kuvendit të Kosovës e shpallën Kosovën të pavarur.
Për shtatë vjet, kosovarët janë përballur me miliona probleme prej më të ndryshme, prej mungesës së kushteve elementare për jetesë – jetës së dinjitetshme – e deri tek largimet masive nga Kosova, siç ka ndodhur veçanërisht muajve të fundit.
Nga ana tjetër, dështimi në sundimin e ligjit, mostrajtimi i barabartë i të gjithë qytetarëve nga organet e rendit dhe drejtësisë, dështimi në luftën kundër korrupsionit, dështimi në shtrirjen e autoritetit të mbarë territorin e Republikës së Kosovës, si dhe dështimi për ta zhvilluar ekonominë e vendit, janë vetëm disa nga pikat ku kanë dështuar tash e shtatë vjet qeveritë kosovare.
Shtatë vjet më parë, një grup i të rinjve kosovarë, të entuziazmuar nga shpallja e pavarësisë patën lëshuar në opinionin një vepër të tyre kreative – portreti i komandantit legjendar, Adem Jashari, me mbishkrimin “Bac, u kry” – që në njërën apo formën tjetër e jepte mesazhin se më në fund u bë shteti i Kosovës ashtu siç ka dashur vetë Jashari dhe mijëra dëshmorë të tjerë që kanë rënë për lirinë dhe pavarësinë e vendit.
Por, shtatë vjet më vonë, nuk janë të paktë ata që nuk janë të sigurt nëse shteti i Kosovës është bërë apo nuk është bërë. Në fakt, janë të shumtë ata që besojnë se Baci është “mashtruar” ngase shteti nuk është kryer.
Portali TeSheshi ka biseduar me politikanë e deputetë, analistë të pavarur dhe gazetarë, opinionet e të cilëve s’përfaqen më poshtë:
(S)u kry – Kryetari i dikurshëm i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, thotë se simbolika me portretin e komandantit Adem Jashari, dhe me mbishkrimin “Bac, u kry” shtatë vjet pas është në pikëpyetje. Ai thotë se Baci e kryjti punën e tij, por “komandantët” pastaj e dërguan vendin në humnerë.
“Aso kohe kishte shumë arsyeje që të thuhej: “Bac, u Kry”!
Pasi pavarësia e Kosovës, po finalizohej në bashkëpunim të plotë të drejtuesve politikë të shqiptarëve (Grupi i Unitetit i cili udhëhoqi Bisedimet e Vjenës), me faktorin ndërkombëtar me ndikim (OKB, SHBA, BE dhe Rusi). Këtij akti të rëndësishëm për kombin e Republikën e Kosovës, i patën paraprirë shumë ngjarje të rëndësishme kombëtare e ndërkombëtare. Deri tek suksesi i 17 shkurtit 2008, është ardhur pas një vargu të rëndësishëm të ngjarjeve të ndryshme kombëtare, si Lëvizja e Fshehtë Kombëtare, pastaj janë Demonstratat Studentore të vitit 1981-1990, Lëvizja Alternative Demokratike (që e kryesonte LDK-ja) e viteve 1990-1997/8. Ndërsa finalizuesja e këtyre përpjekjeve është Ushtria Çlirimtare e Kosovës e udhëhequr nga Komandanti Legjendar i UCK-së – Adem Jashari e më pas nga Shtabi Përgjithshëm i UCK-së”, thotë ish-zëdhënësi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Njeriu që e drejtoi legjislativin për dy mandate rresht thekson se Kosova ka ecur vështirë për “tu kryer”, por ia ka dalë pavarësisht nga sfidat, ndërsa, shprehet skeptik për qeverisjen aktuale, e cila sipas tij, vështirë se do t’i kontribuojë shtetndërtimit.
“Ngjarjet që u zhvilluan më pas rrokullisen në një drejtim të gabuar dhe kulmimi i kësaj rrokullisje ndodhi me krijimin e koalicionit PDK – LDK. Nëse koalicioni i 9/10 qershorit 2014, i bëri masat të festonin, koalicioni i nëntorit 2014 e shndërroi Kosovën në një heshtje varri. Kjo heshtje solli shpërnguljen më të dhimbshme të shqiptarëve nga atdheu i tyre për të cilin kishin sakrifikuar shumë. Ky koalicioni bëri që qytetarët tanë ta humbin besimin në ndryshimin e mundshëm”, nënvizon ai.
“Natyrisht që këto ngjarje janë pasojë e Bisedimeve politike, Serbi – Kosovë, të udhëhequra nga Daciqi e Thaçi nën mbikëqyrjen e Brukselit. Këto ngjarje kanë vërë në pikëpyetje, jo vetëm shprehjen: Bac, u kry! Ta themi shkurt e shqip: Baci e kreu detyrën fisnike karshi vendit dhe popullit. Shteti u bë, por drejtimi i tij ishte i keq, pse “komandantët” deshën t’i mundin shokët dhe qytetarët e vet, duke harruar armiqtë kryesor, Serbinë, mos zhvillimin ekonomik dhe kapja institucioneve të shtetit nga të padijshmit”, thekson më tutje Krasniqi.
S`u kry – Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani, thotë se një shtet nuk mund të thotë se ka përfunduar procesin e shtetndërtimit nëse akoma nuk ka demokraci te zhvilluar.
“Mungesa e kontrollit të të gjithë kufijve dhe mosshtrirja e sovranitetit ne veri e bënë shtetësinë e Kosovës të brishte, dhe dëshmon ndërhyrjen e Serbisë në sovranitetin dhe integritetin territorial te vendit. Për të qenë i suksesshëm procesi i shtetëndërtimit, duhet te shtrihet kontrolle në tërë territorin e Kosovës”, thotë ajo.
“Si përfundim: Bac, nuk u kry! Do të kryhet atëherë kur në Kosovë të ketë mirëqenie qytetare, zhvillim ekonomik, demokraci, dhe shtrirje te sovranitetit në tërë Kosovën”, thekson Osmani.
S`u kry – Gazetari Halil Matoshi thotë se shtatë vjet pas shpalljes së pavarësisë, Kosova është shtet por i pambaruar, pa njohjen e pesë vendeve të BE-së dhe joanëtare e OKB-së – pa afirmacion të plotë ndërkombëtar.
“Rasti i Kosovës dëshmon se shteti bëhet përbrenda – jo vetëm nga jashtë – sepse klasa e papërgjegjshme dhe jokompetente politike, modeli kleptokrtatik qeverisës po e dështojnë shtetin kosovar. Në anën tjetër, kostoja e çlirimit të Kosovës nga agresioni serb, përkatësisht ndalimi i gjenocidit në tentativë nga NATO-ja, ka qenë aq e lartë, sa që partnerët e lirisë së Kosovës nuk kanë hequr dorë nga maturimi i këtij projekti dhe ata, së fundi duan ta braktisin klasën politike të pasluftës, për të kërkuar partner më serioz në Kosovë”, thekson Matoshi.
Ai beson se viti 2015 do të jetë vit i kthesës, siç thotë ai, ndonëse në krizë të madhe, Kosova do t’ia dalë të konsolidohet si shtet, ngase edhe klasa politike edhe shoqëria kosovare po e pranojnë krizën.
S`u kry – Edhe analisti politik, Fadil Lepaja, mendon se bacin e kanë “mashtruar” kur para shtatë vjetëve i “kanë thënë” se u bë shteti i Kosovës. Për më tepër, sipas tij, as shtatë vjet më vonë shteti nuk është kryer.
“Ky është slogani i atyre të cilët e kanë kryer misionin e vet për të ardhur në pushtet, edhe për t`u pasuruar. Në këtë kontekst është kryer. Ndërkaq, protestat e shumta, largimi masiv i qytetarëve, administrata e korruptuar në të gjitha segmentet e saja, tregon se ideali i gjeneratave, përfshirë edhe atë të Bacit për liri dhe shtet ende është larg për tu kryer. Shteti nuk është kryer, kësaj mund t’i shtohet edhe fakti se nuk është definuar ende kufiri, nuk kontrollohet territori, funksionojnë institucione të shteteve të tjera”, thotë ai.
S`u kry – Sllogani “Bac, u kry” në fakt duhet të jetë “Bac, s`u kry”. Kështu mendon njëri nga figurat kyçe të shoqërisë civile në Kosovë, Shpend Kursani. Madje, sipas tij, Kosova më shumë “ishte kryer” para shpalljes së pavarësisë sesa pas saj.
“Kjo gjithnjë nëse e vlerësojmë sipas kritereve të funksionimit të brendshëm të tij. Çka më së shumti ka kontribuar në heqjen e tipareve të shtetit janë rezultatet e negociatave me Serbinë, ku para se të fillonin negociatat, Serbia nuk kishte edhe aq ndikim, ndërkaq sot, dhe pas rezultatit të negociatave Kosova e ka bërë Serbinë edhe ligjërisht hisedarë në vendimmarrje në disa nivele të vendit, pra kryesisht në Qeveri dhe në Kuvendit”, thotë ai.
“Andaj sa i përket elementqve të shtetësisë dhe përforcimit të pavarësisë, këtu kemi pasur ecje mbrapa, dhe nuk mund as të themi “Bac, squ kry”, por më e sakta do të ishte të thuhet “Bac, u kthyem”, pra jemi kthyer edhe mbrapa si shtet, por edhe jemi kthyer nën ndikimin e Serbisë”, thekson ai.